Shendeti

A është diabeti një sëmundje e shërueshme? Ja çfarë mund të rikuperoni dhe çfarë jo

Kur një pacient diagnostikohet me diabet, atëherë ai ka nevojë për të gjithë ndihmën e nevojshme që mund të marrë. Javët e para janë vendimtare për organizimin e zakoneve të reja të të ngrënit, mësuarit, si të matni nivelin e sheqerin në gjak, apo të menaxhoni ilaçet që do të merrni.

Një nga pyetjet e para që i bëjnë pacientët vetes është: A do të mund të shërohem ndonjëherë? A do të më duhet të marr ilaçe për gjithë jetën? “Duhet të jemi të qartë. Nuk ka një kurë përfundimtare për diabetin, dhe nuk mund të shërohesh realisht përgjithmonë pasi të jetë zhvilluar sëmundja, përveçse me transplantin e pankreasit, i cili është i mundur vetëm në rastet e diabetit të tipit 1.

Por ky kërkon ndër të tjera terapi të vazhdueshme kundër refuzimit. Megjithatë, në disa raste efektet më të rënda të diabetit mund të jetë i prapësueshme. Pra rikthimi i niveleve të sheqerit në gjak në normalitet është i imagjinueshëm edhe pa ilaçe. Kjo është e mundur tek ata që janë mbipeshë dhe që arrijnë një rënie të konsiderueshme në peshë”- thotë Gabriele Riçardi, ish-profesor i Endokrinologjisë dhe Sëmundjeve Metabolike në Universitetin Federico II të Napolit.

Diabeti është një sëmundje kronike e karakterizuar nga sheqeri i tepërt në gjak (hiperglicemia). Në diabetin e tipit 1 (që zakonisht shfaqet në fëmijëri apo adoleshencë) pankreasi prodhon pak ose aspak insulinë, dhe për këtë arsye duhet të injektohet çdo ditë në trup.

Insulina është një hormon që e lejon glukozën të hyjë në qeliza dhe të përdoret si burim energjie. Kur ky mekanizëm dëmtohet, glukoza grumbullohet në qarkullimin e gjakut duke shkaktuar hiperglicemi. Nga ana tjetër diabeti i tipit 2, përcaktohet nga një ndjeshmëri e zvogëluar e trupit ndaj insulinës.

Pankreasi është në gjendje të prodhojë insulinë, edhe pse në sasi të vogla, por qelizat e trupit nuk janë në gjendje ta përdorin atë. Tek të dyja llojet e diabetit, niveli i lartë i sheqerit në gjak mund të dëmtojë trupin tonë duke shkaktuar sëmundje të zemrës, probleme me veshkat, dhimbje dhe dëmtime të gjymtyrëve (neuropatia diabetike), deri edhe prerje të gjymtyrëve dhe madje edhe verbëri.

“Diabeti është një sëmundje progresive – konfirmon profesor Riçardi – dhe lidhet me faktin se në një moment të caktuar qelizat beta, qelizat që prodhojnë insulinën në pankreas, e ndalin funksionin e tyre. Në diabetin e tipit 2 ky proces nuk ndodh papritur, por ka një ecuri të ngadaltë që vazhdon gjatë gjithë jetës.

Teksa plakemi, qelizat beta plaken, duke u bërë më të brishta dhe më pak efektive në prodhimin e insulinës. Sot ne nuk jemi në gjendje t’i japim jetë qelizave beta, të cilat ngadalë po shterohen dhe ky proces aktualisht është i pakthyeshëm.

“Por ata që janë diabetikë dhe mbipeshë, dhe me qelizat beta që nuk funksionojnë mirë, janë në gjendje të përmirësojnë efektivitetin e insulinës duke rënë në peshë”- thekson Riçardi. Por pse përmirësohet efektiviteti i insulinës me humbjen e peshës? Gjithçka ka të bëjë me masën. Kur humb peshën trupore, më pak inde kanë nevojë për insulinë që të përdorin glukozën.

“Problemi themelor nuk është zgjidhur, por të paktën është zgjidhur gjendja rënduese që lidhet me mbipeshën”- thotë diabetologu. Dhe këtu thelbësor është faktori kohë. “Riparimi i disa pasojave është i mundur nëse diabeti është i shfaqur kohët e fundit, dhe sheqeri në gjak nuk dekompensohet së tepërmi – nënvizon eksperti – sepse nëse sëmundja është e pranishme prej shumë vitesh është e pamundur që të kthehen pas efektet anësore.

Duhet të veprojmë brenda 5 viteve të para, sepse pas kësaj qelizat beta janë tashmë në një fazë kalbjeje serioze, dhe është e vështirë të rikuperohen”- thekson ai. Mjerisht për ata që janë diabetikë, por jo mbipeshë, nuk ka asnjë ndërhyrje efektive përveç ilaçeve.

Po sa peshë duhet humbur? “Të paktën 10 kilogramë. Me më pak se 10 kilogramë, nuk është e mundur të arrihet një rikuperim i dukshëm. Por ne kemi prova që me rënien e konsiderueshme në peshë, të paktën 50 për qind e njerëzve do të jenë në gjendje të arrijnë prapësimin e pasojave të diabetit”- shpjegon Riçardi.

Dhe cilat janë avantazhet në këtë rast? Shmangia sa më shumë që të jetë e mundur e rrezikut të përkeqësimit të gjendjes me kalimin e kohës. “Në fakt, ndërlikimet e diabetit janë të lidhura me kohëzgjatjen e sëmundjes: sa më e gjatë të jetë periudha në të cilën jeni i ekspozuar ndaj sheqerit në gjak, aq më i lartë është probabiliteti për të zhvilluar retinopati, dëmtim të veshkave dhe të këmbëve”-thekson mjeku.

Për rënien në peshë, ekspertët rekomandojnë dietat strikte me vetëm 800 kalori. Por ata që duhet të arrijnë rënie të konsiderueshme në peshë, mund të zgjedhin kirurgjinë bariatrike ose kirurgjinë metabolike, me ndërhyrjen në sistemin tretës. Kirurgjia bariatrike përfshin zvogëlimin e përmasave të stomakut dhe rrjedhimisht uljen e ndjenjës së oreksit; ndërsa ajo metabolike redukton përthithjen e lëndëve ushqyese. / Corriere della Sera – Bota.al

Back to top button