Histori

VALKIRIE / A duhet të jemi të kënaqur, që dështoi komploti i 20 korrikut 1944, për të vrarë Hitlerin?

Më 20 korrik 1944, nënkoloneli Klaus von Shtaufenberg, vendosi një bombë në një takim në Strofullën e Ujkut, selinë ushtarake të Hitlerit, në një territor që sot i përket Polonisë. Qëllimi i tij ishte të vriste udhëheqësin gjerman. Një oficer karriere në ushtri, Shtaufenberg kishte parë luftime në shumë fushata të mëdha, dhe u trondit nga raportet mbi mizoritë e ushtrisë naziste.

Ai vendosi që Hitleri duhej të vdiste, por s’mund të vepronte vetëm. Ai ishte vetëm një nga lojtarët në një komplot të gjerë të zyrtarëve të nivelit të lartë, që ishin gjithnjë e më të zhgënjyer me Hitlerin dhe drejtimin e luftës prej tij. Pasi ai të vdiste, ata do të nisin Operacionin Valkirie – një grusht shteti që do të merrte kontrollin e qeverisë gjermane, dhe do të synonte t’i jepte fund luftës.

Shtaufenberg e fshehu bombën në një çantë dhe e vendosi me kujdes në dysheme shumë pranë Fyhrerit, derisa u largua nga dhoma për të kryer një telefonatë të paracaktuar. Bomba shpërtheu duke vrarë katër persona. Hitleri u plagos, por mbijetoi, me sa duket pasi valixhja ishte zhvendosur në momentet e fundit. Komploti u zbulua, dhe grushti i shtetit nuk arriti të vihej në zbatim.

Shtaufenberg u ekzekutua që atë natë. Mijëra njerëz që mendohej se ishin përfshirë në komplot, u arrestuan, dhe gati 5000 prej tyre u ekzekutuan më vdekje. Historianët Roger Moorhouse dhe Nigel Jones, debatojnë nëse vrasja e Hitlerit në atë moment, mund të shënonte një pikë kthese në Luftën e Dytë Botërore

 

Hitleri mbijetoi për t’i shkaktuar botës shumë më tepër dhimbje, edhe për 10 muaj të tjerë. Por a do të ishte edhe më katastrofike vdekja e tij në korrik 1944?

 

Roger Moorhouse: Është ndoshta shumë e tepërt të sugjerohet, se duhet të jemi “të lumtur” që dështoi Komploti i Korrikut. Por unë them se duhet ta pranojmë, se për të mirën më të madhe politike, përpjekja e guximshme e Shtaufenbergut për të vrarë Hitlerin në korrik 1944, duhej të dështonte.

S’ka dyshim që Shtaufenbergu ishte një njeri i guximshëm, dhe nazizmi ishte një sistem tërësisht i urryer politik, i cili meriton të meritonte çdo fyerje. Por problemi për Staufenberg, ishte se nazizmi ishte gjithashtu një fe politike brutale dhe efektive, e cila kishte arritur të joshte dhe kontrollonte një gjeneratë gjermane.

Një pjesë e rëndësishme e kësaj joshjeje – dhe e mitit themelues nazist – ishte “thika pas shpine”:ideja se Gjermania ishte tradhtuar në fund të Luftës së Parë Botërore, nga një komplot i fshehtë i hebrenjve dhe socialistëve, i cili kishte sjellë rënien e regjimit të Kajzerit Vilhelmi II.

Ndaj çfarëdo shansi që mund të kishte Shtaufenbergu në aksionin e tij, fakt është se sulmi ndaj kancelarit gjerman, do të interpretohej nga populli gjerman si një tjetër “thikë pas shpine”, dhe si një provë se forcat e errëta, po synonin sërish të shkatërronin Gjermaninë.

Hitleri do të shihej si një martir; dhe nazistët si shpëtimtarët e rinj. Rezultati do të ishte një forcim i sundimit. E vërteta e pakëndshme, është se ai duhej të kryente deri në fund rrugëtimin e tij të përgjakshëm; ai duhej të shihej të dështonte – tërësisht, plotësisht dhe katastrofikisht. Pavarësisht heroizmit, komploti i Shtaufenbergut rrezikoi parandalimin e gjithë kësaj. Pra, ndërsa duartrokasim aktin, ne gjithashtu duhet të duartrokasim edhe dështimin e komplotit.

 

Nigel Jones:Megjithëse kam një lloj simpatie ndaj kësaj ideje, ajo nuk mbështetet nga shifrat. Një numër i madh i vdekjeve në Europë gjatë Luftës së Dytë Botërore, u shkaktua mes dështimit të komplotit në korrikun e 1944-ës, dhe kapitullimit të Gjermanisë në majin e vitit 1945.

Këto viktima, përfshinin aleatët perëndimorë të vrarë në çlirimin e Francës, Beneluksit dhe Gjermanisë; sovjetikët dhe gjermanët e vdekur në frontin lindor; vdekjet e civilëve nga bombardimet në Gjermani, dhe të vrarët në Britani nga sulmet me raketat gjermane V.

Mbi të gjitha, ndoshta shumica e 6 milionëve hebrenjve të vrarë në Holokaust, vdiqën në muajt e fundit të luftës.

Të gjitha këto vdekje do të ishin parandaluar, nëse bomba e Stauffenbergut do ta vriste Hitlerin dhe operacioni i tij Valkirie do t’i jepte fund regjimit nazist. Për më tepër, dështimi i komplotit, pati pothuajse pati një efekt katastrofik në historinë e Europës së pasluftës. Ai i mundësoi Ushtrisë së Kuqe të impononte komunizmin stalinist në të gjithë Europën Lindore, një tirani që e ndau kontinentin, dhe që përfundoi vetëm në vitin 1989.

Varfëria që rezultoi në ato vende që vuajtën për aq gjatë nën sundimin totalitar, vazhdon të ketë ende efekte negative në kontinent. Sikur komploti të kishte pasur sukses, dhe një regjim politik i ndryshëm të zëvendësonte sundimin kriminal nazist, atëherë Gjermania do të kishte mbetur e bashkuar, Muri i Berlinit s’do të ishte ndërtuar kurrë, dhe lulja e kombit gjerman nuk do të ishte vrarë nga nazistët në shenjë hakmarrje për komplotin, por do të kishte mbijetuar për të ndërtuar një Europë më të mirë.

Roger Moorhouse:Ky është një triumf i emocioneve mbi realitetin. Në fakt, ishte jashtëzakonisht e pamundur, edhe sikur Shtaufenbergu të kishte pasur sukses, që lufta të përfundonte në verën e vitit 1944. Kishte shumë pengesa për rikthimin e shpejtë të paqes, jo më pak edhe për shkak të forcave të vendosura të rezistencës naziste.

Një faktor tjetër i ndërlikuar, ishte qëndrimi çuditërisht jorealist i disa bashkë-komplotuesve të Shtaufenbergut. Për shembull, Karl Gerdeler, i cili u caktua të merrte rolin e kancelarit, parashikoi një Gjermani të pasluftës, që do të mbante edhe Austrinë dhe Sudetet.

Me njerëz të tillë, komplotistët e Shtaufenbergut do ta kishin shumë të vështirë të negocionin paqen. Përveç kësaj, sovjetikimi i Europës vështirë se do të ndalej, nga një dorëzimi i Gjermanisë në verën e vitit 1944. Asgjë nuk do ta ndalte Ushtrinë e Kuqe të Stalinit, të përparonte pa vështirësi nëpërmjet Gjermanisë dhe Francës, ku do të kishte takuar forcat ende të krahasueshme në fuqi të britanikëve dhe amerikanëve.

 

Nigel Jones:Natyrisht, është e pamundur të dimë me siguri se çfarë do të kishte ndodhur në Gjermani dhe Europë, nëse Shtaufenbergu do t’ia kishte dalë mbanë, ne vetëm mund të spekullojmë. Sidoqoftë, e dimë me siguri se çfarë ndodhi në vitin e fundit të tmerrshëm të luftës: miliona vdekje dhe zhvendosje të panevojshme, shkatërrim i pjesës më të madhe të Europës

dhe imponimi i detyruar i një tiranie totalitare – komunizmit – mbi gjysmën e kontinentit.

Është më se e mundshme që këto të këqija të ishin zbutur, në mos të ishin penguar tërësisht, nëse Hitleri do të kishte gjetur vdekjen atë ditë. Regjimi nazist identifikohej me Fyrherin, ndaj eliminimi i tij do të kishte një efekt përfundimtar katastrofik mbi moralin kombëtar të Gjermanisë, dhe do të çonte në një dorëzim të shpejtë të forcave gjermane që luftonin në Francë, të cilat tashmë ishin shkatërruar gjithsesi

 

Roger Moorhouse:Komploti i Shtaufenbergut, kishte plotë të meta, dhe ishte i dënuar të dëshonte. Vrasja e Hitlerit nuk ishte e mjaftueshme. Duhej një grusht shteti për të rrëzuar qeverinë. Kjo do të thoshte që vetë Shtaufenberg – bashkëpunëtorët e të cilit, pavarësisht guximit të tyre moral, ishin shumë të lëkundur dhe të pavendosur – duhej të ndodhej në dy vende në të njëjtën kohë; në Rastenburg për të vrarë Hitlerin, dhe më pas në Berlin për të udhëhequr grushtin e shtetit.

Në rast, ai nuk arriti të bëjë asnjërën, dhe komploti dështoi. Megjithatë, unë mendoj se nëse do të kishte vrarë Hitlerin, qeveria naziste do të kishte qenë shumë e vështirë për t’u rrëzuar, pikërisht për shkak se komplotistët e grushtit të shtetit, ishin paksa më pak të vendosur sesa duhej të ishin. / “History Extra” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button