Analiza

Zgjedhja sociale dhe mirëqenia sociale

Amartya Sen

Shtrirja dhe rëndësia e teorisë së zgjedhjes sociale është shumë e madhe. Në vend të dëmtonte rendjen drejt arsyetimit social, teorema shumë sfiduese e pamundësisë e Arroët, si dhe vëllimet e shumtë që ajo frymëzoi, ka forcuar së tepërmi aftësinë tonë për të menduar në mënyrë racionale për vendim-marrjet kolektive, nga e cilat varen mbijetesa dhe lumturia jonë

senQeniet njerëzore kanë jetuar gjithmonë në grupe, dhe jetët e tyre individuale, në mënyra të ndryshme, janë varur prej vendimeve të marrë në grup. Por sfidat e zgjedhjeve në grup mund të jenë të vështira, sidomos po të kemi parasysh interesat dhe shqetësimet e ndryshëm të pjesëtarëve të grupeve. Atëherë, si duhet bërë vendim-marrja?
Një diktator që dëshiron të kontrollojë çdo aspekt të jetës së njerëzve përpiqet të injorojë preferencat e gjithë të tjerëve. Por ai nivel pushteti është i vështirë të arrihet. Më e rëndësishmja, diktatura e çfarëdolloji mund të shihet kollaj si një mënyrë e tmerrshme për të qeverisur një shoqëri.
Kështu që, për arsye si etike, edhe praktike, studiuesit e shkencave sociale kanë investiguar prej kohësh, se si shqetësimet e pjesëtarëve të shoqërisë mund të reflektohen në një mënyrë apo një tjetër në vendimet e saj kolektivë, edhe nëse shoqëria nuk është plotësisht demokratike. Për shembull, në shekullin IV para Krishtit, Aristoteli në Greqi dhe Kautilia në Indi eksploruan mundësitë e zgjedhjeve sociale në librat e tyre, respektivisht, “Politika” dhe “Ekonomia” (titulli në sanskrinisht i librit të Kautilias, “Arthashastra” përkthehet fjalë për fjalë “Disiplina e mirëqenies materiale”).
Studimi i zgjedhjes sociale si një disiplinë formale u shfaq fillimisht në mënyrë të plotë në shekullin 18, kur kjo temë u përzgjodh nga matematicienë francezë, sidomos J. C. Borda dhe Marquis de Condorcet. Klima intelektuale e kohës ndikohej shumë prej Iluminimit Europian, me interesin në ndërtimin e arsyeshëm të një rendi social, si dhe përkushtimin për krijimin e një shoqërire që u përgjigjet interesave të njerëzve.
Por investigimet teorikë të Bordas, Codorcetit dhe të tjerëve shpesh herë kishin rezultate pesimistë. Për shembull, i ashtuquajturi “paradoks i votimit” i paraqitur nga Codorcet tregonte se sundimi i shumicës mund të çojë drejt një rruge pa krye, kur çdo alternativë rrëzohet në votim prej një tjetër alternative, e kështu asnjë alternativë nuk është në gjendje t’i qëndrojë sfidave të gjithë alternativave të tjera.
Teoria e zgjedhjes sociale në formën e saj moderne dhe sistematike i detyrohet për themelet e fortë që ka, punës së Kenneth J. Arrow dhe dizertacinit të tij në vitin 1950 në Universitetin e Columbias. Teza e Arrowt përmbante të famshmen “teoremë të pamundësisë”, një rezultat analitik me një elegancë dhe shtrirje vërtetë mbresëlënëse.
Teorema e Arrowt tregon se edhe kushtet më të lehtë të arsyeshmërisë, për mbërritjen tek vendimet socialë të bazuar tek renditjet e thjeshta të preferencave të individëve të një shoqërie, nuk mund të plotësohen në mënyrë të njëkohshme, nga asnjë procedurë. Kur libri i bazuar mbi dizertacionin e tij, “Zgjedhja Sociale dhe Vlerat Individuale” u botua në vitin 1951, ai u shndërrua menjëherë në një klasik.
Ekonomistët, politologët, filozofët moralë dhe politikë, sociologët e madje edhe publiku i gjerë, vërejti menjëherë atë që dukej – dhe në fakt ishte – një rezultat shkatërrues. Dy shekuj pasi vizionet e racionalitetit social kishin lulëzuar në mendimin Iluminimist, projekti krejt papritur dukej i destinuar të merrte fund.
Eshtë e rëndësishme të kuptojmë përse dhe si u mbërrit tek rezultati i pamundësisë i Arrowt. Një këqyrje e kujdesshme e arsyetimit formal mbi të cilin bazohet teorema tregon se mbështetja tek renditja e preferencave të individëve e bën të vështirë dallimin mes problemeve të zgjedhjes sociale, që janë shumë të ndryshëm mes tyre. Përdorshmëria e informacionit të disponueshëm zvogëlohet edhe më tej prej kombinimit të efekteve të parimeve në dukje të padëmshëm, që janë shumë popullorë në debatet joformalë.
Eshtë thelbësore, sidomos kur bëjmë gjykime mbi mirëqenien sociale, që të krahasojmë përfitimet dhe humbjet e individëve të ndryshëm dhe të mbajmë shënim kamjen e tyre relative, e cila nuk mund të deduktohet menjëherë vetëm përmes renditjes që njerëzit u bëjnë alternativave sociale. Eshtë gjithashtu e rëndësishme të ekzaminojmë se cilët lloje grupesh të renditjeve të preferencave janë problematike, për procedura të ndryshme votimi.
Megjithëkëtë, teorema e pamundësisë e Arrowt luajti një rol shumë të madh konstruktiv në investigimin e asaj që demokracia kërkon, e që shkon shumë përtej numërimit të votave (sado i rëndësishëm të jetë ky). Pasurimi i bazës informative të demokracisë dhe përdorimi më i madh i arsyetimit ndëraktiv të publikut mund të kontribuojë në mënyrë domethënëse për ta bërë demokracinë më funksionale, si dhe për të lejuar vlerësime të arsyeshëm të mirëqenies sociale.
Teoria e zgjedhjes sociale është bërë tashmë një disiplinë e gjerë, që mbulon një shumëllojshmëri pyetjesh. Në cilat rrethana, sundimi i shumicës do të prodhonte vendime të qartë dhe të pajtueshëm? Sa të forta janë procedurat e ndryshme të votimit për përftimin e rezultateve bindës? Si mund të gjykojmë ne se si po ecën një shoqëri, në dritën e interesave të pangjashëm të anëtarëve të saj?
Po kështu, si mund të respektojmë të drejtat dhe liritë e individëve, ndërkohë që pranojmë në mënyrën e duhur preferencat e tyre të përgjithshme? Si e masim varfërinë agregate, duke patur parasysh telashet dhe mjerimin në nivele të ndryshëm të njerëzve që përbëjnë shoqërinë? Si mund të mbërrijmë në vlerësime socialë të të mirave publike, si mjedisi natyror?
Përtej këtyre pyetjeve, një teori e drejtësisë mund të përftiojë shumë prej studimeve dhe rezultateve analitikë që burojnë prej teorisë së zgjedhjes sociale. Po kështu, përfundimet e nxjerrë nga studimi i vendimeve në grup prej teoricienëve të zgjedhjes sociale ka ndihmuar edhe në studime që nuk janë drejtpërdrejtë pjesë e teorisë së zgjedhjes sociale – për shembull, për format dhe pasojat e pabarazisë gjinore, apo shkakun dhe parandalimin e krizave të urisë.
Shtrirja dhe rëndësia e teorisë së zgjedhjes sociale është shumë e madhe. Në vend të dëmtonte rendjen drejt arsyetimit social, teorema shumë sfiduese e pamundësisë e Arrowt, si dhe vëllimet e shumtë që ajo frymëzoi, ka forcuar së tepërmi aftësinë tonë për të menduar në mënyrë racionale për vendim-marrjet kolektive, nga të cilat varen mbijetesa dhe lumturia jonë.
Amartya Sen është Ekonomist, fitues i Cmimit Nobel
Copyright: Project Syndicate/Institute for Human Sciences, 2014.
www.project-syndicate.org
SHQIPEROI: E. Gjinaj/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button