Analiza

Çfarë ndodh kur udhëheqësit shpërfillin të vërtetën?

Nga Peter Pomerantsev

“The Guardian”

I plotfuqishmi duhej të kishte frikë nga e vërteta. Gazetarët synonin “ta mbanin të vërtetën në pushtet”. Provat kishin për qëllim të shkatërronin keqbërësit, ashtu si rrezet e diellit bëjnë me një vampir. Logjika ishte e thjeshtë:”gjej provat, dhe të fuqishmit mund të poshtërohen, dhe të nxirren para drejtësisë”.

Historikisht, të plotfuqishmit janë përpjekur të censurojnë dhe shtypin faktet. Nazistët u përpoqën ta mbanin të fshehur të vërtetën mbi mizoritë e tyre. Udhëheqja sovjetike do të sikletosej jo pak, sa herë që disidentët i kalonin botës së jashtme informacione mbi kushtet e tmerrshme nëpër gulagë.

Në SHBA, presidenti Richard Nixon u rrëzua pasi u zbuluan faktet e përgjimit të kundërshtarëve të tij politikë, dhe për shkak të fshehjes që u përpoq t’i bënte fakteve. Por çfarë ndodh kur të pushtetshmit pushojnë së pasuri fikë nga e vërteta, madje shfaqin shpërfilljen e tyre për të, siç e shohim në sjelljen e Vladimir Putinit në Rusi dhe Donald Trump në Amerikë?

Pse është zhdukur turpi, dhe pse po mbretëron kultura e mosndëshkimit? A jemi tani të pafuqishëm për të kërkuar llogari nga të plotfuqishmit? Në SHBA, Trump e përsëri sërish këtë sjellje javën e kaluar. Gjatë një dëgjese televizive në CNN, gazetarja Katie Collins u përpoq ta “gozhdonte” me një mori provash dhe argumentesh racionale.

Por ai thjesht u kënaq duke hedhur poshtë çdo të vërtetë apo logjikë mendimi. Sipas Trump, zgjedhjet presidenciale që ai i humbi në 2020-ën ishin “të manipuluara”, pavarësisht se nuk kishte asnjë provë për pretendime të tilla.

Ndërkohë gazetarja dhe shkrimtarja E.Jean. Carroll, për të cilën një juri civile e shpalli Trumpin fajtor për shpifje dhe abuzim seksual, ishte thjesht një “e çmendur”. Kur Collins i përmendi çështjen e dokumenteve të klasifikuara që kishte marrë me vete nga Shtëpia e Bardhë në rezidencën e tij private, ai e cilësoi atë si një “njeri të lig”.

Publiku në New Hampshire, plot me fansa të Trump, brohoriste me entuziazëm. Në vend se të “përballej dhe jepte llogari” me të vërtetën, Trump ia hodhi paq, duke mos dhënë asnjë shpjegim për shkeljet e shumta. Por pse mbështetësit e tij kënaqen kaq shumë nga sjellje të tilla?

Para së gjithash, ekziston një lehtësim i fuqishëm psikologjik, që buron nga hedhja poshtë peshës së fakteve dhe kufizimeve të realitetit të zymtë. Faktet janë përgjithësisht gjëra të pakëndshme. Por ato janë të dobishme për politikanët që po përpiqen të krijojnë një lloj prove, se politika e tyre e madhe po funksionon.

Por Trump nuk kishte politika të qëndrueshme gjatë në viteve të tij në presidencë:ai mund të jetë më i djathtë se të djathtët, dhe më pas zhvendoset majtas kur i përshtatet. Që kur guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, rivali i tij në krye të Partisë Republikane, është përpjekur të tregojë se është më konservator se sa Trump – dhe shumica e amerikanëve – për çështje të tilla si aborti, Trump e ka bërë veten të duket më liberal.

Nga ana tjetër Trump nuk ka ndonjë ideal, me të cilin ju mund ta turpëroni nëse del se ai e ka tradhtuar. Përkundrazi, ai i bën thirrje një ndjenje të pakënaqësisë së pastër, ku hedhja poshtë të gjitha formave të autoritetit dhe përgjegjësisë – autoriteti i logjikës, idealet, politikat racionale, “elitat” – është ajo që e bën atë tërheqës për njerëzit.

Megjithatë, në një demokraci si SHBA-ja, realiteti mund të hakmerret shumë shpejt. Refuzimi i fakteve rreth Covid-19 nga ana e Trump i kushtoi atij zgjedhjet e vitit 2020.

Çdo muaj që kalon, ka më shumë çështje gjyqësore që po mblidhen kapicë kundër tij.

Ndër akuzat me serioze, është ajo që ka të bëjë me përpjekjen për të detyruar zyrtarët në Georgia të numëronin më shumë vota në favor të tij në vitin 2020. Fox News, rrjeti televiziv mbështetës i Trump, që ka prodhuar dhe përhapur me vetëdije teori konspirative që mbështesin pretendimet e ish-presidentit për një palë zgjedhje “të manipuluara”, sapo i ka paguar 787 milionë dollarë kompanisë që e akuzoi për falsifikimin e votave.

Putin ka më pak kufizime. Në dallim nga diktatorët e mëparshëm luftënxitës, ai as që përpiqet t’i fshehë krimet e tij dhe synimin për të kryer gjenocid në Ukrainë. Putin dhe propagandistët e tij flasin hapur për dëshirën e tyre për të shkatërruar identitetin dhe sovranitetin ukrainas, për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas dhe riedukimin e tyre me forcë në Rusi.

Ushtria ruse bombardon vazhdimisht maternitetet, shkatërron infrastrukturën civile dhe qytete të tëra në Ukrainë. Putin dëshiron të tregojë se mund të kryejë hapur vrasje masive dhe askush nuk mund të bëjë asgjë për ta ndalur këtë. Ai dëshiron të krijojnë një hendek shumë të madh midis së vërtetës dhe drejtësisë në mënyrë, që të prishet plotësisht lidhja midis të dyve.

Por pushtimi rus i Ukrainës, mund të jetë gjithashtu një pikë kthese:kultura e mosndëshkimit që e ka ndihmuar Putinin, ka filluar të përballet me nisma novatore, të mëdha dhe të vogla. Që nga fillimi i luftës, unë kam punuar me gazetarë dhe avokatë në “Reckoning Project” për të ndihmuar në “shpejtimin” e dhënies së drejtësisë mbi mizoritë.

Juristët dhe gazetarët nuk punojnë shpeshherë së bashku. Por në këtë rast, të dyja palët janë në të njëjtën anë. Ekipet e reporterëve ukrainas të trajnuar në ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, po mbledhin prova të mizorive në terren përmes dëshmive të viktimave. Më pas bazuar në këto prova, ne krijojmë përmbajtje mediatike për “gjykatën e opinionit publik”. Ndërkohë ekipi ynë ligjor i zhvillon çështjet më tej dhe përgatit akuzat. Zakonisht, rastet e krimeve të luftës, dalin në gjykatë shumë kohë pas përfundimit të një konflikti. Sidoqoftë në këtë luftë, ne duhet t’i përgatisim dosjet që tani ndërsa konfliktin vazhdon.

Por kur reflektojmë mbi drejtësinë, ne duhet të shkojmë përtej rasteve të modës së vjetër të krimeve të luftës, ku në gjyq nxirret një gjeneral ose politikan. Ndërsa kjo është padyshim e rëndësishme, pritja për këtë gjë mund të marrë shumë kohë. Për më tepër, disa pjesëtarë të elitës së Putinit, janë shumë krenarë që akuzohen për krimet.

Sepse në këndvështrimin e tyre, kjo tregon besnikërinë e tyre ndaj udhëheqësit. Prandaj ne duhet të zgjerojmë konceptin tonë se si mund të arrihet drejtësia. Dhe një nga idetë më novatore të artikuluara kohët e fundit vjen nga Ilona Khmeleva e Këshillit të Sigurisë Ekonomike të Ukrainës dhe studioja ligjore britanike Mçue Jury.

Ata propozojnë një gjykatë të drejtësisë ekonomike, e cila do të gjykojë se si të sekuestrohen asetet ndërkombëtare të shtetit rus dhe oligarkëve të tij, dhe t’i shpërndahen ato tek viktimat specifike të agresionit rus. Unë do të shtoja edhe një propozim tjetër:gjoba miliarda dollarëshe kundër kompanive dhe lehtësuesve perëndimore, që vazhdojnë të mbështesin makinerinë e luftës të Putinit pavarësisht sanksioneve të vendosura.

Një gjykatë e tillë do të garantonte kompensim të pranueshëm për viktimat, dhe do të minonte sistemin e korruptuar global që ka krijuar Putin, dhe ekzistencën e të cilit ai e përdor për të provuar se sa e çimentuar është fuqia e tij. Propaganda e brendshme e Putinit mburret sesa mbështetës ka në të gjithë botën:nga Victor Orban në Hungari tek Donald Trump në SHBA.

Kremlini thotë ndër të tjera:Presidenti amerikan Joe Biden u përpoq të na izolojë, por ai është shumë i dobët dhe të gjithë kanë nevojë për naftën, gazin dhe metalet tona. Sondazhet në Rusi tregojnë se rusët priren t’i besojnë kujtdo që është në pushtet:e vërteta nuk  është një vlerë në vetvete, por një nëngrup i pushtetit.

Një sondazh i fundit nga instituti Open Minds, ka arritur në përfundimin se rusët priren të besojnë se “qeveria ka të drejtë, vetëm sepse është qeveria dhe ajo ka pushtetin”. Nëse Putini mund të tregojë se është i fuqishëm, përmes mosndëshkimit në nivel global dhe fitores në fushën e betejës, atëherë atij “i duhet besuar”.

Ndaj mposhteni atë në fushën e betejës, minojeni sistemin e tij në gjykata dhe do të nisë të shkërmoqet edhe fuqia e tij në diktimin e realitetit. Nuk është vetëm e vërteta ajo që të çon drejt drejtësisë, por edhe drejtësia të çon tek e vërteta.

Back to top button