HistoriMAIN

A lindi Jezusi vërtet në Betlehem? Ja pse Ungjijtë përmendin vende të ndryshme

Nga Rodolfo Galvan Estrada III

Çdo Krishtlindje, një qytet relativisht i vogël në Bregun Perëndimor Palestinez,vihet në qendër të vëmendjes së gjithë botës: Betlehemi. Sipas disa burimeve biblike, Jezu Krishti lindi në këtë qytet rreth dy mijëvjeçarë më parë.

E megjithatë, Ungjijtë e Dhiatës së Re nuk bien dakord mbi detajet e lindjes së Jezuit në Betlehem. Disa nuk e përmendin fare Betlehemin apo lindjen e Jezusit. Pikëpamjet e ndryshme të Ungjijve, mund të jenë të vështira të pajtohen. Por, si studiues i Dhiatës së Re, unë mendoj se Ungjijtë ofrojnë një pasqyrë të rëndësishme mbi pikëpamjet greko-romake të identitetit etnik të Krishtit.

Sipas Ungjillit të Mateut, Ungjilli i parë në Dhiatën e Re, Jozefi dhe Maria ndodheshin në Betlehem kur lindi Jezusi. Historia vijon me dijetarët që shkuan në qytetin e Jeruzalemit, pasi panë një yll, që ata e interpretuan si sinjalizimin e lindjes së një mbreti të ri.

Më tej përshkruhet takimi i tyre me mbretin vendas hebre, Herodin, të cilin e pyesin për vendndodhjen e lindjes së Jezuit. Ungjilli thotë se Ylli i Betlehemit i çon ata në një shtëpi -dhe jo në një grazhd – ku kishte lindur Jezusi i Jozefit dhe Marisë. Ata adhurojnë Jezusin dhe i japin atij dhurata të shumta.

Ungjilli shpjegon se pas vizitës së tyre, Jozefi sheh një ëndërr ku paralajmërohet për përpjekjen e Herodit për të vrarë foshnjën Jezus. Atëherë Jozefi, Maria dhe Jezusi i mitur u arratisën drejt Egjiptit. Mateu shkruan se pasi mbreti Herod vdes nga një sëmundje, Jozefi, Maria dhe Jezusi nuk kthehen në Betlehem, por udhëtojnë në veri për në Nazaret në Galile.

Ndërkohë Ungjilli i Lukës, që u shkrua gjatë së njëjtës periudhë me Ungjillin e Mateut, ka një version tjetër të lindjes së Jezusit.

Ungjilli i Lukës fillon me Jozefin dhe një Maria shtatzënë në Galile. Ata shkojnë në Betlehem për shkak të regjistrimit të popullsisë hebreje, që kishte kërkuar perandori romak Çezar Augusti. Meqenëse Jozefi ishte një pasardhës i mbretit David, Betlehemi ishte vendlindja ku iu kërkua të regjistrohej.

Ungjilli i Lukës nuk përmend asnjë udhëtim të familje drejt Egjipt, asnjë mbret Herod paranojak, asnjë vrasje të fëmijëve, dhe as dijetarët që vizitojnë foshnjën. Sipas tij, Jezusi lindi në një grazhd bagëtish, pasi udhëtarët kishin zënë të gjitha dhomat e haneve të qytetit.

Pas lindjes, Jozefin dhe Marinë nuk i vizitojnë dijetarët,por barinjtë e zonës që ishin shumë të lumtur për lindjen e Jezusit. Luka thotë gjithashtu se Jozefi, Maria dhe Jezusi largohen nga Betlehemi 8 ditë pas lindjes së tij, shkojnë në Jeruzalem dhe më pas nga andej në Nazaret.

Xhon Mejer, një studiues mbi Jezusin si personazh historik, shpjegon se “lindja e Jezusit në Betlehem nuk duhet të merret si një fakt historik”, por si një “pohim teologjik i vendosur në formën e një rrëfimi dukshëm historik”.

Pra, besimi se Jezusi ishte një pasardhës i Mbretit David, çoi në zhvillimin e një historie rreth lindjes së Jezuit në Betlehem. Rajmond Braun, një tjetër studiues i Ungjijve, thekson gjithashtu se “të dyja rrëfimet nuk janë vetëm të ndryshme, por ato janë në kundërshtim me njëra-tjetrën në një numër detajesh”.

Ndërkohë as Ungjijtë e tjerë, ai i Markut dhe Gjonit, nuk e përmendin lindjen e Jezusit, apo lidhjen e tij me Betlehemin. Ungjilli i Markut është tregimi më i hershëm i jetës së Jezuit, i shkruar rreth vite 60 Pas Krishtit. Në kapitulli I të Markut, thuhet se Jezusi është nga “Nazareti i Galilesë”.

Kjo përsëritet në disa raste në gjithë Ungjillin, dhe Betlehemi nuk përmendet kurrë. Ndërkohë edhe Ungjilli i Gjonit, i shkruar afro 15 deri në 20 vjet pas atij të Markut, nuk e lidh Jezusin me Betlehemin. Edhe për të vendlindja e Jezusit është Galilea. Jezusi i gjen aty dishepujt e tij të parë, dhe po aty bën disa nga mrekullitë e tij.

Kjo nuk do të thotë që Gjoni nuk ishte në dijeni të domethënies së Betlehemit. Në një rast ai përmend një debat, ku disa hebrenj iu referuan profecisë që pretendonte se Mesia do të ishte pasardhës i Davidit dhe do të vinte nga Betlehemi.

Por Jezusi sipas Ungjillit të Gjonit asnjëherë nuk shoqërohet me Betlehemin, por me Galilenë, dhe më konkretisht, Nazaretin. Edhe Apostulli Pal, që shkroi dokumentet më të hershme të Dhiatës së Re, e cilëson vërtet Jezusin si një pasardhës të Davidit por nuk e lidh atë me Betlehemin.

Libri i Zbulesës pohon gjithashtu se Jezusi ishte një pasardhës i Davidit, por nuk e përmend Betlehemin. Por brenda Biblës Hebraike, një libër profetik i quajtur Mikah, që mendohet të jetë shkruar rreth vitit 722 Para Krishtit, profetizon se Mesia do të vinte nga vendlindja e Davidit, Betlehemi. Ndaj përfshirja nga Mateu dhe Lukae qytetit të Betlehemit në shkrimet e tyre, kontribuoi në pretendimin se Jezusi ishte Mesia me një prejardhje davidiane.

Shënim: Rodolfo Galvan Estrada III, është asistent/profesor i Dhiatës së Re në Seminarin Teologjik Fuller / The Conversation – Bota.al

Back to top button