EkonomiMAIN

E ardhmja e Euros është e pasigurt

Nga Ross Clark

Një dekadë më parë, Evropa doli shpejt nga kriza financiare e viteve 2008-2009, vetëm për t’u zhytur në krizën e borxhit sovran të vitit 2010. Ndërsa ekonomia globale po tkurrej, Greqia, Italia dhe Spanja shpëtuan nga falimentimit për shkak të  ndihmës që u dha Banka Qendrore Evropiane, pasi investitorët e humbën besimin tek aftësia e tyre paguese, dhe hezituan t’u  japin kredi të reja.

Masat e forta të kursimit të imponuara ndaj ekonomisë greke, si një kusht për paketën e shpëtimit, e kërcënuan seriozisht stabilitetin politik. A mund të ndodhë sërish e njëjta gjë? A do të dalë Evropa nga gropa shumë e thellë ekonomike e krijuar nga pandemia e Covid-19, vetëm për të rrëshqitur në një krizë të borxhit sovran?

Për momentin, ky duket si një skenar i largët, për shkak se kriza e shkaktuar nga pandemia është ende duke u thelluar. Një valë e tretë goditëse e pandemisë ka detyruar Francën, Gjermaninë dhe të tjerët të futen sërish në bllokime, të  cilat ata kishin shpresuar t’i shmangnin.

Gjithsesi, që tani ka shenja paralajmëruese se borxhi sovran mund ta minojë edhe një herë rimëkëmbjen e mundshme ekonomike. Sipas një analize të “Financial Times”, ka pasur një rritje të ndjeshme të ekspozimit të bankave në eurozonë ndaj letrave me vlerë dhe kredive të lëshuara nga qeveritë kombëtare, që në total është rritur nga 140 miliardë në 2.1 trilionë paund gjatë 12 muajve të fundit.

Kriza e viteve 2008-2009 zbuloi një problem tek euro, për të cilin kritikët kishin paralajmëruar prej kohësh, por që ishte injoruar nga promovuesit e saj. Një vend i eurozonës që e gjen veten në probleme ekonomike, nuk ka asnjë mundësi që ta zhvlerësojë monedhën e tij, në mënyrë që t’i bëjë më tërheqëse eksportet e saj,dhe të rrisë në këtë mënyrë ekonominë e tij.

Në këto kushte, ai është përballur me një detyrë politikisht shumë më të vështirë, duke u përpjekur të ulë pagat në mënyrë që të tentojë të mbetet konkurrues në treg. Po aq problematik është fakti që një vend i BE-së që është i mbytur në borxhe nuk mund të bëjë atë që bëjnë Britania, SHBA-ja dhe të gjitha vendet e tjera që kanë monedhat e tyre kombëtare:të shtypë para për të blerë borxhin e vet.

Kjo mund të mos jetë diçka e mençur, por investitorët në obligacionet qeveritare të SHBA-së  dhe Britanisë mund të ndjehen të sigurt se ato qeveri preferojnë që më mirëtë shtypin para sesa të paguajnë borxhin e tyre, dhe për këtë arsye këta investitorë nuk duhet të shqetësohen se mos ka masa shtërnguese.

Investitorët në bonot e qeverisë greke dhe italiane, mund të ndjehen shumë më pak të sigurt nëse BQE-ja do të ndërhyjë për të shmangur një falimentim. Kjo është arsyeja pse normat e interesit tek ato bono u rritën një dekadë më parë. Për një kohë të gjatë, u duk sikur zotëruesit e atyre obligacioneve, do të duhej të pranonin kthimin e vetëm një pjese të kapitalit të tyre.

Kriza e borxhit sovran të eurozonës nuk u zhduk në asnjë moment. Ajo u mbulua disi, por streset e krijuara nga euro vazhdojnë që të torturojnë vendet anëtare. Për momentin, të gjithë e kanë vëmendjen tek vala e tretë e pandemisë në Evropë, dhe mënyra sesi Franca dhe Gjermania po menaxhojnë numrin në rritje të rasteve të reja.

Problemi i Evropës është se nivelet e vaksinimit, mbeten shumë më ulëta sesa ato në Britani dhe SHBA, një pasojë kjo e një skeme të keq-menduar blerje,dhe si hezitimi i madh i popullatës në përgjithësi. Por vala e tretë e pandemisë do të kalojë dhe normat e vaksinimit do të rriten, pasi më shumë vaksina do të jenë në dizpozicion gjatë verës.

Ai që do të kërkojë më shumë kohë për t’u zgjidhur është problemi i borxhit sovran, në një eurozonë ku vendet nuk kanë monedhat e tyre sovrane. Kjo krizë ka të ngjarë të rikthehet prapë gjatë viteve të ardhshme, dhe mbijetesa e euros është larg nga të qenit një përfundim i paralajmëruar. Evropa, ashtu si pas viteve 2008-2009 mund të zhytet edhe njëherë në krizë,ndërsa Amerika e Veriut dhe Azia po e marrin veten nga Covid-19. / “Spectator” – Bota.al

Back to top button