Ngadalësimi i vazhdueshëm i rritjes ekonomike në ekonomitë me të ardhura të larta ka detyruar ekonomistët të futen ne mendime. Ata kanë parë si fajtorë të mundshëm kërkesën e dobët, pabarazinë në rritje, konkurencën e Kinës, regullat e tepërta, infrastrukturën e papërshtatshme dhe shterimin e ideve të reja teknologjike.
Megjithatë, tani po tërheq vëmendjen edhe një tjetër shpjegim për rritjen e ngadaltë ekonomike. Eshtë vazhdimësia dhe pritshmëria e paqes.
Bota nuk ka patur shumë luftëra kohët e fundit, të paktën jo sipas standarteve historikë. Disa prej titujve të mëdhenj të kohëve të fundit për Irakun apo Sudanin e Jugut e bëjnë botën tonë të duket si një vend shumë i përgjakshëm, por viktimat e këtyre kohëve janë shumë pak, krahasuar me miliona njerëzit e vrarë në dy luftëra botërore në gjysmën e parë të shekullit 20. Edhe lufta e Vietnamit pati shumë më tepër të vdekur se sa çdo luftë e kohëve të fundit, ku është përfshirë të paktën një vend i pasur.
Sado kontradiktore që mund të tingëllojë, paqja që mbioztëron në botë sot mund ta bëjë arritjen e niveleve më të lartë të rritjes ekonomike më pak urgjente, e si pasojë, me më pak gjasa që të ndodhë. Ky këndvështrim nuk do të thotë që luftërat përmirësojnë ekonomitë, pasi nuk ka dyshim që vetë konflikti sjell vdekje dhe shkatërrim. Pretendimi bën dallim gjithashtu nga argumenti Keinesian, se përgatitjet për luftë rrisin shpenzimet qeveritare dhe fusin njerëzit në punë. Në vend të kësaj, vetë mundësia e luftës e fokuson vëmendjen e qeverive në marrjen e disa vendimeve bazë – si për shembull dilemat nëse duhet të investojnë në shkencë, apo thjeshtë të liberalizojnë ekonominë. Dhe një fokusim i tillë, në fund të ditës përmirëson perspektivën kohëgjatë të shteteve.
Mund të tingëllojë e pështirë që të gjesh një anë pozitive të luftës në këtë kuptim, por një vështrim i historisë amerikane tregon se nuk mund ta injorojmë kaq kollaj këtë ide. Risi themelore si energjia bërthamore, kompjuteri dhe avionët luftarakë modernë, erdhën si pasojë e nevojës së qeverisë amerikane për të mposhtur fuqitë e Boshtit, ose më vonë për të fituar Luftën e Ftohtë. Interneti u projektua fillimisht për të ndihmuar Amerikën që t’i bënte ballë një shkëmbimi bërthamor, dhe Silicon Valley e ka origjinën në kontrata ushtarake, dhe jo në kompanitë e sotme të mediave sociale. Lëshimi i satelitit Sputnik nga ana e sovjetikëve nxiti interesin amerikan për shkencën dhe teknologjinë, në dobi të rritjes ekonomike të mëvonshme.
Luftërat sjellin një ndjesi urgjence që përndryshe qeveritë nuk arrijnë ta përjetojnë. Për shembull, Projektit Manhattan iu deshën gjashtë vite për të prodhuar një bombë atomike funksionuese, duke filluar praktikisht nga hiçi, dhe në kulmin e tij konsumoi 0.4 përqind të prodhimit ekonomik amerikan. Eshtë e vështirë të imagjinosh një arritje kaq të shpejtë dhe vendimtare këto kohë.
Kur isha adoleshent në vitet 1970, dëgjoja të flitej për dëshirën për ndërtimin e Urës Tappan Zee. Tani, zëvendësuesja e saj pritet të hapet jo më parë se viti 2017 – gjithmonë nëse zgjidhen problemet e ankesave për një pemë bliri të rrezikuar. Aeroporti Kennedy mbetet problematik, dhe La Guardia çalon shumë. Paketa stimuluese 800 miliardë dollarë, që erdhi si përgjigje ndaj recesionit, nuk e ka ndryshuar situatën.
Sot, shumica e shteteve europiano-perëndimorë me rritje të ulët ekonomike kanë shumë pak frikë se mos sulmohen ushtarakisht, dhe kështu politikanët e tyre nuk përballen me “dënime” ekstremë për stanjacionin e vazhdueshëm. Në vend të kësaj, humbja e një zyre shpesh herë përkthehet në rritje të të ardhurave prej fjalimeve në konferenca apo tarifave të konsulencës, apo edhe një pension i këndshëm. Ndryshe nga ata, Japonia përballet me trysni territoriale dhe gjeopolitike nga Kina, dhe si përgjigje ndaj kësaj po përpiqet të realizojë një rigjallërim kombëtar, përmes politikave ekonomike të Kryeministrit Shinzo Abe.
Ian Morris, profesor i klasikëve dhe historisë në Universitetin e Stanfordit, ka ringjallur hipotezën se lufta është një faktor i rëndësishëm për rritjen ekonomike në librin e tij të fundit: “Lufta! Për se vlen? Konflikti dhe progresi i qytetërimit, nga primatët, tek robotët”. Morrisi merr në shqyrtim një shumëllojshmëri rastesh, duke përfshirë Perandorinë Romake, Europën gjatë Rilindjes dhe Shtetet e Bashkuara sot. Në secilin shembull ka prova të forta se dëshira për t’u përgatitur për luftë ka nxitur shpikje teknologjike, si dhe ka sjellë një shkallë më të lartë të rendit të brendshëm social.
Një tjetër libër i ri, “Lufta dhe Floriri: Një histori 500-vjeçare e perandorive, aventurave dhe borxhit” e Kwasi Kwarteng parashtron një argument të ngjashëm, por fokusohet në tregjet e kapitalit. Kwarteng, një deputet konservator në Parlamentin Britanik, argumenton se nevoja për të financuar luftërat i ka shtyrë qeveritë që të krijojnë institucione financiarë dhe monetarë, duke mundësuar kështu ngjitjen e Perëndimit. Megjithatë, ai shpreh shqetësimin se sot shumë qeveri po abuzojnë me këta institucione dhe po i përdorin për të marrë shumë borxhe.
Megjithatë, një tjetër investigim i kësaj hipoteze shfaqet në një studim të kohëve të fundit të ekonomistëve Chiu Yu Ko, Mark Koyama dhe Tuan-Hwee Sng. Studimi argumenton se Europa u zhvillua si më e fragmentuar politikisht se sa Kina, për shkak se frika e Kinës se mos pushtohej nga krahu perëndimor, e çoi atë drejt një centralizimi politik për qëllime mbrojtjeje. Ky centralizim ishte i dobishëm në fillim, por më pas e la Kinën prapa. Shtetet europianë investuan më shumë në teknologji dhe modernizim, pikërisht nga frika se mos pushtoheshin dhe gllabëroheshin prej rivalëve fqinjë.
Por këtu është edhe kleçka: Cilatdo qofshin dobitë e konfliktit potencial, sot llogaritë bëhen ndryshe. Teknologjitë janë bërë shumë më shkatërrimtare, dhe kështu një luftë në shkallë të gjerë do të ishte një katastrofë më e madhe se sa dikur. Kjo i bën shumë luftëra me më pak gjasa të ndodhin, që është gjë e mirë, por kjo nga ana tjetër e bën stanjacionin ekonomik më të lehtë për t’u toleruar.
Në fakt, ky realitet mund të lexohet më pozitivisht nga sa mendohet në pamje të parë. Mund të argumentohet se bota e sotme po shkëmben një pjesë të rritjes në standartet materialë të jetesës, me paqen.
Ne mund të preferojmë norma më të larta rritjeje ekonomike dhe progresi, edhe ndërkohë që pranojmë se shifrat e sotme të GDP nuk masin në mënyrë të përshtatshme të gjithë përfitimet që kemi gëzuar. Përveç se më shumë paqe, ne kemi një mjedis më të pastër, më shumë kohë të lirë dhe një shkallë më të lartë tolerance sociale për pakicat dhe grupet që dikur diskriminoheshin. Bota jonë më paqësore dhe e orientuar më shumë nga dembelizmi, është në fakt më e mirë se sa na thonë matësit tanë ekonomikë.
Të jetuarit në një botë paqësore me vetëm 2 përqind rritje ekonomike ka disa avantazhe të mëdhenj, që nuk i ke me një rritje ekonomike 4 % dhe shumë më tepër vdekje. Pyetja e vërtetë është a mundemi ne të bëjmë më mirë, dhe nëse mbizotërimi aktual i paqes është thjeshtë një fluskë e përkohshme që pret të plasë.
Tyler Cowen është profesor i ekonomisë në George Mason University / Përshtatur në shqip nga bota.al