A ka më shumë mundësi për sukses, dikush që bën çmos të bjerë në sy të eprorëve në punë? Jo. Edhe në punë, bashkëpunimi dhe solidariteti janë shumë më dobiprurëse sesa egoizmi. Në këtë përfundim kanë arritur 2 studime nga Universiteti i Kalifornisë në SHBA. Pjesëmarrësit u vlerësuan me një test personaliteti, përpara se të hynin në tregun e punës. Pastaj u kontaktuan sërish 14 vjet më vonë, për të zbuluar se çfarë pozicioni pune kishin.
Studiuesit i pyetën ata se si i kishin arritur qëllimet e tyre profesionale dhe qëndrimet që kishin mbajtur, si dhe mbi gatishmërinë për të ndihmuar të tjerët apo e kundërta sjelljet abuzive. Kështu u vu re se njerëzit agresivë dhe manipulues, nuk kishin arritur qëllime më të lakmuara se sa ata që nga ana tjetër, kishin ecur përpara në karrierë përmes bujarisë, besnikërisë dhe dashamirësisë.
Anasjelltas, ata që janë të prirur të sillen mirë me të tjerët, kanë më shumë shanse të kenësukses. Në teori, një qëndrim frikësues mund të favorizojë ngjitjen e dikujt në pushtet. Por
në dinamikën e kompanive ekzistojnë disa variabla që e bëjnë joefektive një sjellje të tillë: egoistët kanë marrëdhënie ndër–personale më të dobëta, dhe kjo anulon çdo avantazh që mund t’i sillnin veprimet e tyre të paskrupullta.
Një studim tjetër në SHBA, i kryer nga Universiteti i Kolorados, së bashku me Institutin Kombëtar për Plakjen dhe Shkollën e Shëndetit Publik Xhon Hopkins, ka identifikuar 2tipare kryesore për një karrierë të shkëlqyer, për sa kohë që i keni të dyja:kush është emocionalisht i qëndrueshëm (ka një kontrolli të mirë të emocioneve dhe impulseve, nuk është shumë i shqetësuar dhe i ndjeshëm ndaj stresit) dhe në të njëjtën kohë, i ndërgjegjshëm (pra i përgjegjshëm dhe këmbëngulës) ka të ardhura më të larta, dhe është më i kënaqur me punën e tij.
Për më tepër sipas një studimi të uebsajtit “CareerBuilde”, besueshmëria, fleksibiliteti, efektiviteti i komunikimit dhe aftësia për të performuar mirë edhe nën presion, janë cilësitë më të vlerësuara nga punëdhënësit.
Po ashtu janë të rëndësishme shpejtësia e përshtatjes dhe zgjidhja e problemeve, por edhe aftësia për t’i udhëhequr dhe motivuar të tjerët. Nga ana tjetër, të thuash gjithmonë dhe vetëm “po”, mund të jetë kundër–produktive.
Kjo pasi kompanitë kanë nevojë për njerëz që mendojnë në mënyrë të pavarur, dhe që shprehin hera-herës mendimin e tyre kundër në lidhje me një çështje për të mirën e sipërmarrjes. Pra të dish se si të vendosësh dhe të marrësh iniciativën, si dhe të marrësh përgjegjësi, është një dhunti thelbësore për ata që aspirojnë të zënë poste drejtuese. / Focus – Bota.al