Analiza

UKRAINE / RIKTHIMI I JULIAS

JuliaNë natën e sheshit Majdan shkëlqen gërsheti i artë i Julia Timoshenkos. Por nuk është festë. E liruar nga burgu në fundin e një dite që ka përmbysur të gjithë historinë e Ukrainës, Julia qan. Dhe të paktën njëqind mijë vetë, të mbërritur në sheshin simbol të Kievit, preken bashkë me të, tek shohin radhën e gjatë të arkivoleve të drunjtë që ekspozohen mes flamujve të djegur dhe spitaleve fushorë. E shohin të lëvizë me karrigen me rrota me të cilën e kanë hipur mbi skenë, qëndrojnë në heshtje në pritje të fjalëve që ajo nuk arrin t’i shqiptojë, hedhin sytë nga kodra prej ku, deri një ditë më parë, policia qëllonte mbi demonstruesit, dhe u druhen sulmeve të tjerë. Pastaj në fund, Julia ia del mbanë: “Jeni ju heronjtë e vërtetë të këtij vendi”. Dhe vazhdon, me atë vështrimin e dikurshëm, duke folur si presidente, si dikush që e di se do i fitojë zgjedhjet e ardhshme që janë shpallur tashmë për në 25 maj. I saji është një mesazh që shtyn cdo lloj feste: “Do të qëndrojmë në shesh. Duhet të jemi të sigurtë që gjithcka ka marrë fund. Momenti po vjen, kemi mposhtur një diktaturë, por puna jonë nuk ka përfunduar ende”.

Dëshiron të thotë atë që të gjithë e dinë, dhe që justifikon fytyrat e shqetësuara. Gjuetia ndaj provokatorëve të mundshëm vazhdon, ashtu sikurse dhe frika konstante nga një atentat, pikërisht tani kur gjërat duket sikur po shkojnë më mirë, pas tre muajsh protesta dhe gjakderdhje. Arratia e Viktor Janukovicit ende nuk është deshifruar. Ai u largua me avion shtetëror, duke marrë me vete njëgrusht besnikësh. Një vendim i marë me shpejtësi të madhe, pasi pararoja më ekstreme e protestës kishte sulmuar Pallatin presidencial duke eleminuar policinë, e cila nuk kish më asnjë dëshirë të luftonte.

Duket si një njeri që ka marrë fund politikisht, por në Majdan askush nuk beson, e kanë ende frikë. I druhen mbështetjes nga Moska që mund të mos vijë asnjëherë, por që është aty, në ajër, si një kërcënim.

Julia Timoshenko e di mirë, dhe për këtë arsye përgënjeshtron njerëzit e saj, që kishin kërkuar cmontimin e barrikadave. Dhe flet qartë, shpall një program që nuk paralajmëron kompromis: “Janukovic dhe të tijtë do të gjykohen për atë që kanë bërë, do të kërkojmë një për një përgjegjësit e vdekjes së të rinjve tanë dhe do i ndëshkojmë sic e meritojnë”. Pak rëndësi ka që kjo rrezikon të nxisë edhe më shumë ata më të dhunshmit, të cilët një ditë më parë u përpoqën të lincojnë një grup deputetësh në rrugë dhe që tani hartojnë lista të zeza të drejtuesve të lartë të policisë. Edhe Rusia nuk duhet të ketë iluzione. “Yni do të jetë një komb europian, i fortë dhe i sigurtë. Janukovic na futi në rrugën e gabuar dhe provokoi gjithë këtë ngajrje”. Dhe më tej, me heshtjen që bëhej gjithnjë e më surreale, e shtoi goditjen: “Revolucioni ynë do të jetë një shembull për republikat e tjera ish sovjetike. U kemi treguar atyre rrugën drejt lirisë”. Një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Moskës dhe ëndrrave të Putinit, që nuk provokon duartrokitje, por një lloj thirrjeje të zemëruar për luftë.

Zgjedhja është bërë. Dhe askush nuk ka dëshirë të kthehet pas. Marrëveshja e pardjeshme ishte vetëm hapi i parë për një ndarje epokale që synon të shkëpusë tërësisht Ukrainën nga orbita ruse: “Dhe do të jeni ju, heronjtë e Majdanit, që do të garantoni unitetin e kombit tonë…”

Leave a Reply

Back to top button