Analiza

Ukraina: Një histori dhe një bashkëjetesë e vështirë

Ukraina mirëpret në të njëjtin territor popuj me identitete të shumta dhe me kujtesa kontradiktore. Një histori që e bën problematike bashkëjetesën e tyre në një shtet të vetëm

Ukraina

Lufta civile e shpërthyer në Ukrainë nuk është frut i rastësisë apo i rrethanave, por i ka rrënjët e saj në histori. Kriza buron në thelb nga tri faktorë: një shtet me formim të vonshëm i kontestuar dhe i korruptuar; një popullsi e përçarë, në lindje me shumicë greko – katolike, në favor të Ukrainës, simpatizante e “vlerave perëndimore” dhe në lindje me shumicë ortodokse, rusishtfolëse, në favor të konceptimeve mashkullore të Rusisë së Putinit; fqinj ambiciozë që kërkojnë të zgjerojnë sferën e tyre të influencës, domethënë Bashkimi Europian dhe NATO, në emër të prosperitetit të përbashkët dhe të vlerave demokratike, dhe Rusia, në kujtim të traditës perandorake të Rusisë së Madhe dhe të të ndjerit Bashkim Sovjetik. Përfundimisht, një seri elementësh që janë fruti i një historie mijëvjeçare. Të bësh historinë e Ukrainës, të asaj brenda kufijve aktualë, është një detyrë e vështirë. Tokë pothuajse gjithmonë pa shtet kombëtar, mozaik popujsh të ndryshëm, udhëkryq ambiciesh të fqinjëve, Ukraina nuk ka pushuar kurrë së qeni teatër përpleshjesh. Në kundërshtim nga pjesa e madhe e vendeve europiane, ajo nuk ka qenë frut i një ndërtimi të durueshëm të konsoliduar ndër shekuj. Ajo zhduket rregullish dhe rilind, po aq rregullisht, si me magji. Në lashtësi, Ukraina ka qenë djep qytetërimesh luftarake brilante, atij të skithëve, pastaj atij të sarmatëve që kanë mrekulluar botën me përpunimin e floririt dhe atë të gotëve, që do të fitojë ndaj pax romana. Duke filluar nga shekulli i IV-ët A.D., ultësirat e mëdha të saj përbëjnë një terren të mrekullueshëm pushtimi për popujt urgo – finikë dhe turkofonë: hunë, avarë, kazarë e maxharë dhe për tribùtë protosllave, në mënyrë të veçantë antët, që i përbëjnë bazën. Vetëm në shekullin e IX-të rajoni hyn vërtet në histori me varegët apo variagët, tribù vikinge të Balltikut.

Vendi i pagëzimit të sllavëve

Oleg i Urti, kushëri i Rurikut apo Riurikut, Princ i Novgorodit, djepi i Rusisë, pasi ka arritur të federojë tribùtë sllave, fut në dorë qytetin e Kievit në vitin 882 dhe themelon një dinasti të re, atë të riurikidëve. Në këtë pikë, Mbretëria e Kievit quhet “vendi i rus-ëve”, domethënë “Vendi i rremtarëve” në gjuhën protosllave dhe shtrihet nga njëra anë dhe nga tjetra e lumit Dniepër. Princi arrin që të dominojë të gjithë Ukrainën qendrore, Podolinë, jugun e Bjellorusisë dhe perëndimin e Rusisë aktuale. Në vitin 988 Vladimiri i Madh (980 – 1015), Princi i Kievit, konvertohet në kristianizëm dhe martohet me Ana Porfirogjenitën, motrën e Perandorit bizantin Bazili i II-të. Vladimiri arrin që t’u japë fund veçantive territoriale dhe, prej antipatisë për Romën, bën zgjedhjen e tij në drejtim të Konstandinopojës. Nga ai moment dhe përgjithmonë, në imagjinatën kolektive, Kievi bëhet vendi i pagëzimit të sllavëve ortodoksë dhe qyteti nën i të gjitha qyteteve të vendit. Nën mbretërimin e Jarosllavit të I-rë të Urtit (1019 – 1054), vazhdon politika e unifikimit të sllavëve dhe organizohet administrata e shtetit; ndërtohen shumë manastire dhe katedralja e Shën Sofisë, duke e rrënjosur fenë ortodokse në gur dhe në shpirtrat e popullsisë, me kambanoret, ikonat dhe zërat koralë të saj. Kjo periudhë përfaqëson epokën e artë e shtetit të Kievit, që në atë kohë shtrihet deri në brigjet e Balltikut. Shfaqet për herë të parë në Kronikat e Kievit, të botuara në 1187, termi Ukrainë për të treguat territoret e Dnieprit të poshtëm. Për idhtarët e identitetit ukrainas, ekzistenca e dy degëve të ndara të familjes së Riurikidëve siguron provën që Ukraina, qysh në origjinë, ka qenë një entitet i dalluar nga Rusia e Novgorodit. Bërja e Shën Vladimirit themeluesi i një identiteti kolektiv rus (siç e paraqet, për shembull, Vladimir Volkoff në biografinë e tij të romanizuar Vladimiri, dielli i kuq) do të ishte, sipas tyre, një mit abuziv. Kurse për kundërshtarët e tij baza e përbashkët riuirikide rezulton e mjaftueshme për të justifikuar unitetin e botës ruse.

Principata të pavarura

Por grindjet dinastike nuk vonojnë për ta shkatërruar strukturën e Shtetit të Kievit, që nga fundi i shekullit të XII-të rezulton mjaft i dobësuar. Aristokracia e mbretërisë, duke u tërhequr në perëndim nën presionin e fortë mongol, i jep jep jetë principatave të ndryshme të pavarura, midis të cilave asaj të Kievit, të Galicisë e të Volinisë dhe është pikërisht në këtë periudhë që fatet e popullit ukrainas dhe ruse divergjojnë në mënyrë të pastër. Në vitin 1190 Romani, Princi i Volinisë (veriperëndim i Ukrainës), themelon një shtet të ri, duke inkorporuar Galicinë dhe Kievin. Një periudhë madhështore që kulmon me mbretërinë e Danielit të I-rë të Galicisë, fitimtar ndaj Kalorësve Teutonë dhe tartarëve (nga turqishtja Tha-ta, “banditë”). Në vitin 1240 Kievi pushtohet: Mongolët bëhen padronë të zonës, themelojnë Perandorinë e Bashkës së Artë dhe shumë sovranë vendas, për të shpëtuar fronin e tyre, janë të detyruar që t’u nënshtrohen kërkesave të Khanit. Pavarësisht nënshtrimit, periudha midis shekullit të IX-të dhe të XIV-të, për historianët vendas, përbën bazën mbështetëse e rivendikimeve të diferencimit etnik dhe themelin e kulturës ukrainase. Nga ana e saj, historiografia sovjetike, më pas ruse, ka mbështetur gjithmonë një teori rrënjësisht të ndryshme, atë të unitetit të “tri Rusive”, sipas së cilës popujt rus, ukrainas dhe bjellorus janë derivate nga e njëjta bazë; Rus-i i Kievit. Gjithsesi, principatat më perëndimore, të përçara dhe të ekspozuara ndaj sulmeve të hordhive të stepës, sidomos nga ana e tartarëve të Krimesë, nuk vonojnë që t’u nënshtrohen fuqive fqinje, Polonisë dhe Lituanisë. Në vitin 1362 Dukati i Madh i Lituanisë anekson Kievin, Volininë dhe pjesën më të madhe të Podolisë. Disa vjet më vonë, Polonia bën të njëjtën gjë me Galicinë. Bashkimi dinastik i Polonisë dhe i Lituanisë, i përfunduan në 1385, konkretizohet me shkrirjen e dy shteteve me Traktatin e Lublinit të 1569. Tashmë është Polonia ajo që dominon pjesën më të madhe të Ukrainës dhe asimilimit të elitave, të integruara në fisnikërinë polake, i shton një politikë katolicizmi të vendit. Koncili i Brest Litovskit në vitin 1569 konsakron rreshtimin nga ana e Romës për Mitropolitin e Kievit, i cili i nënshtrohet Papës, megjithëse duke ruajtur veçantitë liturgjike të ritit grek dhe duke i dhënë kështu jetë Kishës Uniate të Ukrainës. Nëse pjesa më e madhe e shtresave të larta të popullsisë bën zgjedhjen në favor të Polonisë, shtresat e ulëta mbeten në pjesën më të madhe besnike ndaj fesë së baballarëve. Një pakicë aktivë, e drejtuar nga Princi Ostrozky, përpiqet që të rianimojë fenë ortodokse, duke themeluar vëllazëri, të mbështetura nga Patriarkana e Kostandinopojës. Bibla e Ostrihut, e botuar në 1581, është teksti i parë liturgjik në gjuhën ukrainase. Fshatarët rutenë, por edhe pjesë të popullsive fshatare të luftëtarëve të Dnieprit të poshtëm, të ashtuquajturit kozakë zhaporogë, fillojnë të ngrihen kundër polakëve. Lëvizja e tyre bëhet akoma më e fortë kur Duka i Madh i Moskës, Ivani i IV-ët i Tmerrshëm, ngrihet si mbrojtës i të gjithë ortodoksëve. Në fakt, duke përdorur ngjashmërinë emërore midis “Rus”-it e Rusisë dhe duke duke ju apeluar pagëzimit të Shën Vladimirit, Ivani shpallet në 1547 si Car i të gjitha Rusive; për të Ukraina është bërë tashmë “Rusia e Vogël” dhe Moska vazhdon që të jetë “Roma e Tretë”, ashtu siç e kishte përcaktuar tashmë paraardhësi i tij Ivani i III-të i Madhi (1440 – 1505), që ishte martuar me një mbesë të Perandorit të fundit të Bizantit (1472).

Rilindje kozake

Ka filluar, në këtë pikë dhe për dy shekuj me radhë, një luftë e ashpër gjatë së cilës bashkëlidhen përmbysje aleancash dhe luftime me rezultat të paqartë. Në këtë periudhë, për t’i shpëtuar dominimit të fisnikërisë, ukrainas të shumë ngulen në stepat e pabanuara që rrethijonë territorin polak dhe atë tartar. Të organizuar në njësi ushtarake, të quajtur “kozake” (nga turqishtja Quzzak, “aventurier”), këta njerëz konsiderohen mbrojtësit e fesë ortodokse dhe të popullit ukrainas. Ata arrijnë për të themeluar qytete të tëra, si puna e Harkovit, rreth vitit 1655. Duke luajtur me rivalitetet midis polakëve, rusëve, suedezëve, tatarëve dhe turqve, kozakët orvaten për të rilindur një shtet “ortodoks” ukrainas dhe, me kalimin e kohës, kozakëria bëhet një ushtri e rregullt prej 40000 njerëzish, e famshme në Europë për fushatat e saj kundër tatarëve dhe turqve. Sido që të jetë, pas rebelimesh të shumta, Polonia arrin që ta reduktojë numrin e tyre dhe të ushtrojë drejtpërsëdrejti komandën e tyre. Reagimi që mbretëronte në ajër nuk ka vonuar: në vitin 1648, aleat me tatarët, Atamani (Hetman në polonisht) Bogdan Khmelnitsky mund polakët në Jovti Vody e në Korsun, por mundet më pas në Berestechko. Në vitin 1654 siguron revanshin duke u bërë aleat më rusët. Traktatiu i Pereslavit, që e ka pasuar, instauron në fakt një protektorat rus, megjithëse duke u lejuar kozakëve të drejtën për të qenë një shtet i pavarur me strukturën e vet socio – politike. Bëhet fjalë për shtetin e dytë ukrainas, domethënë Atamanatin ukrainas, por bregu i majtë i Dnieprit dhe baseni i Kievit tashmë futen në orbitën e Moskës. Janë vite rusifikimi progresiv, aq më shumë që identiteti kozak ishte larg nga të qenit në mënyrë unike ukrainas. Kozakët zaporogë ruanin praktikisht lidhje shumë të ngushta me ata të Donit e të Vollgës, në shumicë dërrmuese të orientuar nga Rusia. Por loja e ambicieve polake dhe moskovite përfundon duke çuar në ndarjen e Atamanatit ukrainas, sanksionuar nga Traktati i Andrussivos në vitin 1667. Atamanati i bregut të djathtë të Dnieprit, i hyrë në grupin e Polonisë, zhduket në vitin 1699. Përzierje demokracie gjysmë të drejtpërdrejtë dhe feudalizmi arkaik, me folklorin dhe mitologjitë e tij, Atamanati moskovit njeh nga ana e tij fate të ndryshme. Në vitin 1685 Mitropolia e Kievit aneksohet nga Patriarkati i Moskës. Në 1708 Atamani Mazepa tenton që të rifitojë një pavarësi të vërtetë, duke u bërë aleat me Karlin e XII-të të Suedisë në luftën e Veriut. Humbja e tyre në betejën e Poltavës në 1709 shënon de facto fundin e shtetit kozak dhe nënshtrimi i Ukrainës ndaj Rusisë vazhdon gjatë shekullit të XVIII-të. Tashmë Ukraina lindore administrohet në Shën Petërsburgu nga Kolegji “rus i vogël”, i krijuar nga Pjetri i Madh në 1722. Ajo është tashmë pjesë përbërëse e hapësirës doganore ruse. “Manastiri” i Kievit humb të drejtën për të botuar tekste profane dhe sidomos futet “servituti”, një gjë kurrë e ekzistuar më parë në botën kozake. Aristokracitë asimilohen në aristokracinë ruse dhe, nën Katerinën e II-të, Atamanati zhduket de jure. Veriu i Ukrainës ndahet në tri guvernatorate. Jugu, për një kohë të gjatë nën dominimin osman, integrohet në Rusinë e re, e cila administron Harkovin, Odessën dhe Krimenë, e aneksuar në 1783. Pjesa perëndimore, akoma nën dominimin polak, Galicia dhe Rutenia i jepen Perandorisë Austro – Hungareze me rastin e ndarjes së Polonisë në vitin 1772. Nw 1774, Bukovina e ripushtuar nga osmanët pëson të njëjtin fat dhe deri në 1917 Habsburgët dhe Romanovët do të mbretërojnë pa ndërprerje mbi popujt ukrainas./historynet/

Vijon

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button