MAIN

Vala e dytë e Covid-19 dhe “disfata triumfuese” e Spanjës

Kryeministri socialist i Spanjës, Pedro Sánchez, ofronte një kontrast qetësues ndaj budallallëkut të Boris Johnsonit dhe Donald Trumpit gjatë muajve të parë të pandemisë Covid-19. Kur vendosi një izolim të fortë për vendin e tij në mes të muajit mars, ai pranoi se ishin bërë gabime.

Spanjollët ishin të përgatitur për ta falur. Por, ashtu si amerikanët nuk mund ta falin Trumpin që i çoi Shtetet e Bashkuara në një pandemi të dyfishtë, po kështu që një ndjenjë zemërimi po forcohet ndërsa “disfata” triumfuese e koronavirusit nga ana e Spanjës, rrezikon të bëhet thjesht një pushim i shkurtër.

Rastet e reja ditore këtu kanë kapërcyer në trefishin e nivelit të Britanisë dhe tregojnë një rritje të fortë. Në zonat më të goditura, po rikthehen izolimet e pjesshme, teksa kryeministri rajonal i Katalonjës, Quim Torra, ka folur për një “situatë kritike”, duke kërcënuar me masa më të ashpra izolimi brenda disa ditëve. “Nuk dua 7000 të vdekur të tjerë,” tha ai. Përhapja komunitare – ku askush nuk e di se kush po infekton kë – raportohet të jetë kthyer në disa zona.

Udhëtarët që vijnë në Mbretërinë e Bashkuar nga Spanja tani duhet të respektojnë karantinën dy javore, edhe pse qeveria spanjolle këmbëngul se kjo është e gabuar. “Spanja është një vend i sigurt,” tha ministrja e jashtme, Arancha González Laya, duke shtuar se shpërthimet e izoluara ishin të pritshme dhe janë nën kontroll.

Sa i përket numrit të vdekjeve, ajo ka të drejtë. Britania ka 20 herë më shumë viktima nga Covid-19 në një mesatare 7-ditore, por kjo ka gjasa të ndryshojë. Situata përkeqësohet përditë dhe, me rregullin e ri të karantinës në Mbretërinë e Bashkuar, dëmi ekonomik është bërë tashmë.

Kthimi i Spanjës tek liria në qershor pas një prej izolimeve më të ashpra në botë, solli deklarata të gëzueshme se vendi ishte i hapur për turistët. Qëllimi ishte të shpëtonhej sezoni i verës, në një vend ku turizmi zë 12% të PBB-së.

Spanja priti 84 milion vizitorë vitin e kaluar, një në pesë prej tyre nga Mbretëria e Bashkuar. Tani, sezoni mund të konsiderohet i humbur – ndërsa arkipelagët e vetëqeverisur si ishujt Kanarie dhe Balearik (ku normat e infeksionit janë më të ulëta se Britania e Madhe) luten të trajtohen ndryshe. Megjithatë, tani Spanja po hyn në një periudhë pushimesh, kur njerëzit do të shpërndahen nga qytetet dhe do të bëhen bashkë në rezorte e plazhe, para se të kthehen në shtëpi në fund të gushtit. Ekziston mundësia, me fjalë të tjera, që gjërat të përkeqësohen.

Pasi vuajtën një prej niveleve më të larta të vdekjeve në botë nga Covid-19 (rivalizuar vetëm nga Britania e Madhe), spanjollët kanë të drejtë të dinë se çfarë shkoi keq. Të rinjtë janë një valvul shfryrëse e kollajtë, për shkak të jetës së natës në verë dhe një qasjeje të shkujdesur ndaj virusit. Në fakt, koronavirusi po ekspozon edhe një herë problemet më serioze, ato më të rrënjosura.

Spanja është e ndarë në 17 rajone autonome kryesisht të vetëqeverisura, secili prej të cilëve administron shëndetësinë, arsimin dhe shërbime të tjera kryesore. Cilësia ndryshon dhe ato jo gjithmonë ndajnë të dhëna ose raportojnë raste, në të njëjtën mënyrë. Megjithatë, ata janë përgjegjës për ndjekjen dhe gjurmimin.

González Laya pretendon se sistemi po funksionon, por provat anekdotike flasin për dështime. Një javë më parë, kur gazeta El País hetoi, rajone të tilla si Madridi dhe Katalonja kishin vetëm një “hetues” të Covid-19 për 30,000 banorë – gjashtë herë më pak se Gjermania. Që nga ajo kohë, Katalonja e ka dyfishuar numrin.

Qeveria e Katalonjës fajësoi Sánchezin për shpërthimin e Marsit, por tani mund të jetë një nga të parat që ka humbur kontrollin. Qyteti me popullsi shumë të dendur L’Hospitalet është kthyer në izolim “vullnetar”. Zaragoza, kryeqyteti i Aragonit fqinj, gjithashtu ka vendosur kufizime.

Ndërkohë, punëtorët migrantë që mbledhin fruta dhe perime spanjolle, jetojnë në kushte me dyndje njerëzish, të cilat janë injoruar prej kohësh. Këto kushte janë një terren perfekt për Covid-19.

Duke qenë se shumë prej këtyre punëtorëve janë të rinj dhe të shëndetshëm, ata janë shpesh asimptomatikë; ata ndjekin të korrat nga frutat e buta në Aragon dhe Katalonjë, deri tek qitrot në Valencia dhe ullinjtë në Andaluzi. Kjo forcë punëtore është kritike për ekonominë rurale të Spanjës. Por, askush nuk e pa të vinte këtë valë.

Eshtë një lehtësim që forcat e armatosura të Spanjës tani po trajnohen për të testuar dhe gjurmuar. Gjatë valës së parë, Njësia e Emergjencave Ushtarake hyri kur pandemia pushtoi azilet. Personeli i saj pastroi, dezinfektoi, mësoi stafin se si të përgjigjeshin dhe largoi të vdekurit.

Qeveria do t’u ofrojë gjurmues ushtarakë autoriteteve rajonale. Disa mund ta konsiderojnë këtë si një fyerje për krenarinë lokale, megjithëse dikush shpreson se shpëtimi i jetëve, dhe ekonomia, do të lënë mënjanë politikën e vogëlsirave. Nëse kjo nuk do të ndodhë, Spanja rrezikon një rikthim tek gjendja e jashtëzakonshme në vjeshtë, ku qeveria qendrore do të marrë edhe një herë kontrollin.

Spanjollët treguan disiplinë, solidaritet dhe dhembshuri herën e parë. Herën tjetër, do të jenë më pak të duruar. / Giles Tremlett është korrespondent i The Guardian në Spanjë. Ai është autor i “Fantazmat e Spanjës” dhe biografive të Katerinës së Aragonit dhe Izabelës së kastijës

The Guardian – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button