AnalizaEkonomi

Çfarë e shkaktoi realisht, krizën e fundit financiare globale?

Nga Robert J. Samuelson

Është i habitshëm fakti, që edhe pse kriza financiare globale ka ndodhur një dekadë më parë, ne nuk kemi ende sot një shpjegim të qartë dhe bindës për shkakun e saj themelor. Sigurisht, teoritë mbi këtë kanë qenë me bollëk. Liberalët fajësojnë lakminë e Uoll Stritit, dhe mungesën e mbikëqyrjes së duhur qeveritare.

Për konservatorët, përgjegjëse është promovimi agresiv që qeveritë amerikane i bënë pronësisë së shtëpive, e cila e “përmbyti” ekonominë me kredi të këqija. Edhe pse këto shpjegime ideologjike bartin disa të vërteta, historia e vërtetë është më e ndërlikuar dhe konfuze.

Ajo që përfundimisht e shkaktoi krizën financiare, ishte suksesi i ekonomisë. Dukej që ne kishim hyrë në një epokë të re, me më pak rreziqe. Duke e besuar këtë, amerikanët përqafuan sjellje më të rrezikshme, të cilat dikur i shmangën, duke u justifikuar papritmas me optimizmin e përhapur. Paradoksi është i qartë: besimi se rreziku mbi ekonominë ishte zbehur, frymëzoi më shumë rreziqe, për shkak se çdo gjë dukej e sigurtë.

Këto mendime gjejnë shumë jehonë në një libër i ri “Zjarrfikja: Kriza Financiare dhe leksionet e saj”, me autorë Ben Bernanke, Timoti F.Geitner dhe Henri Paulson Xhunior. Ju mund ta mbani mend, që këta të tre ishin lojtarë kryesorë në ndalimin e krizës. Bernanke ishte kreu i Rezervës Federale, Paulson Ministër i Financave i presidentit Xhorxh W.Bush, dhe Geitner shefi i financave nën presidencën e Barak Obamas.

Libri prej 129 faqesh, ofron një kronologji të qartë, të shoqëruar nga gati 100 faqe tabela shpjeguese. Autorët shpresojnë që narrativa e tyre të mbështetet në reputacionin e tyre personal. Megjithatë, shumica e analizave të tyre janë të vërteta, me një përjashtim të qartë: të teorisë së tyre, se çfarë e krijoi krizën.

Ja një pasazh: ”Historia se si ndodhi kriza kishte të bënte me. . . mekanizmat e rrezikshëm, financimin e rrjedhshëm, bankingun hije, sekuritizimin e shfrenuar, dhe rregulloret e vjetëruara”. Një përkthim i përafërt: Huadhënësit huazonin shumë, huamarrësit huamorrën shumë, dhe instrumentet financiare misterioze, i ndalonin rregullatorët të ndalnin këtë proces.

Kjo është mençuria konvencionale. Por ajo është gjithashtu e gabuar, pasi gabon në lidhje me pasojat e krizës, mbi shkakun e saj themelor. Shkaku qëndronte tek besimet iluzore, se ekonomia kishte ndryshuar aq shumë, sa që praktikat që në të kaluarën konsideroheshin të rrezikshme, nuk do të ishin më të tilla.

Ekonomistët argumentuan se cikli i biznesit ishte zbutur. Ata e quajtën këtë Moderimi i Madh. Recesionet ekonomike do të ishin më të shkurtra në kohë, dhe më pak të rënda se sa në të shkuarën. Kjo dukej të konfirmohej nga ekspansioni ekonomik i gati një dekade në vitet 1990, më i gjati në historinë e SHBA.

Një tjetër shenjë pozitive, ishte rënia e inflacionit 2-shifror, nga 13 % në vitin 1980, në rreth 4 % në vitin 1982 – një sukses që i`u atribua me të drejtë kreut të atëhershëm të FED, Pol Volker, dhe presidentit Ronald Re. Ai arriti të qetësojë nervat, dhe shkaktoi rritje të mëdha të vlerave të aksioneve, obligacioneve dhe shtëpive.

vitet 1980, vlera neto e shtëpive në SHBA u dyfishua në 21.6 trilionë dollarë, sipas të dhënave të FED. Në vitet 1990, ajo u dyfishua sërish në 42.8 trilionë dollarë. Nga ana tjetër, krijimi i pasurisë nxiti një bum të konsumit. Duke u ndjerë më të pasur, amerikanët nisën të kursenin më pak para nga pagat e tyre, dhe të huazonin më shumë për të blerë shtëpi të reja.

Gjatë viteve 1980-2000, shpenzimet e konsumit u rritën nga 61 % deri me 66 % të PBB. Me dollarin e sotëm, kjo do të thotë 1 trilionë shpenzime konsumi shtesë.

Kishte edhe shenja të tjera të favorshme. Ose ashtu dukej. Tregtia globale ishte e fortë. Amerika ishte në mesin e një zhvillimi të madh teknologjik, rreth teknologjive të internetit. Pse të mos ishte optimiste për të ardhmen? Është e vërtetë që huadhënësit po huazonin shumë, dhe huamarrësit po rëndoheshin me shumë në borxhe, por teprimet janë normaliteti i ri, dhe mund të racionalizohen në një ekonomi që qëndronte pranë punësimit të plotë.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të banesave, do t’i mbronte huadhënësit, pasi falimentet nga kreditorët do të mbuloheshin nga shitja e shtëpive. Dhe mania u shtri përtej strehimit. Problemi ishte se i gjithë sistemi financiar u kap nga kjo valë e shfrenuar shpenzimesh. Shuma të mëdha u hodhën në shumë tregje. Bankat, huamarrësit, ekonomistët dhe rregullatorët, të gjithë u mashtruan nga optimizmi shkatërrues.

Nëse lakmia (ligësia e liberalëve), apo rregulloret e gabuara (konservatorët), ishin shkaku kryesor i krizës, atëherë reforma duhet të jetë mjaft e lehtë. Në librin e tyre, Bernanke, Geitner dhe Polson, bëjnë disa sugjerime të ndjeshme, për të zvogëluar shanset që të ndodhë një krizë financiare e ardhshme, dhe për ta trajtuar atë nëse gjithesesi ndodh.

Shumë, në mos shumica, nga këto propozime duhet të miratohen. Por ne duhet të jemi realistë. Leksioni i krizës financiare, është se nuk ishte vetëm prodhimi i rregulloreve optimiste apo kapitalistët e pangopur, ata që e shkaktuan krizën financiare. Ata luajtën një rol, por roli më i madh u luajt nga kombinimi i shumë forcave, të cilat tani në retrospektive, e kuptojmë se mund t’i kontrollojmë me shumë vështirësi.

“The Washington Post” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button