Zaki Laïdi
Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në “L’Institut d’études politiques de Paris”, Francë. Libri i tij i fundit është “Le reflux de l’Europe”
Kur shpërthejnë kriza të papritura, njerëzit kanë prirjen të supozojnë që gjërat nuk do të jenë më kurrë si më parë – pikërisht konkluzioni që shumë europianë kanë nxjerrë pas aneksimit të Rusisë nga Krimea. A kanë të drejtë?
Ndonëse udhëheqësit europianë kanë dënuar pothuajse unanimisht veprimet e Rusisë në Ukrainë, vlerësimet për rrezikun që paraqet Rusia për sigurinë janë të ndryshëm. Polonia dhe vendet balltike janë ndër ata që shqetësohen më shumë prej sjelljes së Rusisë, ndërkohë që Republika Ceke, Sllovakia, Hungaria dhe Bullgaria mbeten të kujdesshme, sa i përket përshtatjes së një qasjeje konfrontuese – një qëndrim që e ndajnë edhe vende si Spanja dhe Portugalia, të cilat nuk varen praj furnizimit me gaz nga Rusia.
Këto sjellje të ndryshme mund të shpjegohen përmes dallimeve të mëdhenj ndërmjet historive të vendeve europianë dhe perspektivave strategjike. Polonia dhe Rusia kanë pushtuar territoret e njëra-tjetrës për shekuj të tërë. Estonia, Letonia dhe Lituania kanë qenë të gjitha republika sovjetike, për të cilat kundërshtimi i Rusisë ishte një tipar thelbësor i procesit të rindërtimit. Me minoritete të mëdhenj rusofonë në Estoni dhe Letoni, justifikimi i Presidentit rus, Vladimir Putin për aneksimin e Krimesë – nevoja për të mbrojtur kushërinjtë etnikë, sipas tij – ngacmon pikërisht ankthet më të thellë të këtyre vendeve.
Sigurisht, cekët, sllovakët dhe hungarezët – të gjithë ishi satelitë sovjetikë – kanë edhe ata kujtime të hidhur nga Rusia. Por përgjigja e tyre ndaj historive të vështira ka qenë adoptimi i një profili të ulët, si dhe shmangia e marrjes së një qëndrimi për cështjet e mëdha ndërkombëtare. Të markuar prej afërsisë (në mos dobësisë) ndaj fqinjëve më të fuqishëm, ata e kanë përvetësuar tashmë margjinalizmin e tyre politik dhe strategjik.
Qëndrimi i këtyre vendeve reflekton deri në një farë mase një perceptim të saktë të politikës europiane. Në fund të fundit, pozicioni i Europës kundrejt Rusisë do të përcaktohet në fund prej katër fuqive të mëdha: Gjermanisë, që është partneri më i madh industrial dhe energjetik i Rusisë, Mbretërisë së Bashkuar, që është bankieri i Rusisë, Francës, bashkëpunëtori ushtarak i Rusisë, dhe Polonisë, sponsori i Ukrainës.
Nga të katërt këta shtete, Gjermania është ajo që ka ndikim më të madh. Duke prerë marrëdhëniet me Gjermaninë, Rusia do të priste praktikisht të gjithë lidhjet me Perëndimin, duke përshpejtuar në këtë mënyrë vetë rënien e saj. Më keq akoma, rënia do të forconte, dhe nuk do të dobësonte, tendencat predatore dhe shoviniste të regjimit të Putinit.
Fakti është që Rusia nuk është fuqi në zhvillim. Eshtë një fuqi rentiere që jeton me asetet e kufizuar të burimeve natyrorë – me një popullsi në tkurrje. Ish presidenti rus, Dmitri Medvedev dukej se e kuptonte këtë gjë. Në një përpjekje për të modernizuar dhe diversifikuar ekonominë e Rusisë, ai u përpoq të forcojë marrëdhënien dypalëshe me Gjermaninë. Megjithatë, që kur Putini u rikthye në Presidencë, kjo iniciativë është lënë në sirtar.
Kjo nuk do të thotë që Putini i ka harruar krejt vlerat e Gjermanisë. Ai e kupton që nëse kanos me një ngrirje të eksporteve energjetikë ndaj Gjermanisë – e cila varet në pjesën dërrmuese nga gazi rus – do i shkaktonte një dëm të përjetshëm besueshmërisë tregtare të Rusisë, duke dobësuar kështu industrinë që përbën edhe shtyllën kurrizore të ekonomisë së tij.
Vec kësaj, një lëizje e tillë do të forconte tërheqjen prej Iranit në tregun energjetik europian, duke krijuar një konkurrencë të padëshiruar për Rusinë. Edhe pa i shtuar eksportet energjetike në arsenalin e vet diplomatik, Rusia mund të ndërmarrë hapa për tëzbutur këtë rrezik, duke inkurajuar Iranin që të vonojë arritjen e një marrëveshje finale bërthamore me komunitetin ndërkombëtar.
Pozicioni i Mbretërisë së Bashkuar ndaj Rusisë është më i paqartë. Ndërkohë që qeveria e Kryeministrit David Cameron ka kundërshtuar vendosmërisht veprimet e Rusisë në Ukrainë, Londra është e vendosur të mbajë oligarkët rusë si klientë. Nëse tensionet në Ukrainë shtohen, Cameron, qëndrimi i të cilit deri tani është karakterizuar prej hezitimit dhe dobësisë, do të detyrohet që të marrë një pozicion më të ashpër.
Nga ana e saj, Franca ka përjetuar një përmbysje të marrëdhënieve të saj me Rusinë. Historikisht, Franca e ka parë Rusinë si një kundërpeshë të dobishme ndaj SHBA. Por, në vitet e fundit, Franca dhe Rusia ka qenë shpesh herë në anë të kundërta gjatë debateve madhorë ndërkombëtarë – si Libia, Siria dhe Irani – teksa interesat e Francës kanë qenë gjithmonë e më shpesh në një linjë me ata të Amerikës. Ndonëse Franca do të shmangë cdo lloj konfrontimi të panevojshëm me Rusinë, kriza e Ukrainës ka nxjerrë në pah dobësimin e aleancës franko-ruse.
Roli i Polonisë në krizën aktuale është pakëz më i ndryshëm. Ajo është përgjegjëse për mbrojtjen e interesave të Ukrainës, ndërkohë që ndihmon për të zbutur ethet e ncionalistëve ekstremë.
E udhëhequr prej këtyre katër fuqive, Europa do të përballet me dy prova strategjike. E para lidhet me energjinë. Përpjekjet për të zvogëluar varësinë e Europës nga furnizimi prej Rusisë kanë sjellë deri tani rezultate mbresëlënës, ndonëse Europa është në një pozicion pakëz më të mirë nga sa ishte disa vite më parë. E vetmja mënyrë për të garantuar përparim të mëtejshëm është adoptimi i burimeve alternativë dhe ndërtimi i një tregu të përbashkët të energjisë. Ndonëse vetëm kërcënimi rus nuk do të mjaftojë për të harmonizuar tërësisht interesat energjetikë të shteteve, udhëheqësit europianë duhet të shfrytëzojnë avantazhin për t’iu afruar sa më shumë këtij objektivi.
Prova e dytë ka të bëjë me sigurinë. Europa ka nevojë për një doktrinë koherente që shkon përtej Stategjisë aktuale Europiane të Sigurisë. E hartuar në vitin 2003, pas shpërthimit të luftës në Irak, ajo ka material shumë të dobët sa i përket ndërhyrjeve operacionale dhe nuk e merr seriozisht riskun prej energjisë ruse. Edhe këtu, kriza ofron shanse.
Por rezultati më i mundshëm strategjik i krizës ukrainase nuk është një fund i inercisë europiane, por rigjallërimi i marrëdhënieve transatlantike, me Amerikën që, pasi ka nënvlerësuar rëndësinë e Europës, tani po rishfaq angazhim ndaj NATO-s. Ndonëse Europa do të bënte më mirë të fuqizonte kapacitetet e saj mbrojtës, një marrëdhënie transtlantike e përforcuar do të ishte tejet e dobishme. Për shembull, mund të ndihmonte për përshpejtimin e negociatave të Marrëveshjes Transatlantike për Tregtinë dhe Investimet.
Mund të rezultojë që rendi ndërkombëtar të mos jetë më i njëjti, pas krizës së Ukrainës. Pyetja tani është nëse udhëheqësit e Europës mund të garantojnë që, cilido qoftë rezultati, ai do të rrisë sigurinë europiane. Për këtë qëllim, një qasje e unifikuar do të duhej të ishte hapi i parë. (Project Syndicate)