HistoriMAIN

Antikrishti: Mashtruesi, tradhtari dhe lajmëtari i fundit të botës

Antikrishti. Vetëm emri mjafton për të mbjellë frikë në zemrat e të gjithë të krishterëve të devotshëm, por edhe të tjerëve. Është një emër që është lidhur përherë me negativitetin, dashakeqësinë dhe atë që është thelbësisht antikristiane.

Antikrishti është një entitet që përmendet rrallë nga Bibla e Krishterë, dhe gjithnjë me nota negative. Por koncepti i një entiteti të lig ​​që e kërcënon Krishtin, ithtarët e tij të përkushtuar dhe gjithë njerëzimin, ka ekzistuar prej një kohe shumë të gjatë.

Antikrishti është një koncept kompleks. Për besimtarët e krishterë, kjo figurë është profetizuar për të mashtruar popullin e devotshëm, dhe që vjen në Tokë në vend të Krishtit për të bërë gjërat më të këqija, derisa të rishfaqet Krishti i vërtetë me Ardhjen e Tij Të Dytë.

“Ai që e mohon Atin dhe Birin”, është mënyra se si Bibla e përshkruan Antikrishtin. Në të gjithë Biblën, termi “Antikrisht” përmendet çuditërisht vetëm 5 herë, dhe në të gjitha rastet në Letrën Parë dhe të Dytë të apostullit Gjon.

Gjithsesi, një emër i ngjashëm, por jo i njëjtë, shfaqet në disa nga Ungjijtë, kryesisht të Mateut dhe Markut:Pseudochristos (Krishti i rremë). Këtu termi lidhet me të ashtuquajturit “profetë të rremë”, të cilët do të vinin midis dishepujve të Krishtit duke kryer shumë mrekulli  për të mashtruar grigjën e mirë të ndjekësve të Krishtit.

Në Letrat e Gjonit, një nga vargjet e përshkruan Antikrishtin jo si një person apo një entitet të vetëm, por më tepër si një shumicë, duke nënkuptuar se Antikrishti është ndoshta një koncept universal, që u përkiste shumë personave që kanë të njëjtat qëllime të këqija.

“Fëmijë të vegjël, është ora e fundit:Dhe siç e keni dëgjuar vjen Antikrishti, madje tani janë bërë shumë Antikrishtë. Përmes tyre ne e dimë se ka ardhur Apokalipsi” – Gjonit 2:18.

Sërish në Kapitullin I të Gjonit, ne shohim përmendjen e shumë mashtruesve të cilët duke qenë armiq të Krishtit, janë gjithashtu Antikrishtë:“Shumë mashtrues kanë dalë në këtë botë. Ata nuk rrëfejnë se Jezu Krishti ka ardhur në formë mishtore. Çdo person i tillë është mashtruesi dhe Antikrisht!” – Gjonit 1:7.

Në kërkimin e Antikrishtit, ne duhet të kërkojmë që në fillimet e hershme të Kishës së Krishterë dhe teologëve të saj të parë. Një i tillë ishte Polikarpi, një pasues i apostullit Gjon  dhe një peshkop i hershëm i krishterë, që u martirizua duke u djegur mbi një shtyllë dhe duke u goditur me thikë në vitin 155 Pas Krishtit nga romakët.

Ai ishte një nga të parët që përdori termin Antikrishti jashtë Biblës, ndërsa u drejtohej dishepujve të tij duke u thënë atyre se të gjithë ata që predikonin doktrina të rreme dhe e mohonin Zotin ishin Antikrisht. Sërish ne vërejmë se ai nuk fliste për një person por për shumë.

Pra koncepti i Antikrishtit u zhvendos nga një qenie e vetme thelbësisht e keqe në një grup keqbërësish dhe profetësh të rremë. Po kështu, teologë, murgj, asketë dhe peshkopë të ndryshëm të krishterë, besonin se ngjarjet thelbësore historike gjatë jetës së tyre, do të paralajmëronin ardhjen e Antikrishtit.

Këtu duhet të rikujtojmë se gjatë gjithë historisë, bota ka përjetuar disa ngjarje të mëdha që e ndryshuan atë dhe morën shumë jetë njerëzish. Do të ishte mjaft e arsyeshme që një i krishterë i përkushtuar, të besonte se ngjarje të tilla ishin paralajmërim i Ditëve të Fundit.

Një shembull i famshëm është rënia e Perandorisë Romake Perëndimore, një pikë kthese kryesore në histori. Teologu i shquar i krishterë, Tertuliani, e konsideroi këtë ngjarje si hapjen e rrugës për Antikrishtin. Por bashkëkohësi i tij, një nga teologët më të rëndësishëm të Krishterimit të hershëm, Hipoliti i Romës, mendonte se Antikrishti ishte një figurë që vinte nga një prej Fiseve të Izraelit, Fisi i Danit.

Ai thoshte se ky person ose entitet do të rindërtonte tempullin e tretë hebre në Malin e Tempullit në Jeruzalem, dhe do të sundonte prej andej. Por  disa asketë dhe teologë të tjerë të rëndësishëm e theksuan konceptin e Antikrishtit si një domosdoshmëri brenda profecisë biblike. Shën Jeronimi tha:“Në qoftë se Perandoria Romake nuk duhet të shkretohet më parë dhe Antikrishti do të vazhdojë aktivitetin e tij, Krishti nuk do të vijë”.

Një nga veprat kryesore rreth Antikrishtit u shkrua disa shekuj më vonë, në Mesjetën e hershme. Ishte një abat i një manastiri, benediktin francez Abacia e Montier-er-DerAdso që shkroi veprën “De ortu et Tempore Antichristi”. Ajo ishte “biografi” unike e Antikrishtit, e cila ishte edhe një shpjegim (interpretim kritik) i teksteve origjinale apokaliptike

Vepra e tij u bë shkrimi më me ndikim në lidhje me Antikrishtin në të gjithë botën mesjetare, dhe u kopjua shumë herë. Por me fillimin e Mesjetës, ndërsa Kisha e Krishterë fitoi më shumë fuqi, prestigj dhe ndikim në politikën botërore, Antikrishti u bë një koncept që përdorej lirshëm për qëllime intrigash, shpifjesh dhe propagande.

Për shembull Arnulf, Peshkopi i Reimsit në Francë, ishte shumë i pakënaqur nga sjellja e Papës Gjonit XV, duke e akuzuar këtë të fundit si Antikrishtin e Biblës. Papët u akuzuan si të tillë nga reformatorët e Kishës si Martin Luterit. Ky i fundit delaronte shpesh se Papati në vetvete ishte Antikrishti, pasi ishte “një institucion i kundërt me Krishtin”.

Antikrishti shfaqet jo vetëm në Krishterim, por edhe në fetë e tjera kryesore. “Mesia i rremë” njihet në arabisht ai Al-Masih-ad-Dajjal (الدجال ), është edhe një koncept i rëndësishëm në besimin islam, shumë i ngjashëm me Antikrishtit e krishterimit.

Gjithsesi ai nuk përmendet në librin e shenjtë Islam, Kuran, por më tepër në Hadithet, një burim i ligjit fetar dhe moral midis besimtarëve myslimanë. Në këto shkrime, Profeti i Rremë thuhet se shfaqet në lindje, duke i mashtruar besimtarët përmes mrekullive dhe shërimeve ashtu si Jezusi, por i ndihmuar fshehurazi nga demonët.

Profetizohet se Jezusi (Isai) do të ringjallet përsëri, duke e mundur Antikrishtin në portat e Al-Ludd (Lodi i ditëve të sotme, një qytet në periferi të Tel Avivit në Izrael).Shumica e përshkrimeve të Antikrishtit gjatë gjithë epokave, nuk ishin mbi ndonjë krijese djallëzore dhe dashakeqe.

Përkundrazi, ai përshkruhej si një njeri dashamirës, që mashtronte fshehurazi ndjekësit e vërtetë të Krishtit. Koncepti i Antikrishtit është përdorur shumë gjatë gjithë kohës moderne, shpesh si temë ose si personazh në libra, muzikë dhe filma.

Antikrishti mbetet një nga gurët e themelit në besimin fetar të krishterë, një koncept thelbësor i lidhur drejtpërdrejt me profecinë e Ardhjes së Dytë të Jezusit. Përgjatë epokave, ky emër fitoi një lloj roli universal, duke përshkruar me të gjithçka të keqe, të ligë dhe antikristiane. Pavarësisht nëse besoni tek ai apo jo, nëse jeni apo jo fetar, sërish mund t’iu intrigojë të pyesni veten:a ka diçka të vërtetë tek historia e tij apo jo? / Ancient Origins – Bota.al

Back to top button
Close
Close