Magazine

“Ungjilli i humbur” / Dorëshkrimi i lashtë që “vërteton” se Jezusi u martua me Mari Magdalenën dhe kishte fëmijë

Screen Shot 2016-04-15 at 09.41.52

Nga Profesor Barrie Wilson, Simcha Jacobovic

Ajo që do të lexoni është një histori me detektivë.

Ne kemi zbuluar një shkrim të lashtë, i cili është koduar në një kuptim të fshehur. Gjatë zbërthimit të tij, do ju shpiem në një udhëtim në botën e këtij teksti misterioz. Ajo të cilës Vatikani i druhej – dhe Dan Brauni dyshonte – është vërtetuar. Tashmë ka prova të shkruara se Jezusi ishte martuar me Mari Magdalenën, dhe se ata patën fëmijë së bashku.

I pluhurosur në Librarinë Britanike, ndodhet një dokument i cili na shpie në vitet e munguar të jetës së Jezusit. Studiuesit besojnë se ai u lind rreth vitit 5 para Krishtit, dhe se u kryqëzua rreth vitit 30.

Por ka një hendek të madh në biografinë e tij. Ne nuk dimë absolutisht asgjë për Jezusin, nga koha kur ishte vetëm 8-ditësh (rrethprerja, sipas ligjit hebre) deri në të tridhjetat. Ka një përjashtim. Sipas Ungjillit të Lukës (2:41 – 2:51), kur ai ishte vetëm 12 vjeç, Jezusi udhëtoi me prindërit e tij në Jeruzalem, për festimin e Pashkëve.

Kaq. Kjo është gjithë ajo që kemi. Përndryshe, tridhjetë vite heshtje absolute.

A nuk është e pabesueshme? Ja tek kemi njeriu më me ndikim në histori, dhe nuk dimë asgjë për të, deri kur ai nis “ministrinë” (aktivizimn publik) e tij, tre vite ara se të kryqëzohet.

Por fakti është që ne thjeshtë nuk kemi informacion për vitet e hershëm të Jezusit – vitet e rritjes, miqtë, shkollimin, apo ndërveprimin me pjesëtarët e familjes. Nuk kemi njohuri për Jezusin në rininë e tij. Ku e siguroi qasjen në shkrimet e Biblës së hebrenjve? A kishte sinagoga në Nazaret, një vend shumë i vogël në atë kohë, dorëshkrime të Ligjit dhe Profetëve? Kush ishin mësuesit e tij të fesë?

Sa mirë e njihte ai hebraishten, ashtu sikurse Aramaiken që e dimë se e fliste? A fliste greqisht, lingua franca e botës romake? Jezusi shfaqet në skenën e historisë krejt papritur, në fund të të njëzetave. Në këtë pikë, Jezusi shpall “Mbretërinë e Zotit” – domethënë, ardhjen e një transformimi cilësor në historinë njerëzore, e profetizuar në Biblën Hebraike, ku drejtësia do të mbretërojë mbi Tokë dhe adhurimi i një Zoti të vetëm do të jetë universal.

Po çfarë ndodhi me Jezusin përpara kësaj shfaqjeje të papritur?Sipas dokumentit që ne zbuluam, diku rreth kësaj periudhe ai u fejua, u martua, pati marrëdhënie seksuale, dhe bëri fëmijë. Përpara se të gjithë të përgatiten për “betejë”, mbani parasysh që nuk po sulmojmë teologjinë e askujt. Po raportojmë një tekst. teologjia duhet të ndjekë faktet historike dhe jo e anasjellta. Thënë kjo, për momentin, nuk po themi që teksti ynë është një fakt historik. Deri tani, thjeshtë po themi se Bibla e krishterë nuk na thotë asgjë për vitet e hershëm të Jezusit, dhe se kemi zbuluar një tekst, i cili pretendon se ai u martua dhe bëri fëmijë.

Në një nivel historik, kjo në fakt nuk duhet të na habisë. Martesa dhe fëmijët ishin të pritshme nga një hebre, atëherë dhe sot. Po të mos ishte martuar, kjo gjë do i kishte shkaktuar tmerr familjes së tij, ndoshta skandal në komunitet, dhe Testamenti i Ri me siguri do të kishte komentuar për këtë – në mos për arsye tjetër, të paktën për të shpjeguar dhe mbrojtur sjelljen e Jezusit. Por tani ne kemi një dokument që pretendon se ai ishte i martuar dhe bëri fëmijë. Jo vetëm kaq, dokumenti ynë tregon se për disa prej ndjekësve të tij, martesa e Jezusit ishte aspekti më i rëndësishëm i teologjisë së tyre.

  • Kjo pjesë është shkëputur nga libri “Ungjilli i humbur”, me autorë Profesor Barrie Wilson dhe Simcha Jacobovic

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button