Analiza

ZVICER Flamujt e izolimit

swiss-referendum-2Dje në Zvicër, nesër në Itali dhe në Europë? Vota popullore më të cilën shteti alpin miratoi idenë e frenimit të imigrimit dhe privilegjimin e krahut vendës të punës është një sinjal alarmi për të gjithë europianët. Ka gjasa që, nëse konsultime të ngjashëm të zhvillohen në vendet e BE, rezultati do të ishte i ngjashëm, në mos edhe më dramatik (pothuajse gjysma e helvetëve, gjithësesi janë shprehur kundër). Reagimet në Bruksel dhe në kancelaritë kryesore europianë nuk arrijnë të fshehin shqetësimin për një rezultat që vë në rrezik marrëdhëniet euro-zvicerane.
Por, mbi të gjitha krijon një të carë në të cilën do të futen formacionet ksenofobë dhe proteksionistë në Francë e në GJermani, në Britaninë e Madhe e në Itali.
Që në zgjedhjet e afërta në Parlamentin Europian mund të gjendemi përballë triumfit të këtyre formacioneve, me pasoja të paparashikueshme mbi legjitimimin e institucioneve komunitare. Nuk është aspak e jashtëzakonshme në këto kohëra rënieje dhe pasigurie. Por, një arsye më shumë për t’u përpjekur e deshifruar mesazhin zviceran. Prej të cilit duhet të mbajmë parasysh tre vecanti, që na përkasin të gjithëve.
E para: Ka qenë një votë kundër establishmentit. Qeveria, sipërmarrësit, sindikatat dhe rryma qendrore politiko-mediatike i kishin bërë thirrje popullit sovran që të hidhte poshtë nismën e të djathtës radikale, që në mënyrë krejt të papërshtatshme është vetëquajtur Unioni Demokratik i Qendrës. Por elitat ishin vënë në lëvizje pa u kompromentuar shumë, duke nuhatur atmosferën negative. Argumenti shumë racional sipas të cilit krahu i punës i të huajve është i domosdoshëm për mirëqenien dhe zhvillimin e Konfederatës nuk zuri shumë vend në thellësitë e Zvicrës. Këtu mbizotëroi frika e “pushtimit’ të huaj që do të kërcënonte rrënjët e bashkëjetesës në një komb të vogël por krenar, multikulturor dhe plurietnik, edhe një herë i ndarë përgjatë Roestigraben-it, vija e ndarjes mes Zvicrës frankofone dhe gjermanofone (por edhe italofone), përvec se mes qyteteve dhe fshatrave. Një problem zakonesh dhe kriminaliteti transnacional, por edhe dumpingu social: imigrantët me kualifikime profesionalë modestë pranojnë paga më të ulëta se sa ato standarte, duke tronditur kështu tregun e punës vendas.
E dyta: Kur referendumet bëhen jo për të vendosur për një cështje specifike – qoftë zgjedhja mes republikës dhe monarkisë, qoftë, për shembull, ndërtimi i një parkimi publik – por për të shfrytëzuar një ndjesi popullore, efektet janë të paparashikueshëm.Dhe lehtësisht të manipulueshëm. Nxitësit e referendumit “kundër imigrimit në masë” janë ruajtur të mos përcaktojnë kuotat e përvitshme të pranimit të të huajve, përfshirë edhe kërkuesve të azilit politik. Qeveria duhet t’i fiksojë brenda tre vitesh. Pra, zviceranët nuk mund të dijnë pasojat e votës së tyre. Ato do të përcaktohen pas një debati të brendshëm aspak të qetë, ndërkohë që diplomacia e Bernës do të përpiqet të “shërojë” carjen me Bashkimin Europian dhe vendet anëtarë të tij. Mund të ketë edhe kthim në vendosjen e pikave të kontrollit në kufijtë mes Zvicrës dhe fqinjëve të saj. Ndërkohë, klima e ekonomisë vendase – përfshirë investimet e huaj – do të jetë padyshim e vrenjtur pikërisht për shkak të këtyre masave të forta mbi imigrimin.
E treta: Fitorja shumë e thellë e “Po”-së në Ticino (68.2%) është një treguese e italofobisë së rritur përtej Kiasos në këta vite krize. Mbi të gjitha, prej efektit të “kufitarëve”: në kantonin itaolofon punëtorët që kalojnë e rikalojnë gjatë ditës kufirin italo-zviceran janë rritur me 80% në 10 vitet e fundit. Atyre u shtohen edhe më shumë se 53 mijë banorët italianë, në një total prej 341 mijë ticinezësh, në një kanton ku banorët e huaj zënë tashmë 26.7 përqind të popullsisë. Edhe mediat më “të dhimbsura” zvicerane kanë nisur të shkruajnë për “turizëm kriminal”, që e thekson edhe më sensin e izolimit të ticinezëve: të lënë në hije nga Berna dhe të kërcënuar nga fqinji jugor.
… Koha nuk punon për ata që duan të frenojnë tendencën e mbylljes reciproke mes europianëve, qofshin apo jo pjesë e BE-së. Në mungesë të një projekti të qartë e të përbashkët europian, është e parashikueshme që në vitet e ardhshëm flamuri i Europës – valvulë shkarkuese e krizës – do të valëvitet si një rrobë e kuqe nga aventuriere dhe oportunistë, për të ngacmuar fobitë dhe nacionalizmat. Duke shpërbërë kështu ato pak gjëra të përbashkëta që është mundur të ndërtohen mbi rrënojat e luftërave botërore. Askush nuk do të mund të thotë se nuk dinte gjë.

Leave a Reply

Back to top button