Psikologji

Vlera e pendesës…

Të gjithë gabojmë dhe të gjithë i mendojmë gjërat që në momentin e parë të lirë që na shfaqet. Ndodh që edhe të pendohemi dhe t’u kërkojmë falje personave, të cilët i kemi lënduar (në rast se kemi të bëjmë me besimtarë praktikantë, kërkohet falje edhe në Zoti). Deri këtu duket gjithçka në rregull, pasi jemi qenie njerëzore. Të gjithë do të gabojmë, ama e rëndësishme është të pendohemi dhe të na falin duke iu rikthyer një jetese më të qetë e të lumtur.

Nëse do të bazoheshim vetëm në besimet fetare, të gjitha ato bien në të njëjtin mendim. Pendimi i thellë të siguron faljen nga Zoti. Pra, nëse ke bërë një gabim sado të rëndë dhe pendohesh me gjithë zemër për të, atëherë ti mund t’i rikthehesh një jetese si më parë.

Një gjë e tillë nuk është kaq e lehtë, nëse i referohemi vetë shoqërisë sonë apo natyrës sonë njerëzore. Në momentin që dikush na lëndon, ne mund ta falim, por e kemi të vështirë ta harrojmë se çfarë na ka bërë. Mbaj mend një thënie të Remark, e cila është thotë afërsisht: “Pendimi është gjëja më e pavlerë në botë, sepse asgjë nuk mund të kthehet ashtu siç ishte më parë”. Është njësoj si qelqi që thyhet dhe sado të përpiqesh ta ngjisësh, nuk mund të arrish ta çosh atë në mënyrën se si ishte më parë.

Ne mund ta falim një person të penduar për faktin se nuk duam ta mundojmë atë më tepër. Falja nënkupton qetësinë shpirtërore të dikujt, por nuk mund të harrojmë mënyrën se si na ka bërë ai person të ndihemi me gabimin apo gabimet e tij. Mendja jonë gjithmonë përpiqet të kujtojë gjërat negative dhe gjithmonë do të na çojë në atë situatë, kur jemi ndjerë keq dhe kështu pendimi sjell qetësinë e atij që gabon, ama marrëdhëniet vështirë se mund të kthehen siç kanë qenë më parë. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button