Magazine

Utopia e harruar

Kërkimi për shoqërinë e përsosur dhe qytetërimin e humbur që e gjeti atë

screen-shot-2016-10-01-at-8-32-22-am

Imagjinoni një ishull paqedashës në Atlantik, të sunduar nga arsyeja. Pesëdhjetëekatër qytetet e tij, qeverisen nga zyrtarë të arsimuar dhe një princ i zgjedhur përjetë. Ndonëse lufta nuk është zhdukur, por ajo përdoret vetëm si mjeti i fundit. Njerëzit nuk shohin kurrëfarë lavdie tek lufta, dhe i kapin robër armiqtë në vend se t’i vrasin ata. Kjo është Utopia origjinale – bota pagane, komuniste dhe pacifiste, e skicuar pikërisht 500 vjet më parë në Thomas More në veprën e tij të mirënjohur. Libri i More ka nxitur jo pak imagjinatën tone, pikërisht për shkak të fantashkencës utopike. Por në një botë të autokracisë, fanatizmit dhe terrorizmit, ajo duket më e largët se kurrë më parë nga realiteti. Në fakt, argumentet shkaktojnë debate në lidhje me qëllimin e tij të vërtetë. Titulli i librit, që rrjedh nga fjala utopos e greqishtes së lashtë – që do të thotë “asnjë vend”, është një lojë fjalësh për eutopos, ”vend i mirë”.

A po prezantonte More planin e një shoqërie ideale, ose satirizonte interesin vetjak, lakminë dhe ambicjet ushtarake të monarkive të trashëgueshme të kohës së tij? Mbi një gjë janë thuajse të gjithë dakord: utopia nuk ka ekzistuar ndonjëherë. Shoqëritë e mëdha njerëzore priren të jenë të qeverisura nga forca. Instinkti për luftë ka qenë forca drejtuese e thuajse çdo qytetërimi në 5 mijëvjeçarët e fundit, nga Mesopotamia e lashtë tek Perandorisë Britanike.
Apo është e kundërta? Një shoqëri e lashtë misterioze mund të përgënjeshtrojë pohimin e mësipërm. Qytetërimi i luginës Indu është më enigmatiku ndër katër qytetërimet e mëdha të hershme. Por, ndërsa Mesopotamia, Egjipti i lashtë dhe Kina e lashtë himnizonin luftën, kjo me sa duket mungonte tek qytetërimi i hershëm indian. A ishte kjo një utopi reale dhe që funksiononte? Nëse po, si arriti të mbijetojë, dhe pse në fund u zhduk?

Qytetërimi Indu lulëzoi rreth viteve 2600- 1900 Para Krishtit. Më shumë se një mijë vendbanime janë gjetur në një hapësirë prej rreth 800.000 kilometrash katrorë të asaj ku tani shtrihet Pakistani, India dhe Afganistani, por reliket e tij u zbuluan vetëm në vitet 1920. Kjo cilësohet sot si fillesa e qytetërimit Indian, dhe ndoshta origjina e hinduizmit. Të gjitha shenjat, flasin për një shoqëri të begatë he të përparuar – një nga më të mëdhatë e historisë.

Ajo zhvillonte tregti të fuqishme dhe eksport detar nëpërmjet Detit Arabik. Arkeologët kanë gjetur objekte të prodhuara në Luginën Indiane në qytetet e Mesopotamisë, si Ur dhe Akad. Dy qytetet më të mëdha indiane, Harapa dhe Mohenjo-Daro, mund të mburreshin me rrugët dhe sistemin e ujërave të zeza, që qenë të denja edhe për kohët moderne, duke përfshirë tualetet më të hershme të njohura në botë, dhe një depozitë mbresëlënëse uji e njohur si Banja e Madhe.
Mjeshtrit indianë krijuan peshat komplekse prej guri për t’i përdorur tregti dhe rruaza për vendosjen e stolive të ndryshme. Janë zbuluar ndërkohë mijëra gurë të vegjël; të vendosura përreth qafës, të cilët tregtarët do t’i përdornin për të treguar identitetin e tyre. Në secilën prej tyre është gdhendur një dorëshkrim i hollë por misterioz, çka ka provokuar më shumë se 100 përpjekje për të dëshifruar gjuhën e qytetërimit të hershëm indu – me pak konsensus. Aspekte të tjera të qytetërimit janë edhe më çoroditëse. Qytetet kryesore nuk tregojnë shenja të qarta se kanë qenë të fortifikuara. Nuk janë gjendur armatura apo armë qartazi ushtarake – në krahasim me thikat, shtizat dhe shigjetat e krijuara për gjuajtjen e kafshëve.
Nuk ka prova as të ekzistencës së kalit, një kafshë e përshtatshme edhe për sulmet bastisëse, që më vonë u bë i zakonshëm në rajon. Në gati një shekull gërmime, arkeologët kanë zbuluar vetëm një përshkrim të njerëzve që luftojnë, dhe ajo është një skenë pjesërisht mitike që tregon një hyjni femër me brirët e dhisë dhe trupin e një tigri.

Ka një mungesë totale të pallateve të dukshme mbretërore dhe tempujve të mëdhenj, asnjë përshkrim monumental të mbretërve dhe sundimtarëve të tjerë, jo shumë dallime midis shtëpive të të pasurve dhe të varfërve, dhe asnjë shenjë të dietave të ndryshme ushqimore tek kockat e skeleteve të varrosura, dhe as prova të ekzistencës së skllavërisë. E gjithë kjo kontraston thellë me kullat e Mesopotamisë dhe të faraonëve të Egjiptit të lashtë.

“Ajo që ka mbetur nga këto qytete të mëdha indiane, nuk na jep asnjë shenjë të një shoqërie të angazhuar apo të kërcënuar nga, lufta”- thotë Nil Mekgregor, ish-drejtor i Muzeut Britanik në Londër. Njerëzit indu, argumenton ai, ofrojnë modelin e një qytetërimi urban, pa kremtimin e dhunës ose përqendrimit ekstrem të pushtetit individual:”A mos teprohet po t’i etiketojmë këto qytete indiane si fillimet e një Utopie urbane?”

Ka disa që e cilësojnë ta pabesueshme mungesën e plotë të luftës dhe konfliktit. “Nuk ka ekzistuar kurrë një shoqëri pa konflikte të një shkalle të madhe apo të vogël”- shprehet Riçard Madou i Muzeut Peabody në Universitetin e Harvardit. Ai argumenton se thikat, shtizat mund të ketë qenë përdorur mbi kafshët por edhe mbi njerëzit, ndërsa thekson rastin e Majave të lashtë që dikur mendohej se ishin jashtëzakonisht paqedashës – deri kur u deshifruan hieroglifet e tyre që zbuluan historitë e betejave jashtëzakonisht të përgjakshme, flijimet njerëzore dhe torturat. Kush e di se çfarë mund të zbulojnë shkrimet e lashta indiane nëse deshifrohen?

Pastaj sërish, edhe Majat kishin fortifikime rreth disa prej qyteteve të tyre dhe përshkrime të shumta të mbretërve luftëtarë, kështu që pikëpamja e Medout është aktualisht në pakicë. Shumica e shoqërive të mëdha, u mbështeten tek qeveritë e centralizuara për të zbatuar sundimin e ligjit. Megjithatë, e vetmja skulpturë indu që mund të mendohet se përshkruan një sundimtar është një bust i vogël meditativ i një njeriu me mjekër dhe me sytë pjesërisht të mbyllur. I quajtur zakonisht një ”prift- mbret”- pasi mban veshur një mantel mbi shpatullën e majtë, ashtu si murgjit budistë dhe priftërinjtë hindu, me një dizajn tërfili që i ngjan veshjes së priftërinjve të Mesopotamisë – identiteti i tij është në fakt krejtësisht i errët.
Gjithësesi, projektet e mëdha inxhinierike në luginën Indu sugjerojnë ekzistencën e një autoriteti udhëzues për të mobilizuar, drejtuar dhe siguruar fuqinë punëtore. Merrni platformat e mëdha prej guri, që përbëjnë bazamentin e qyteteve të ndryshme. Ato janë ndërtuar për të ngritur ndërtesat dhe rrugët mbi nivelin e përmbytjeve vjetore të lumit Indus. Platformat e tjera janë ndërtuar disa herë në krye, për të ngritur më tej nivelin e strukturave individuale.

Në Mohenjo-daro, platforma themelore është 200 metra e gjerë, 400 metra e gjatë dhe 5 metra e gjatë. Studiuesi dhe gërmuesi i njohur në luginë, Gregori Pozel nga Universiteti i Pensilvanisë në SHBA, llogarit se do të jenë dashur mbi 10.000 njerëz për ta ndërtuar atë brenda një viti. Kjo do të kërkonte ndërkohë një lloj autoriteti qëndror për të mobilizuar dhe udhëzuar punëtorët. Sigurisht, More lejoi skllavërinë në Utopinë e tij, kështu që ndoshta kjo është vetëm një paralele më shumë mes botëve imagjinare dhe reale. Rrjetet komerciale të përhapura mbi një zonë të gjerë, janë një tjetër tregues i një autoriteti të centralizuar. Miniera që përmbajnë gurin gjysmë të çmuar lapis lazuli gjendej në afërsi të pikës tregtare të Shortugait në Afganistanin e sotëm, shumë larg Egjiptit.

Padyshim që mallrat transportoheshin përmes lumit Indus dhe degëve të tij, por një pjesë e mirë duhet të kenë udhëtuar edhe nëpërmjet rrugëve tokësore. Rrjete të tilla s’mund të zhvilloheshin dhe funksiononin për 7 shekuj me radhë, pa rrugët kryesore ndërmjet vendbanimeve, me sa duket të mirëmbajtura falë tatimeve që mblidheshin nga qendra, plus një lloj kuadri rregullator për të zbatuar vlefshmërinë e marrëveshjeve tregtare mes vendeve që i ndante një distancë e madhe.

Dhe pastaj janë peshat prej guri. Ato qenë të standardizuara për të bërë tregti në të gjithë luginën dhe qartazi funksionuan mirë:sistemi mbijetoi edhe shumë kohë pasi ky qytetërim u zhduk. Jo vetëm që arriti të garantojë peshat standarde për monedhat më të hershme indiane, të prodhuara në shekullin VII para Krishtit, por ky sistem përdoret ende sot për peshime në sasi të vogla në disa tregje tradicionale të Pakistanit dhe Indisë.

Ngjan e pabesueshme që një shoqëri e tillë e pasur, mund të ketë mbijetuar për shekuj me rradhë, pa rënë viktimë e pushtuesve agresivë apo udhëheqësve të fortë nga brenda- ekuivalentët indianë të Ramsesit të Madh të Egjiptit dhe Hamurabit të Babilonisë. Si qe e mundur kjo? Pjesë e përgjigjes duket se ka qenë pozita fatlume gjeografike. Qytetërimi indian kishte toka të shumta, duke filluar nga fushat prane lumenjve dhe bregdeti, tek kodrat dhe malet.

Ujë i bollshëm rridhte gjatë gjithë vitit poshtë lumit Indus dhe 4 degëve kryesore të tij, ndryshe nga përmbytjet e përvitshme të Nilit në Egjipt. Lëndët e para kanë qenë të shumta, duke përfshirë drurin, gurët gjysmë të çmuar, bakrin dhe metalet e tjera. Dhe kishte dy sezone kultivimi, që rridhnin nga sistemi i saj ciklonik i dimrit dhe musoni i verës, çka garantonte ushqim të bollshëm. Egjipti dhe Mesopotamia nuk qenë aq me fat.

Rënia

Për rrjedhojë, indianët nuk kishin nevoja ekonomike për të pushtuar tokat e huaja, kësisoj as ka për liderë militaristë. Sa për pushtuesit, kush mund të kenë qenë kandidatët e mundshëm? Me perëndimin, marrëdhëniet politike dhe tregtare ishin të mira, duke gjykuar nga zbulimi i vendbanimeve indiane në Mehrgarh dhe Sutkagen-Dor në Baloçistanin fqinj.

E njëjta gjë ndoshta vlen edhe për Afganistanin në veri dhe veri-perëndim, bazuar në modelin e Shortugait. Në lindje, në Rajastan, gjendej vetëm shkretëtira pak e populluar e Tarit dhe vargmali Aravali. Vetëm në jug, në bregun e Detit Arab, banorët indianë mund të jenë përballur me sulme. Ndoshta është që ky është vendi i vetëm ku janë gjetur vendbanime të fortifikuara.

Sa për një sulm të mundshëm nga Mesopotamia e largët, do të kishte pasur shumë pak motivim, duke pasur parasysh vlerën e tregtisë me indutë, plus faktit që udhëheqësit e Mesopotamisë qenë të zënë me betejat e brendshme. Pra, çfarë ndodhi me qytetërimit Indu? Në fund të viteve 1920, një grup prej 14 skeletesh u zbulua në Mohenjo-daro, të kapur me sa duket gjatë arratisë nga qyteti.

Zbulimi çoi në teoritë që emigrantët nga Azia Qendrore kishin sulmuar qytetërimin Indu dhe filluar rënimin e tij:pasi lulëzoi për 7 shekuj me radhë, njerëzit paqësorë pësuan një fund të dhunshëm. Por analizat e mjekësisë ligjore në vitet 1980, zbuluan se këto viktima kishin vdekur nga malaria apo sëmundje të tjera, dhe jo nga ndonjë masakër.
Ndërsa migrimet e mëdha nga Azia Qëndrore ndërmjet viteve 1900- 1500 Para Krishtit, mendohet ende të kenë luajtur një rol në rënien e qytetërimit indian, mund të kenë ndikuar edhe ndryshimet mjedisore. Ndryshimi i klimës – një agjent në rrëzimin e kaq shumë qytetërimeve të tjera – ishte madhor: të dhënat arkeologjike sugjerojnë se musoni u dobësua rreth vitit 2100 Para Krishtit. Dhe ka tregues të qartë se ndryshoi edhe rrjedha e lumit Indus dhe degëve të tij. Një rindërtim i drejtimit kryesor të lumit dhe burimeve historike, sikurse tregon formimi i tokave por dhe fotografitë ajrore të kryera së fundmi, flasin për ndryshime të mëdha në mes viteve 4000- 2000 Para Krishtit. Ndryshimi shkaktoi një kërcënim në rritje nga përmbytjet në Mohenjo-Daro, çka mund të ketë sjellë edhe braktisjen e qytetit.

E gjitha kjo mund të jetë shkaktuar nga aktiviteti tektonik në Himalaja: rajoni është i prirur për tërmete; një vendbanim i dëmtuar indu në Dholavira, daton rreth vitit 2200 Para Krishtit. Ka shumë të ngjarë që rënia e qytetërimit Indu të përfshinte shkaqe mjedisore dhe njerëzore, të cilat vepruan së bashku. Sipas studiuesit kryesor të këtij qytetërimi, Iravatham Mahadevan, ato që e bëri të veçantë qytetërimin indu mund të ketë sjellë fundin e tij.

“Qytetërimi duket se u shemb për shkaqe natyrore dhe ndoshta edhe për shkak të dështimit të ideologjisë që i mbante njerëzit së bashku”-thotë ai. Pozel pajtohet me këtë konstatim. “Tek e fundit ideologjia indu, rezultoi të kishte themele të brishta”- shkruan ai në librin e tij “Qytetërimi Indu:një perspektivë bashkëkohore”. “Në analizë të fundit ideologjia e tyre i bëri indutë ata që ishin, por kjo mund të ketë provuar të ishte gjithashtu edhe shthurja e tyre”.

Sipas mendimit të Pozel, mungesa e konfliktit dhe e militarizmit endemik në këtë qytetërim inkurajoi rritjen e tij origjinale para vitit 2600 Para Krishtit, dhe lulëzimin e tij relativisht të shkurtër, krahasuar me Mesopotaminë, Egjiptin dhe Kinën. Por këto gjithashtu përshpejtuan rënien e qytetërimit pas vitit 1900 Para Krishtit. Barazia dhe pacifizmi indu, edhe pse produktiv për njëfarë kohe, çoi në stanjacion dhe mungesë fleksibiliteti përballë ndryshimeve.

Pa dyshim, ekzistojnë prova të kufizuara për të konfirmuar apo hedhur poshtë hipotezën e Pozelit. Ka mundësi që të mbetemi në errësirë derikur të dëshifrohen shkrimet Indu. Ato duhet të hedhin dritë mbi nëse një shkallë konflikti, në mos një luftë e plotë, është jetike për mbijetesën e një qytetërimi – apo nëse Utopia ka realisht kuptimin e “asnjë vendi”. /New Scientist – Përgatiti: www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button