“Nuk ka asgjë më të kollajtë se sa të ushqesh iluzione. Sepse njeriu atë që dëshiron, e beson edhe për të vërtetë.
Demosteni
Problemi i dezinformimit nuk është sigurisht i ri. Por është vërtet paradoks që ai është rikthyer të jetë kaq qendror, në epokën e digjitalizimit të informacionit dhe qasjes më të lirë, të shpejtë dhe të decentralizuar tek ai. Kurrë më parë njerëzimi nuk ka përjetuar diçka të tillë. Liria e shprehjes nuk është më e shoqëruar vetëm me lirinë për të informuar dhe për t’u informuar, por është shtrirë edhe tek liria për të dezinformuar apo për t’u ekspozuar ndaj dezinformimit.
Si është e mundur që dezinformimi triumfon edhe në një shoqëri ku, mjafton që të kalosh pak kohë në internet, dhe mund të verifikosh lajme, duke shfrytëzuar pikërisht sasinë e madhe të informacionit që ai ofron?
Sot është shumë e kollajtë të verifikosh, me vetëm pak klikime, nëse jemi përballë një sajese, apo një episodi të vërtetë, të nxjerrë nga konteksti, apo i futur në një kontekst të gënjeshtërt, me qëllim që të na duket ashtu siç NUK është.
E megjithatë, informacioni i keq dhe i rremë përhapet dhe bëhet viral, falë dembelizmit dhe mbi të gjitha, njëanshmërisë që na karakterizon. Na pëlqen të besojmë që është e vërtetë, siç thoshte Demosteni, ajo që dëshirojmë. Dhe koha që vëmendja jonë ka në dispozicion është kaq e pakët, saqë kemi shumë pak dëshirë për të verifikuar lajmet që na i ofron një algoritëm, apo një gazetar. As edhe veprimtaria heroike e kontrolluesve të pavarur të fakteve, sipas disa studimeve të kohëve të fundit, nuk arrin që të na i ndryshoojë idetë e bazuara mbi lajmet e rreme. Madje në disa raste, këmbëngulja për të vërtetat i lodh ata që besojnë dhe ushqen komplotizmin.
Eshtë fakt se strategjitë e dezinformimit po shohin një sukses në rritje, pikërisht në epokën kur liria e shprehjes ka shpërthyer maksimalisht. Ato kanë gjetur vend në fusha të ndryshme që kanë lidhje me jetën tonë, si politikat mjedisore, politikat shëndetësore, politikat e migrimit, politikat e bashkëpunimit mes shteteve dhe zgjedhjet që bëjnë institucionet ndërkombëtare, e sidomos zgjedhjet.
Janë të gjitha tema që kanë peshë publike dhe që përcaktojnë agjendat për të ardhmen. Dhe strategjitë e dezinformimit që kanë këto në shënjestër, mund të ndikojnë rëndë mbi sjelljet e individëve dhe shoqërive, si dhe vetë rezultatet e politikave publike në mbrojtje të qytetarëve.
Për këtë arsye, çështja e dezinformimit është ngushtësisht e lidhur me brishtësinë dhe aftësinë rimëkëmbëse të demokracive moderne: si mund të hartohen politikat më të mira publike, nëse informacioni mbi faktet, i cili duhet të orientojë politikat publike, është i ndotur?
Si mund të zgjedhim se cilat politika publike duhen adresuar, nëse jemi gjithnjë e më të dezinformuar?
E drejta për të informuar dhe për t’u informuar, e cila gjen vend dhe garantohet në shumë kushtetuta, a duhet të shtrihet edhe tek e drejta për të mos u dezinformuar?
Sa dezinformim mund të përballojë brishtësia e demokracive tona?
Dhe si mund t’u kundërvihemi strategjive të dezinformimit, duke ruajtur një mjedis informues pluralist dhe të lirë për t’u shprehur?
Rregullat e moderimit të materialeve në Internet duhet të vazhdojnë që të jenë një fushë autonome vendimesh dhe zbatimi të platformave online, apo është e nevojshme që të futen rregulla publike transparence dhe përgjegjshmërie?
Dhe në fund, si duhet ta trajtojmë dezinformimin e nxitur edhe në mediat tradicionale, të cilat të ruajnë përgjegjshmërinë editoriale të përmbajtjes?
Propaganda dhe strategjitë e dezinformimit janë të lashta. Jemi mësuar t’i pikasim, në marrëdhëniet mes pushtetit dhe lirisë, në shumë epoka, duke përfshirë edhe epokën paradigjitale, në të cilën në mediat tradicionale dhe mediat e mëdha ishte gjithësesi më e vogël mundësia për të pasur qasje të drejtpërdrejtë në informacion, siç na ndodhu kur erdhi epoka digjitale.
Madje në shumë raste, sfidat e lirisë dhe të dëshmisë së drejtpërdrejtë, të mundësuara nga shoqëria digjitale, na kanë mundësuar që të kontrollojmë dhe t’i heqim maskën pikërisht dezinformimit të organizuar, i cili vërtitet edhe tek mediat tradicionale.
Në të njëjtën kohë, Rrjeti, ashtu siç është zhvilluar, sipas thirrjes së alarmit që ka lëshuar vetë krijuesi i tij Tim Berners-Lee, duket se ofron një terren të privilegjuar për dezinformimin e organizuar. Përveç kësaj, në arkivin e gjallë të internetit, dezinformimi është një klikim larg, gjithmonë i pranishëm, gjithmonë aktual, i përforcuar nga vetë ne dhe nga algoritmet që na e përhapin, indiferent ndaj përgënjeshtrimeve e madje edhe ndaj gjykimit të historisë.
Si ndodhi që u transformua tregu i informimit (dhe dezinformimit)? Si ndikon sot ky transformim në marrëdhëniet mes pushteteve dhe lirisë? Cilat rregulla mund të imagjinojmë, me qëllim që të rikthejmë një pluralizëm origjinal si dhe një dallim sa më të saktë midis fakteve dhe opinioneve, pa u penguar nga censura?
Nëse do të kthejmë kokën pas, do të shohim se vitet 2020 dhe 2021 ishin një pikë zhvillimi kur vjen fjala tek dezinformimi. Ishin vitet e Covid-19 dhe zgjedhjeve në SHBA. Dezinformimi mori përmasa globale: informacione të shtrembëruara, të pabazuara në fakte, emocionale nisën t’u duken shumë njerëzve, më të besueshme se sa faktet e thjeshta.
Përzgjedhja automatike e materialeve online, e cila kontrollohet prej algoritmeve, është e domosdoshme për të na bërë të mundur që të orientohemi në oqeanin e madh të informacioneve, mes të cilëve e kemi shumë të vështirë të zgjedhim.
Kjo përzgjedhje është megjithatë e bazuar në të dhënat tona dhe në zgjedhjet tona në internet. Dhe ajo, na kthen neve vetëm atë pjesë të vogël të përmbajtjes dhe informacioneve që me probabilitet mund të na interesojnë. Pashmangshmërisht, puna e algoritmevenuk është neutrale sa i përket asaj që ne kërkojmë dhe asaj që në ofrohet në internet. Për këtë arsye, ajo mund të luajë një rol në rritje sa i përket polarizimit politik dhe ekstremizimit mes grupeve rivale politiko-kulturore, për shumë tema.
E gjithë kjo na shpie në një konkluzion alarmant: nuk jemi të zhytur në një treg të hapur idesh, në të cilin liria e informimit mundëson përballjen e opinioneve të ndryshme, duke çuar përpara shoqërinë, në të cilin konkurrenca mes informacioneve të lira është mekanizmi që i vetëm prodhon një liri origjinale zgjedhjeje, në të cilin liria e shprehjes dhe vërtetësia e fakteve ushqejnë njëra-tjetrën.
Për fat të keq, jemi gjithmonë e më të zënë në kurthin e një tregu të të vërtetave ku blihen dhe shiten fakte të ngjashme, në funksion të emocioneve që munden të nxisin. E vërteta e fakteve është futur në një treg kërkesë-oferte, edhe falë përhapjes së algoritmeve.
Por ky transformim, nga tregu i dikurshëm i ideve, për të cilin fliste John Stuart Mill, për në tregun e sotëm të të vërtetave, prodhon edhe viktima. Këto janë pluralizmi i informimit dhe hapja përballë debatit të ushqyer prej fakteve të verifikuara, dhe që janë kaq thelbësore për shëndetin e demokracive tona.
Si mund të dalim? Duhet thjesht të presim? T’ia lëmë tregut të të vërtetave mundësinë që të kapërcejë vetveten? Duhen rregulla të reja, që u besohen kontrollorëve të pavarur? Po cilët do të ishin këta? Si mund ta mbështesim pluralizmin informativ, duke e mbrojtur atë njëkohësisht nga infektimi prej dezinformimit?
Përgjigja nuk është e kollajtë, për shkak se ajo ndikon mbi liritë tona dhe mbi marrëdhënien mes pushteteve publike dhe pushteteve private. Por një gjë e dimë me siguri: rregullat që kemi hartuar për të qeverisur tregun e dikurshëm të ideve na duken sot të papërshtatshme, në mos të dëmshme, nëse i zbatojmë në tregun e të vërtetave. Të mendosh se pluralizmi i ideve përkon me pluralitetin e burimeve të informimit mund të prodhojë ekuivokë dhe iluzione të reja. Si për shembull iluzioni që, rritja e ofertës së informacionit rrit automatikisht pluralizmin.
Sepse në tregun e të vërtetave ajo që nuk mungon nuk është oferta e informacioneve, por hapja për t’u përballur dhe rezistenca ndaj dezinformimit, aq sa po shkëmbehen gjithnjë e më pak ide dhe opinione, të paktën në kuptimin që e kishte John Stuart Mill.
Shkëputur nga: “Tregu i të vërtetave”, Antonio Nikita
TruthHub – Bota.al