Magazine

Vullneti i lirë është një iluzion, liria jo

Çing-Hung Vu thotë se liria është e përputhshme me zgjedhjet e përcaktuara

Screen Shot 2016-03-08 at 07.47.55

Ne shpesh mendojmë se qartazi një person që përballet me alternativa të shumta, mund të zgjedhë ndonjërën prej tyre, dhe se rezultati vendoset me vullnetin e lirë në momentin e vendimit, në vend se të përcaktohet paraprakisht nga disa shkaqe. Të gjitha ngjarjet në botë, megjithatë, i binden ligjit të fizikës, duke përfshirë edhe ato që ndodhin brenda trurit tonë.

Nëse të gjitha ngjarjet në tru ndahen në bazë të fizikës klasike, atëherë vullneti i lirë në kuptimin e mësipërm nuk ekziston.

Kjo për shkak se fizika klasike është deterministe:gjendja e botës në çdo moment, është pasojë e pashmangshme e gjendjes së saj në një moment më të hershëm. Rrjedhimisht alternativat janë të disponueshme vetëm për vendimmarrësit, ndërsa në fakt vetëm një alternativë është e destinuar të jetë e përzgjedhura. Në fizikën kuantike, e ashtuquajtura amplitudë e probabilitetit, evoluon sipas ligjeve deterministe, por transformimi nga shumë rezultate të mundshme tek një rezultat aktual ndodh thjesht si pasojë e rastësisë.

Shpërndarja statistikore për ngjarje të tilla të rastësishme ndjek rregulla të rrepta, por rezultati i një ngjarjeje të veçantë është i paparashikueshëm e s’mund të kontrollohet nga vullneti ynë.

Prandaj çdo vendim nuk është as edhe një rezultat i parashikueshëm i shkaqeve të mëparshme (të cilat mund të përfshijnë ngjarje rastësore kuantike) dhe as i lirë nga determinizmi, ose është në vetvete një ngjarje kuantike rastësore e cila nuk është dëshiruar.

Sido që të jetë, vullneti i lirë që ne zakonisht e marrim si të mirëqenë, zakonisht mungon. Pra, cila është liria për të zgjedhur që ne ia ushqejmë shpeshherë vetes, dhe të cilën politikanët dëshirojnë ta përmendin në çdo rast?

Zgjedhja nën determinizmin

Për t’u përqëndruar tek çështjet thelbësore, le të lëmë mënjanë ngjarjet rastësore, pasi siç e kemi parë, rastësia kuantike nuk i shpëton vullnetit të lirë. Në këtë kontekst të thjeshtëzuar, le të përpiqemi të shohim nëse ndjenja jonë subjektive e lirisë, mund të pajtohet me determinizmin fizik. Një gjë që ne s’mund të mos e vëmë re, është fakti se kemi përvojën e bërit zgjedhje.

Në fakt, çdo zgjedhje përbëhet nga dy faza. Në një fazë ne konceptojmë alternativën, dhe në fazën e dytë jemi të vetëdijshëm se kemi zgjedhur njërën prej tyre. Shpesh alternativa e zgjedhur është ajo, pasojat e të cilës ne preferojmë mbi pasojat e alternativave të saj, por krahasimi i pasojave nuk bëhet gjithmonë me vetëdije të plotë.

Për më tepër, si predispozicionet gjenetike ashtu edhe përvojat e kaluara, luajnë një rol në formimin e preferencave të një individi, prandaj dhe faktorët dëshirorë që çojnë në bërjen e një zgjedhje janë komplekse. Përfundimi është se edhe pse ne bëjmë një zgjedhje nga përvoja- kalimi nga faza e parë në të dytën – kjo nuk nënkupton mungesën e përcaktimit të faktorëve dëshirorë.

Ne gjithashtu kemi përshtypjen se mund të kishim zgjedhur ndryshe. Por pasi zgjedhja është bërë, çfarë kuptimi ka për këtë ide? Pra, ndonëse një vendim-marrës përballet me të njëjtat të alternativa, prapë mund të bëjë një përzgjedhje të ndryshme herën e dytë, dhe kjo për shkak se situata e përgjithshme, duke përfshirë gjendjen e trurit dhe mendjes, ka ndryshuar.

Por sërish, kjo zgjedhje është rezultat i shkaqeve të mëparshme. Prandaj ekzistenca e vullnetit të lirë, në kuptimin e një force autonome në momentin e vendimit të pakufizuar nga shkaqet e shkuara, nuk është e nevojshme të shpjegojë përvojën tonë aktuale të zgjedhjes. Përvoja jonë e bërjes së një zgjedhje, është krejtësisht në përputhje me determinizmin në rast se ne pranojmë që kalimi nga faza e parë  në të dytën – që rrjedh nga mundësitë e shumta ndaj asaj që është zgjedhur – është si çdo lloj ngjarje tjetër në botë, rezultat i shkaqeve të mëparshme.

Pasi zgjedhja kuptohet si duhet në këtë mënyrë – duke qenë shkakësore dhe fizikisht e determinuar – ne mund të vazhdojmë të marrim në konsideratë idenë e zgjedhjes së lirë në mënyrë më të gjerë.

Nëse dikush mban një armë në kokën time dhe më kërkon portofolin, dhe unë zgjedh t’i bindem atij, në vend se të përpiqem të përleshem me të, kjo është një “zgjedhje e detyruar”. Në kontrast me këtë, ne mund të themi se një zgjedhje e lirë është ajo që nuk është e imponuar. Në fund të fundit, liria në këtë kuptim varet nga mungesa e konfliktit midis natyrës së atij që bën zgjedhjen, karakterit, ose dëshirës thelbësore dhe pasojave të synuara të veprimeve të tyre. Qëkur ne s’jemi kundër pranimit se natyra jonë është rezultat i predispozitave tona gjenetike dhe rrethanat tona të shkuara, ky koncept i lirisë mund të jetë gati të bashkëjetojë me funksionimin e fshehur të determinizmit fizik, por edhe me botëkuptimin më të plotë shkencor, ku determinizmi fizik plotësohet me rastësinë kuantike.

Përputhshmëria dhe përgjegjësia morale

Megjithatë, si mund të jem përgjegjës për pasojat e zgjedhjeve të tilla të lira, kur zinxhirët e ngjarjeve që i shkaktojnë ato ishin të përcaktuara jashtë vetes time, duke filluar nga shumë kohë më parë? Përgjigja është e thënë tërthorazi në fjalën ‘përgjegjës’. Për shembull, kryetari i një kombi mund të marrë përgjegjësinë për menaxhimin e keq të operacioneve humanitare të administratës së tij, pas një fatkeqësie natyrore, edhe pse ai nuk ishte i përfshirë personalisht në ndonjë nga hallkat drejtuese të operacionit.

Në mënyrë analoge, edhe pse shumë aspekte të qenies sime më tërheqin në drejtime të ndryshme dhe diskutojnë me njëri-tjetrin gjatë marrjes së një vendimi të vështirë, ka një qendër relativisht të qëndrueshme që unë e identifikoj si veten time, dhe kjo njohje do të thotë se unë mund të marr vetë përgjegjësinë për çdo vendim që është marrë nga unë, edhe nëpërmjet ose pas konkurrencës së gjithë këtyre faktorëve.

Kjo është një përfitim i përshtatshëm, në kushtet kur gjurmimi i detajuar i gjithë faktorëve përgjegjës, është praktikisht e pamundur. Natyra e vetvetes është padyshim komplekse. Disa njerëz kanë një kuptim të ngushtë, dhe disa një ndjenjë të shtrirë të vetë përgjegjësisë, dhe madje edhe vetë-perceptimi i njëjtit person mund të ndryshojë me kalimin e kohës.

Ose për shembull, një narkoman i kapur në një krim mund të pretendojë se “Ishte zakoni im që e kreu atë!”. Duke thënë kështu, ai e trajton zakonin e tij jo si pjesë të vetes. Megjithatë, duke medituar mbi përgjegjësinë e tij, juria duhet të marrë në konsideratë nëse zakoni i tij është formuar mbi apo në mungesë të njohurive të tij (kjo nganjëherë mund të jetë si rezultat i marrjes së ilaçeve që i ka dhënë mjeku i tij).

Me fjalë të tjera, juria duhet të caktojë përgjegjësinë për krimin, jo vetëm në bazë të asaj nëse akti i fundit kriminal qe në vetvete një zgjedhje plotësisht e paimponuar, por edhe nëse disa prej akteve të shkuara të vullnetit të lirë të të akuzuarit, kontribuojnë tek ai duke i shkaktuar një gjendje që e nxiti të kryente krimin në fjalë. Në kontrast me këtë të droguar, disa njerëz të gjenin hapësira lirie –për zgjedhjet në përputhje me natyrën e tyre – madje edhe kur ata  ndodhen nën një imponim të fortë.

Kur Henri Dejvid Toro u burgos pasi refuzoi taksat, ai ndjeu se qe ende i lirë, sepse mendja e tij mund të shkonte kudo, dhe sikurse vërejti në mënyrë të thatë, mendja e tij përbënte “gjithçka që ishte e rrezikshme”. Edhe Zhan Pol Sartri pretendoi se francezët nuk qenë më të lirë se sa kur Franca ndodhej nën pushtimin nazist. Si ka mundësi?

E pra, pushtimi krijoi mundësinë e kundërshtimit, dhe nëse do të rrezikonim sfidën apo jo kjo nuk është një zgjedhje e rëndësishme; kështu që francezët qenë më të lire, në kuptimin e zotërimit të një menyje të pasur të zgjedhjeve të rëndësishme. Megjithatë, dhoma e lojës që lejohet nën shtrëngim, nuk është gjithmonë mjaftueshëm e madhe për një zgjidhje që do të quhet e ‘lirë’ në mënyrë kuptimplotë.

Zgjedhja  e Sofisë, në romanin më të njëjtin titull të Uilliam Stajron, ishte të sakrifikonte një nga fëmijët e saj apo të tjerët në dhomën e gazit. Njerëz të arsyeshëm, do t’i konsideronin alternativat e ofruara ndaj saj nga mjeku nazist si zgjidhje joreale, dhe e çliruar Sofinë nga çdo përgjegjësi për vdekjen e fëmijës së pazgjedhur.

Miratimi i mungesës së detyrimit, në vend të mungesës së determinizmit si thelbin e lirisë, na nxjerr jashtë një konflikti me botëkuptimin e përhapur shkencor. Megjithatë, ky nocion kap ende rëndësinë e lirisë – si një kusht që i mundëson një personi të jetë i vërtetë me veten e tij, dhe gjithashtu si një kriter për të gjykuar nëse është e drejtë për ta mbajtur një person përgjegjës për veprimet e tij.

I ndjeri Çing-Hung Vu ka qenë për shumë vite profesor i fizikës në Universitetin e Merilendit

PhilosophyNow – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button