BotaMAIN

Bashkëbisedim me një revolucionare

Arrestimi i të shoqit, kandidatura kundër Lukashenka, ekzili, lufta, lodhja dhe frika. Intervistë me Svjatlana Tikhanovskaya, lidere tragetuese drejt Bjellorusisë që së ardhshme

Si revolucionare nuk ka as pamjen, e megjithatë është ndodhur mu në mesin e një revolucioni. Bile në krye të një revolucioni. Pastaj, çfarë pamjeje ka një revolucionare? Nga fotot e mitingjeve të saj, edhe Rosa Luxemburg shfaqet me flokët e mbledhura në kokë, jaka dhe varëse për të zbukuruar pamjen e saj tël vendosur e të pastër. Svjatlana Tikhanovskaya revolucionare është bërël nga halli, pasi nuk kishte zgjedhje tjetër morale përveç asaj të trashëgimit të betejës së bashkëshortit Sergei e të kombit të saj kundër diktatorit bjellorus Aljaksandr Lukashenka dhe ta bëjë të sajin për zgjedhjet presidenciale e 9 gushtit të kaluar. Sergei Tikhanovski donte të sfidonte diktatorin, mitingjet e tij qenë plot me njerëz, revolta e tij e pantoflave – simbol i zemërimit kundër “Lukashenka buburrecit” – tërhiqte në rrugë njerëz të çdo moshe dhe regjimi e ka burgosur përpara se të mund të kandidonte. Kështu ka bërë edhe me opozitarë të tjerë, kush nuk është burgosur është arratisur dhe kush është burgosur në burg është akoma. Atëhere Svjatlana filloi të mbledhë firmat e nevojshme për të paraqitur kandidaturën e saj, regjimi nuk kërkoi ta pengonte: duhet t’i jetë dukur absurde gara e kësaj gruaje të re, me dy fëmijë të vegjël, në dukje e ndrojtur.

14 korrikun e vitit të kaluar Svjatlana Tikhanovakaya është regjistruar si e pavarur për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe sfiduar Lukashenka, njeriun që ka marrë peng Bjellorusinë qysh nga 1994. Pjesa tjetër ka ndodhur me shpejtësi. Mitingjet plot, muzika, himni “Peremen”, i njëjti në të gjithë revolucionet e Lindjes. Fushata elektorale shndërrohet në festë, të cilën regjimi e shikonte me shpërfillje, duke qeshur me këtë grua me pamje të padëmshme të shoqëruar nga dy gra të tjera, Maria Kalesnikava (në burg) dhe Veronika Tsepkala (në mërgim). Më 9 gusht bjellorusët votuan. Përpara se të përfundonte numërimi, Lukashenka shpallet fitues me 80% të votave dhe urdhëron policinë që t’i asgjësojë të gjitha votat elektorale.

Në qendrat e votimit përhapet zëri se votat qenë me shumicë të madhe për Tikhanovaskaya. Minsku mbushet me manifestues, flamuj, simbole. Nis lufta e bjellorusëve për demokracinë dhe ajo e Lukashenka kundër popullit të tij, që grushtave nuk u reagon me dhunë dhe që akoma sot, me kokëfortësi, proteston. Në tentativën për të ndaluar manifestimet, diktatori fillon të kërcënojë manifestuesit e opozitës. Tikhanovskaya dërgohet në selinë qendrore e shërbimeve sekrete, merret në pyetje, frikësohet dhe detyrohet të botojë një video, ku në lot thotë se do të largohet nga vendi, pasi nuk ka kuptim të vazhdohet të luftohet, se do të shkojë Lituani pasi ka frikë.

Svjatlana Tikhanovskaya e sotme është shumë ndryshe nga gruaja e asaj videoje. Ndrojtjes ja ka zënë vendin vendosmëria, syve të trembur një shikim e papenetrueshëm dhe i flaktë. Prej atyre lotëve nuk turpërohet dhe ende sot thotë: “Në atë moment isha e bindur se do të kisha lënë gjithçka”. Lukashenka nuk e ka takuar kurrë. Ndërsa pyetej nga shërbimet sekrete dhe nga ajo bisedë nuk mund të tregojë asgjë, diktatori nuk është shfaqur kurrë, por i ka bërë me dije se kishte dy opsione: “O burgun, o ekzilin”. “Dhe unë, me zemër të thyer, rrëfen Svjatlana Tikhanovkaja për “Il Foglio” – kam zgjedhur ekzilin. Shumë njerëz qenë detyruar tashmë të largoheshin, është një praktikë e regjimit: në të kaluarën, kur liderët largoheshin, protestat qetësoheshin. Por kësaj radhe ka bërë gabim, nuk e kishte kuptuar se çfarë po ndodhte, se çfarë po ndodh akoma, nuk varet nga unë apo nga një lider, lëvizja bjelloruse nuk është ngritur rreth një individi, ka qenë një lëvizje, një valë që i ka prekur të gjithë”.

E njëjta dëshirë për demokraci që kishte prekur më parë burrin e saj Sergei e me pas edhe ajo ka bashkuar popullsinë dhe llogaritë që regjimi ka gabuar kanë qenë të shumta, pasi shpresonte se duke larguar rivalen e tij bjellorusët do të ndjeheshin të braktisur. “Besoja edhe unë se njerezit do të reagonin kështu, por jo, më kanë thënë: “Svjatlana nuk na duhesh në burg, në burg nuk mund të bësh asgjë për në, ke bërë mirë qe u largove”. Në video, teksa thoja se po largohesha, isha e bindur se do ta bëja. Me të arritur në Lituani, kam vendosur te vazhdoj. Qysh nga ai moment kam filluar të ndjej një përgjegjësi në rritje”.

Në Lituani e prisnin tashmë dy fëmijët e saj, të sjellë në Vilnius nga një komshie kur u bë e qartë se Lukashenka nuk do t’i ndahej. Dhe pavarësisht fushatës elektorale, luftës së muajve të kaluar, ka qenë momenti i largimit ai kur Svjatlana ka kuptuar se gjithçka në jetën e saj do të ndryshonte. “Natyrisht që gjatë fushatës elektorale gjithçka qe shumë ndryshe nga ajo sesi isha mësuar të jetoja, por kur më është dashur të largohem, atëhere kam ndjerë se po shkëputesha nga vendi im dhe se diçka brenda vetes po më hiqej. Kam ndaluar për disa sekonda, kam kuptuar se po e lija Bjellorusinë, im shoq në burg, pjesë e familjes time në një regjim dhe bashkëqytetaret e mi në luftë. Tani jetoj gjysmë ore larg kufirit bjellorus, por nuk mund te kthehem. Kur kam filluar ta ndjej largësinë – dhe kjo ka ndodhur shpejt – kam kuptuar se gjithçka po transformohej, se lufta kundër regjimit tashmë ishte në një nivel tjetër”.

Svjatlana Tikhanovskaya nuk kishte menduar kurrë të merrej me politikë, nuk kishte menduar kurrë të luftonte, të shkonte në ekzil, të shikonte të shoqin të burgosej. Ajo dhe Sergei jane njohur shumë të rinj, në universitet, në Mazyr, ku ajo ka studiuar për Gjuhë Angleze. Eshtë bërë përkthyese, ka punuar si mësuese, por vitet e fundit i kushtohej fëmijëve dhe familjes. As i shoqi nuk merrej me politikë, por nga bisedat me njerëzit kishte kuptuar se problemet e tij qenë problemet e të gjithëve dhe qenë probleme të padrejta pasi përcaktoheshin nga nje regjim që nuk e linte Bjellorusine të jetonte sipas gjithë potencialiteteve të saj dhe Sergei kishte vendosur ta tregonte këtë në YouTube. Për familjen gjithçka ka ndryshuar me shpejtësi. Sfidantet e tjerë të Lukashenka, Viktar Barbarika (në burg) dhe Valery Tsepkala (në ekzil), janë perkatesisht bankier e diplomat, mund ta imagjinonin se karriera e tyre do t’i çonte tek politika, por për Sergei ka qene gjithçka e papritur.

Akoma me shume per Svjatlana, e cila sot akuzohet per terrorizëm, larg nga familja e saj, të bëjë një jetë prej mërgimtareje. Por po të kthehej në Bjellorusi, do të rrezikonte vdekjen, njëlloj si Raman Protasevich, aktivisti i arrestuar nga regjimi i Minskut pas devijimit të fluturimit Ryanair që udhëtonte nga Athina për në Vilnius. Të njëjtin destinacion e kishte bërë një javë më parë edhe Svjatlana, që në Greqi kishte takuar edhe Protasevich. Lukashenka e ka devijuar avionin me pretekstin e një bombe, ka shpërndarë nje email kërcënimi të Hamasit, dërguar nga një adrese emaili false e krijuar dy ditë përpara nisjes së liderit të opozitës. E gjitha strategjia e devijimit të avionit ndoshta ishte konceptuar për të ndaluar atë, por ose ka munguar organizimi, ose Lukashenka i ka munguar guximi.

Është një jetë prej të persekutuarje, të kërkuarje, të mërguarje, kjo e Tikhanovakaya dhe ta lërë, ta braktisë, është një mendim që e trazon: “Çdo ditë mendoj se nuk mund ta vazhdoj më. Ndjej një lodhje të madhe, jo vetëm fizike. Zgjohem me mendimin se të gjithë bjellorusët janë në burg, jetojnë nëpër qeli të vogla me terrorin se do te torturohen. Sapo e ndjej atë, më sulmon mendimi që është një ndjesi të cilën ata nuk mund t’ia lejojnë vetes, sepse nuk bëjnë, nuk jetojnë, janë të detyruar të qëndrojnë mbyllur. Gjithë ditën punoj me këtë vetëdije dhe mbrëmjeve kthehem në shtepi e fëmijët më pyesin “Ku është babi? Kur do kthehet? Kur do ta shohim prap?”. Fëmijët janë kështu, nuk reshtin së bëri pyetje dhe unë u përgjigjem, por ama nuk e di sesi do të sillet regjimi, pasi nuk ju përmbahet parimeve morale. Këto mendime konstante, të dish se ka jashtezakonisht shumë familje në situatën tonë, më shtyjnë që të eci gjithmonë përpara. Ndjej përgjegjësinë e një Bjellorusie që më ecën përkrah”.

Revolucionare Svjatlana është bërë, jashtë Bjellorusisë i është dashur të ndërveprojë me ministra, presidentë, i pari që e ka takuar ka qenë Emmanuel Macron, pastaj Angela Merkel. Ka filluar të udhëtojë, të pritet kudo, të flasë në mënyrë konstante me përfaqësuesit e institucioneve europiane. Për këtë edhe i është dashur të studiojë, “nuk dija asgjë për mënyrën sesi funksiononte Bashkimi Europian, nuk dija asgjë nga e drejta, nga ligjet ndërkombëtare”.

Keshtu që ka ndryshuar, është bërë më e sigurtë në vetëvete dhe objektivi i saj është që të mos e lërë kauzën bjelloruse të shuhet, t’i kujtojë bashkësisë ndërkombetare se në Minsk “ka nje Chernobyl të të drejtave të njeriut”, ka njerëz që torturohen, që vdesin apo vriten sepse nuk ju lejohet të jetojnë në një vend demokratik. “Dhe të thuash se ne demokracinë nuk e dimë mirë as se çfarë është, por dëshira për të është e fortë. Flitet gjithmonë për demokraci duke menduar se është pushteti i popullit, por besoj se parasëgjithash demokracia është përgjegjësi. Domethënë se ajo që ndodh në vendin tënd është edhe meritë apo faji yt, pasi në një sistem demokratik ti je i përfshirë në jetën politike. Ama demokracia duhet mësuar, ne nuk mund të kalojmë direkt nga diktatura në demokraci, do të ketë një proces, por jam e sigurtë se do t’ia dalim në atë për të cilën po luftojmë dhe nuk do t’i çojmë dëm sakrificat tona”.

Shpesh situata ne Bjellorusi kapet pas asaj të Rusisë, pas Svjatlana dhe pas Alexei Navalny. Por për ju janë kontekste shumë të ndryshëm. “Ka nje ngjashmëri, njerezit luftojnë për të drejtat e liritë e tyre dhe për këtë përfundojnë në burg, ama në Bjellorusi ka pasur zgjedhje dhe Lukashenka ka humbur, shumica ka votuar për mua dhe unë jam detyruar të largohem. Gjithmone them se në Bjellorusi ka një revolucion, kurse në Rusi ka protesta. Ajo që kam vërejtur eshte se shpesh në vendet perendimore dhe demokratike gjithçka bëhet një: protesta, marshime, revolucione”.

Është nje proces, këmbëngul liderja, ajo që po ndodh në Bjellorusi nuk ka ndodhur për një ditë, pas çdo zgjedhjeje ka pasur manifestime, por nuk ka qenë kurrë kështu. “Më pas ka ardhur Covid-19 që regjimi e ka mohuar, nuk e ka menaxhuar, njerëzit kane filluar të pajisen, kanë kërkuar maska, kanë ndihmuar nëpër spitale dhe kanë pyetur veten se çfarë vlente Lukashenka sikur bjellorusët të arrinin ta organizonin vetë përgjigjen ndaj pandemisë. Në këtë atmosferë ka filluar fushata elektorale”.

Lukashenka, thotë Svjatlana Tikhanovskaya, nuk do të dorëzohet përpara se ta ketë çuar gjithçka në kolaps dhe më pas do të jete nje vend i tëri per t’u rindërtuar, zgjedhje per t’u mbajtur, investime për t’u bërë e për t’u thithur. Dhe Svjatlana për fundin e regjimit mendon, është në gjendje ta ëndërrojë, thotë se për ta shpejtuar fundin e diktaturës vetëm mund të rritet presioni ndërkombëtar dhe pastaj do t’u takojë bjellorusëve të tregohen të zotët. “Prej shumë vitesh jemi privuar nga demokracia e mirëqenia, do të dalim prej një regjimi që ka frenuar zhvillimin tonë ekonomik e teknologjik, nje regjim që di vetëm të ndërtojë traktorë e të mjelë lopë. Do të duhet të rikuperohet dhe jam e sigurt se do të ndihmohemi”.

Kur flet per periudhën pas, të duket sikur Svjatlana të ardhmen thuajse e ka përpara syve, imagjinon rikthimin e saj, rikthimin e të gjithë disidentëve, si një ditë feste kombëtare. Imagjinon përqafimin me të shoqin, përqafimin e një populli që bashkohet. Dhe deri aty, deri në atë moment do te jetë ajo shefja e opozitës, më pas është e gatshme të bëjë një hap prapa. “Detyra ime është të organizoj zgjedhje të reja, të favorizoj tranzicionin e pushtetit, por nuk dua të kandidoj. Do të qendroj si garanci se asnjë nga sakrificat tona do të shkojë dëm, por nuk më takon mua ta drejtoj vendin”.

Asaj i takon drejtimi i revolucionit, por si të gjithë revolucionarët e di se më pas politika është diçka tjetër. Thonë se edhe Lech Walesa është penduar që është bërë president i Polonise pasi ka drejtuar çlirimin nga komunizmi, por sidomos thonë se është penduar thellë pse ka kandiduar herën e dytë: humbi presidencën e vendit ku kishte bërë revolucionin. Svjatlana Tikhanovkaya eshte më e matur, thotë se impenjimi i saj është një detyrim moral, ka të bëjë me shpirtin e saj, se i mungon vendi i saj dhe se do të kthehet, ama si qytetare, jo si presidente.

Pastaj, teksa flet për vendin e saj që duhet rindërtuar, ndalet, heq maskën me flamurin e Bjellorusisë së ardhshme – atë bardhkuqbardhë të protestave, jo atë kuqjeshil të regjimit – merr frymë thellë dhe duket se projektet e saj duken qartë, të fortë, si nje revolucion i vënë në praktikë: “Ka disa apartamente te vjetra tek ne, i quajme apartamentet e gjyshes, ku gjithçka ka mbetur e palëvizur qysh nga koha sovjetike. Moblijet e vjetra, moketi në dysheme, hallitë nëpër mure. Shih apartamentin dhe dëshiron të ristrukturosh gjithçka, të hedhësh dyshekët e bërë gropë, tavolinat e ngrëna nga mola, çentrot, lulet false. E di se do të duhet kohë, lodhesh, por e imagjinon sesa e bukur do të jetë të fillohet të mobilohet gjithçka nga e para. Parasheh sesa e gjitha do të duket plot dritë, e pastër, e rregullt. Ja, është kjo ndjesia që provoj kur imagjinoj Bjellorusinë pa Lukashenka. Parandjej ndjenjën e lirisë, drejtësisë, sigurisë, kur regjimi nuk do të jetë më. Dhe tani dua të bëj gjithçka mundem me qëllim që apartamenti im, shtëpia ime, vendi im, të bëhen të bukur, komodë, të jetueshëm. Jam e sigurt edhe se pa diktaturë do ta rregullojmë vendin tonë në mënyrë që shumë do të duan të vijnë tek ne të investojnë, do të jetë gjithçka transparente dhe e ndershme. Është kështu që dua ta shikoj vendin tim, e di se nuk do të ndodhë menjëherë, por jam e sigurt se shumë vende do të na vijnë në ndihmë. Tani, vazhdon Svjatlana Tikhanovskaya, kam ndjesinë sikur jam mes mobiljesh të vjetra, ku gjithçka është e errët, mbytëse. Do të flakim tej gjithçka, do të bëjmë një ristrukturim masiv dhe do ta rindërtojmë Bjellorusinë tonë”.

(nga Il Foglio)

Përgatiti: ARMIN TIRANA

Back to top button
Close
Close