AnalizaMAIN

Çfarë ka ndodhur me fuqinë e butë?

Nga Joseph S. Nye

Ndërsa 2021-shi po i afrohej fundit, Rusia kishte grumbulluar dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit të saj me Ukrainën; Kina kishte dërguar avionë ushtarakë të fluturonin pranë Tajvanit; Koreja e Veriut po ndiqte programin e saj të armëve bërthamore; ndërsa luftëtarët talebanë patrullonin rrugët e Kabulit.

Duke i parë të gjitha këto ngjarje, miqtë më pyetën: “Çfarë ka ndodhur me fuqinë e butë?”.

Një përgjigje është se kjo fuqi mund të gjendet në ngjarje të tjera të kohëve fundit, siç është Samiti virtual për Demokracinë i presidentit amerikan Xho Bajden, ku morën pjesë përfaqësues nga më shumë se 100 vende.

Pasi u përjashtua, Kina deklaroi në media se ajo vetë ka njëlloj demokracie të ndryshme dhe më të qëndrueshme nga ajo me të cilën mburren Shtetet e Bashkuara. Ajo që po shihnim ishte një konkurrencë e fuqive të mëdha mbi fuqinë e butë, e kuptuar si aftësia për të ndikuar tek të tjerët me anë të joshjes dhe jo me anë të imponimit apo pagesave në para.

Kur shkrova për herë të parë mbi konceptin e fuqisë së butë në vitin 1990, synoja të kapërceja një mangësi mbi mënyrën se si analistët mendonin për pushtetin në përgjithësi. Por  gradualisht ky koncept fitoi më shumë një rezonancë politike.

Në disa aspekte, mendimi themelor nuk është i ri. Koncepte të ngjashme mund të gjurmohen që nga filozofët e lashtë si kinezi Lao Ce. Dhe fuqia e butë nuk ka të bëjë vetëm me sjelljen ndërkombëtare apo me SHBA-në.

Shumë vende dhe organizata të vogla kanë gjithashtu fuqinë për të tërhequr të tjerët, dhe të paktën në demokraci, fuqia e butë është një element përbërës thelbësor i lidershipit. Por sot ky koncept është përgjithësisht i lidhur me marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ndërsa Bashkimi Evropian u zhvillua në formën e tij aktuale, liderët evropianë e përdorën gjithnjë e më shumë këtë term. Dhe që nga viti 2007, kur presidenti i atëhershëm kinez Hu Xhintao deklaroi se Kina duhet të zhvillojë fuqinë e saj të butë, qeveria kinez ka investuar miliarda dollarë në këtë fushë.

Tani sfida është që Kina të zbatojë një strategji efektive të fuqisë inteligjente. Nëse ajo do të mundet të bashkojë efektivisht fuqinë e saj të fortë në rritje me fuqinë e butë, do të ketë më pak gjasa të provokojë krijimin e koalicioneve kundër-balancuese ndaj fuqisë së saj.

Fuqia e butë nuk është i vetmja, dhe as burimi më i rëndësishëm i pushtetit, sepse efektet e tij priren të jenë të ngadalta dhe indirekte. Por të shpërfillësh apo ta neglizhosh atë, është një gabim i rëndë strategjik dhe analitik. Fuqia e Perandorisë Romake mbështetej jo vetëm tek legjionet e saj, por edhe në tërheqjen e popujve nga kultura dhe ligjet romake.

Po ashtu siç e përshkroi dikur një analist norvegjez, prania e Amerikës në Evropën Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore ishte “një perandori e ftuar”. Asnjë breshëri artilerie nuk e rrëzoi Murin e Berlinit. Ai u rrëzua nga çekiçët dhe buldozerët e përdorur nga qytetarët e lindjes të prekur nga fuqia e butë perëndimore.

Udhëheqësit e zgjuar e kanë kuptuar prej kohësh se vlerat mund të krijojnë pushtet. Në rast se mund t’ju bëj që të doni atë që unë dua edhe unë, nuk kam nevojë t’ju detyroj të bëni atë që nuk dëshironi ta bëni. Nëse një vend përfaqëson vlera që të tjerët i konsiderojnë tërheqëse, ai mund të kursejë përdorimin e shkopinjve dhe karotave.

Fuqia e butë e një vendi vjen kryesisht nga tre burime:kultura; vlerat e tij politike, si demokracia dhe të drejtat e njeriut (kur i mbështet ato); dhe politikat kombëtare (kur ato shihen si legjitime, pasi janë të përshtatura me ndërgjegjësimin për interesat e të tjerëve).

Një qeveri mund të ndikojë tek të tjerët nëpërmjet shembullit të mënyrës se si sillet në shtëpi (për shembull duke mbrojtur shtypin e lirë dhe të drejtën për të protestuar), në institucionet ndërkombëtare (duke u konsultuar me të tjerët dhe duke nxitur multilateralizmin), dhe nëpërmjet politikës së saj të jashtme (si për shembull duke promovuar zhvillimi dhe të drejtat e njeriut).

Gjatë pandemisë së Covid-19, Kina është përpjekur të përdorë të ashtuquajturën “diplomaci të vaksinave” për të forcuar fuqinë e saj të butë, e cila ishte dëmtuar nga trajtimi i fshehtë dhe aspak transparent i përhapjes së parë masive të koronavirusit në Vuhan.

Përpjekjet e qeverisë kineze synonin përforcimin e nismës së saj “Një Brez, Një rrugë”, e cila mbështet projektet e infrastrukturës në shumë pjesë të botës. Por sondazhet ndërkombëtare, tregojnë se rezultatet kanë qenë zhgënjyese.

Për sa i përket pëlqyeshmërisë, Kina mbetet pas SHBA-së në të gjitha kontinentet, përveç Afrikës, ku të dy vendet janë në pozita të barabarta. Një arsye për nivelin më të ulët të fuqisë së butë të Kinës, është ndjekja prej saj e fuqisë së fortë në zbatim të një politike të jashtme gjithnjë e më nacionaliste.

Kjo sjellje është shfaqur e plotë në ndëshkimin ekonomik të Kinës ndaj Australisë, dhe në operacionet e saj ushtarake në kufirin me Indinë në vargmalet Himalaja. Kina ka një problem real me fuqinë e butë. Tek e fundit, është e vështirë të praktikosh në të njëjtën kohë “diplomacinë e vaksinave” dhe “diplomacinë e ujkut-luftëtar”(goditje agresive, masa shtrënguese ndaj vendeve më të vogla).

Ndërkohë sondazhet ndërkombëtare tregojnë një rënie edhe të SHBA-së në aspektin e fuqisë së saj të butë gjatë presidencës së Donald Trump. Por fatmirësisht Amerika është më shumë sesa qeveria e saj. Në dallim nga asetet e fuqisë së ashpër (si për shembull forcat e armatosura), shumë burime të fuqisë së butë janë të ndara nga qeveria, dhe i përgjigjen vetëm pjesërisht qëllimeve të saj.

Për shembull, filmat e Hollivudit që përshkruajnë gra të pavarura ose minoritete që protestojnë për të drejtat e tyre, frymëzojnë të tjerët në mbarë botën. Të njëjtën gjë bën edhe puna bamirëse e fondacioneve amerikane dhe liria e mendimit në universitetet amerikane.

Kompanitë, universitetet, fondacionet, kishat dhe lëvizjet e protestës zhvillojnë dhe ushtrojnë rregullisht fuqinë e tyre të butë.

Ndonjëherë aktivitetet e tyre do të përforcojnë qëllimet zyrtare të politikës së jashtme, dhe ndonjëherë ato do të jenë në kundërshtim me të. Në çdo rast, këto burime private të fuqisë së butë janë gjithnjë e më të rëndësishme në epokën e mediave sociale.

Sigurisht, kryengritja e 6 janarit 2021 në Capitol Hill në Uashington, e dëmtoi fuqinë e butë të SHBA-së. Por ata që po vajtojnë para kohe vdekjen e demokracisë amerikane, duhet të mos harrojnë se zgjedhjet e 2020-ës patën një pjesëmarrje të paprecedentë pavarësisht pandemisë.

Pra populli amerikan është ende në gjendje të rrëzojë një demagog nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë se çdo gjë shkon si duhet në demokracinë amerikane apo fuqinë e saj të butë. Trump shkatërroi shumë norma demokratike që tani duhet të rivendosen.

Bajden e ka përcaktuar si prioritetin kryesor të presidencës së tij forcimin e demokracisë brenda dhe jashtë vendit, por rezultatet mbeten të shihen. Askush nuk mund të jetë i sigurt për trajektoren e ardhshme të fuqisë së butë të çdo vendi.

Por s’ka asnjë dyshim se ndikimi nëpërmjet joshjes, do të mbetet një faktor i rëndësishëm i politikës botërore. Siç u shpreh dikur Mark Tuein në një batutë: “Raportet mbi vdekjen time janë shumë të ekzagjeruara!”. E njëjta gjë vlen edhe për fuqinë e butë.

Shënim: Joseph S.Nye, profesor në Universitetin e Harvardit dhe autor i librit “A ka rëndësi morali? Presidentët dhe politika e jashtme nga Ruzvelti tek Trump”.

Back to top button