KeshillaShendeti

Fillo të kujdesesh për mënyrën e të ushqyerit. Shëndeti është dhuratë

Kam qenë nga ata persona që nuk kanë marrë asnjëherë gatime shtëpie në punë, derisa vura re që ushqyerja jashtë filloi të më shëndoshte. Po e shihja veten të shtoja peshë muaj pas muaji dhe e kuptova se gjithçka ishte e lidhur me kequshqyerjen, ose me gatimet jocilësore në restorante e fast-foode ku porosisnim si grup pune. Ky ishte momenti kur vendosa të ndërmerrja një kthesë në jetën time.

Fillova të gatuaja në shtëpi. Ishte periudhë karantine, puna që bëja mund të realizohej edhe online prej shtëpisë, siç edhe ndodhi, dhe kisha gjithë kohën e duhur për të gatuar. Më besoni që nuk dija asgjë, as të skuqja vezë. Thyeja vezën për ta skuqur, më plaste në dorë. Gjithçka e mësova online, duke lexuar në google receta të ndryshme dhe duke parë video në youtube. Sot nuk mund të them se bëj çudira, ama di të bëj shumicën e gjellërave dhe gatimeve në tavë që ne i kemi gatime tradicionale.

Në momentin kur jam kthyer në punë në kompani, është e vërtetë që kisha më pak kohë të lirë, ama nuk u ndala së gatuari në shtëpi. Në ditët kur kisha më tepër ngarkesë, apo kisha më tepër lodhje prej punës, kthehesha dhe gatuaja gjëra më të shpejta, ama përherë të shëndetshme. Sot, kam arritur në peshën time ideale dhe përditë marr ushqim prej shtëpie për ta konsumuar gjatë pushimit të drekës në punë.

Me këtë shkrim doja t’ju përcillja një mesazh nxitës për të gatuar në shtëpi dhe për të konsumuar ushqime shtëpie. Mbipesha ose obeziteti jo vetëm ju bëjnë të dukeni keq, por siç mund ta dini ju rrisin edhe riskun për mjaft sëmundje, ky kryesoret janë ato kardiovaskulare. Filloni t’i kushtoni pak më tepër kohë vetes dhe shëndetit tuaj, përpara se të jetë tepër vonë. Nuk ju kushton asgjë që edhe me një kohë të lirë tepër të reduktuar, ta gjeni një orë për të gatuar. Më besoni që krahas dhuratës që do i bëni vetes, do të ndiheni edhe mirë gjatë asaj ore.

Back to top button
Close
Close