Psikologji

“Arti i brishtë i moskokëçarjes”. Pse duhet lexuar ky libër?

Unë personalisht nuk jam një fans i çmendur i romaneve që përpiqen të të mësojnë gjëra. Për mua mësimi prej librave duhet të vijë përmes rrëfimit, jo këshillimit. Aq më tepër kur një roman nis me sharje që në titull. Titulli i një romani, si dhe kopertina, janë dy elemente që më bëjnë të ble libra. E di që ndoshta po mendoni “Libri nuk gjykohet nga kopertina”, por jam një kritik i fortë i këtyre dy aspekteve.

Kur e bleva librin “Arti i brishtë i not giving a f***” nga Mark Manson, isha shumë skeptik. Rrugës për në shtëpi më dukej si investimi më i kotë që kisha bërë, derisa një ditë (pas shumë ditës që qëndronte në raftin e librave pa u prekur me dorë), vendosa ta lexoj. Dhe jam surprizuar, me të vërtetë. Nuk e prisja që ky libër, që autori i tij, të më mësonte se si ta jetoja jetën lirshëm, pa komplekse dhe mbi të gjitha, pa e vrarë shumë mendjen se çfarë po ndodhte. Sipas autorit, jeta në thelb është shumë e thjeshtë, jemi ne që e komplikojmë atë me mendimet tona.

Dëshiroj të citoj një paragraf nga libri dhe mendoj se do ta kuptoni se ku dua të dal: “Të gjithë njerëzit dhe reklamat televizive duan që të besosh se çelësi për një jetë më të mirë është një punë më e mirë, një makinë më luksoze, një e dashur më e bukur, një vaskë e nxehtë ose një pishinë për fëmijët. Bota po të thotë papushim se rruga për një jetë më të mirë është të kesh më shumë, më shumë, më shumë – bli më shumë, zotëro më shumë, fito më shumë, ji më shumë. Bombardohesh vazhdimisht me mesazhe që të kërkojnë ta çash trapin më shumë gjatë gjithë kohës, për çdo gjë. Çaje trapin për një televizor të ri. Çaje trapin për pushime më të bukura se kolegët e punës. Çaje trapin për të bërë zbukurime për kopshtin. Çaje trapin për të blerë një shkop më të mirë për të bërë selfie me celularin tënd. E përse? Sipas mendimin tim: Sepse të çash trapin për më shumë gjëra, është një biznes shumë fitimprurës”.

E kishe menduar ndonjëherë që gjithë gjërat që dëshiron të blesh, janë thjesht shumë të reklamuara dhe ndaj dëshiron shumë t’i kesh të tuat? Kjo sepse për kompanitë është më fitimprurëse të reklamojnë diçka të re, jo sepse e vjetra nuk bën punë, por sepse nuk i sjell aq fitim sa e reja.

Pikërisht me këtë aspekt “luan” edhe autori i romanit, na ndryshon komplet mendësinë. Na bën të kuptojmë se nuk duhet të shqetësohemi shumë, si dhe t’i mendojmë mirë gjërat që për momentin na shqetësojnë. Ndoshta nuk janë shumë shqetësuese dhe ndaj nuk duhet të mendojmë shumë për to.

Pa dashur të bëj propagandë apo reklamë, nëse dëshironi që vërtet të keni në bibliotekën tuaj një libër gazmor dhe që do t’ju mësojë shumë mbi mënyrën e të menduarit, bëni mirë ta blini, huazoni, ose ta lexoni online (e gjeni online edhe në formatin pdf). Do të më falenderoni në fund…

Back to top button