AnalizaCovid19MAIN

Covid-19 dhe liria e njeriut

Nga Joseph E. Stiglitz

“Project Syndicate”

Rritja e rasteve të reja me Covid-19, e shtrimeve në spital, por edhe vdekjeve në Shtetet e Bashkuara kohët e fundit, na shërben si një kujtesë e hidhur se pandemia nuk ka përfunduar. Se ekonomia globale nuk do të rikthehet në normalitet, derisa kjo sëmundje të vihet kudo nën kontroll.

Por rasti i Amerikës është një tragjedi e vërtetë, pasi ajo që po ndodh aktualisht këtu, është tërësisht e shmangshme. Ndërsa njerëzit në tregjet dhe vendet në zhvillim janë të dëshpëruar  për të marrë vaksinën (shumë prej tyre vdesin, për shkak se nuk mund ta marrin), furnizimi me vaksina i SHBA-së është i mjaftueshëm për të siguruar marrjen e 2 dozave – dhe tani edhe të një doze përforcuese – për të gjithë qytetarët.

Dhe nëse do të vaksinoheshin pothuajse të gjithë, Covid-19 me siguri që do të “largohej”, siç u shpreh dikur ish-presidenti Donald Trump. E megjithatë, jo shumë njerëz në SHBA janë vaksinuar për të parandaluar variantin shumë më infektiv Delta.

Dhe kjo ka çuar në shtimin e frikshëm të rasteve të reja në shumë zona. Si ka mundësi që në një vend me njerëz në dukje të mirë-arsimuar, të ketë kaq shumë njerëz që sillen në mënyrë joracionale, kundër interesave të tyre, kundër shkencës dhe kundër mësimeve që ka lënë si trashëgimi historia?

Një pjesë e përgjigjes ndaj kësaj pyetje, është se me gjithë pasurinë e saj SHBA-ja nuk është aq shumë e arsimuar sa mund të pritej. Kjo reflektohet në performancën krahasuese ndërkombëtare të vendit në vlerësimet e standardizuara.

Në shumë pjesë të vendit – përfshirë disa me shkallët më të larta të rezistencës ndaj vaksinimit – arsimimi shkencor është veçanërisht i dobët, për shkak të politizimit të çështjeve themelore si evolucioni dhe ndryshimi i klimës, të cilat në shumë raste janë përjashtuar nga kurrikulat shkollore.

Në këtë mjedis, dezinformatat mund të fitojnë simpatinë e shumë njerëzve. Dhe platformat e mediave sociale, të izoluara nga përgjegjësia ndaj asaj që transmetojnë, e kanë bërë një model biznesi maksimizimin e“angazhimin e përdoruesit” duke përhapur dezinformata të shumta, përfshirë edhe mbi pandeminë e Covid-19 dhe vaksinat.

Por pjesa kryesore e përgjigjes, është një keqinterpretim i thellë, sidomos midis të drejtave, dhe lirive individuale. Ata që refuzojnë të mbajnë maska apo të respektojnë distancimin social, deklarojnë shpesh se kërkesat për ta bërë këtë cenojnë liritë e tyre.

Por liria e një personi është “jo-liri” për një person tjetër. Nëse refuzimi i tyre për të mbajtur një maskë apo për t’u vaksinuar, sjell prekjen e të tjerëve me Covid-19, atëherë sjellja e tyre po ua mohon të tjerëve të drejtën më themelore, atë të jetës.

Thelbi i çështjes është se në një pandemi, veprimet e një personi ndikojnë në mirëqenien e

të tjerëve. Dhe sa herë që ka ngjarje të tilla, mirëqenia e shoqërisë kërkon një veprim kolektiv:pra rregullore për të kufizuar sjelljet e dëmshme shoqërore, dhe për të promovuar sjellje nga të cilat përfiton e gjithë shoqëroria.

Çdo shoqëri ku sundon ligji përfshin disa kufizime. Por ndërsa ndalimet kundër vrasjes, vjedhjes dhe kështu me radhë e kufizojnë lirinë e një individi, ne të gjithë e kuptojmë se shoqëria nuk mund të funksionojë pa to.

Në botën tonë post-Covid, ne mund të interpretojmë edhe Dhjetë Urdhërimet që Zoti i dha Moisiut për njerëzit përfshirë:”Mos vrit, përmes përhapjes së sëmundjeve infektive kur mund ta shmangësh këtë gjë”.Në mënyrë të ngjashme mund të themi “Ti do të vaksinohesh!”.

Çdo shkelje e lirisë së një individi përmes kërkimit të vaksinimeve të sigurta dhe shumë efektive ndaj Covid-19,është e zbehtë në krahasim me përfitimet shoqërore por dhe ato ekonomike të shëndetit publik. Është logjike të kërkohet që të gjithë individët, me disa përjashtime mjekësore, të vaksinohen.

Ndërsa shumë qeveri duket se janë shumë të ndrojtura për ta imponuar këtë kërkesë, punëdhënësit, shkollat ​​dhe organizatat shoqërore – çdo aktivitet i organizuar që i bën bashkë individët – duhet që ta bëjnë këtë.

Siç kemi mësuar gjatë18 muajve të fundit, shëndeti global është një e mirë publike globale. Për sa kohë që sëmundja po përhapet me shpejtësi në disa pjesë të botës, rritet edhe rreziku i një mutacioni më vdekjeprurës, më infektiv dhe më rezistent ndaj vaksinave.

Por në shumicën e botës, problemi nuk është rezistenca ndaj vaksinimit, por një mungesë e madhe e vaksinave. Me sa duket, sektori privat nuk është në gjendje të rrisë prodhimin për të siguruar furnizimin e duhur. A po ndodh kjo për shkak se prodhuesve të vaksinave u mungon kapitali?

A ka mungesë të flakonëve apo shiringave? Apo sepse ata shpresojnë se më pak doza, do të çojnë në çmime më të larta, dhe kësisoj në fitime edhe më të mëdha? Një ndër barrierat kryesore për një furnizim më të madh me vaksina, është qasja në pronësinë intelektuale.

Kjo është arsyeja pse heqja dorë nga kjo e fundit po diskutohet në Organizatën Botërore të Tregtisë. Ndërkohë duke pasur parasysh urgjencën dhe shkallën e sfidës që ka sjellë kjo pandemi, nevojiten më shumë përpjekje:Ndër hapat që mund të ndërmarrë administrata e presidentit amerikan Joe Biden është të evokojë Aktin e Prodhimit për Mbrojtje, dhe të shfrytëzojë pronësinë e qeverisë federale mbi patentat kryesore.

SHBA-ja i ka lejuar kompanitë farmaceutike që ta përdorin lirshëm këtë pronësi, ndërsa ato kanë korrur miliarda dollarë fitime. Tani SHBA-ja duhet të përdorë çdo instrument që ka në dispozicion, për të rritur prodhimin brenda dhe jashtë vendit.

Edhe kjo është më se logjike. Edhe nëse kostot e vaksinimit global do të arrinin në dhjetëra miliarda dollarë, kjo shumë nuk do të kishte të krahasuar me kostot që sjellin valët  vazhdueshme të Covid-19 për jetën, jetesën dhe ekonominë botërore.

Shënim: Joseph E.Stiglitz, fitues i Çmimit Nobel në ekonomi dhe profesor në Universitetin e Kolumbias, Nju Jork. Ai ka qenë ekonomisti kryesor i Bankës Botërore në vitet1997-2000, dhe kryetar i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë të presidentëve të SHBA-së.

Back to top button
Close
Close