“Follow the money!” (Ndiq paranë!) – siç thoshin gazetarët e Watergate tek “Të gjithë njerëzit e presidentit”. Dhe të ndjekësh paranë në Libi, do të thotë të ndjekësh naftën, burimi parësor i vendit (85% e GDP-së), që tani është futur në krizë prej përplasjeve mes grupeve militare dhe sulmeve të ISIS.
Vetëm kështu mund të kuptohet me të vërtetë se çfarë po ndodh në vendin që e kryqëzon historinë e tij me atë të Italisë, qysh prej kohëve kur kryeqyteti i tij quhej Leptis Magna, dhe ishte një provincë e perandorisë romake. Dhe mbi të gjitha, mund të kuptohet se cilët interesa janë me të vërtetë në lojë kur, siç ndodhi këtë javë në Hanover, Obama, Merkeli, Renzi, Cameroni dhe Hollande, ulen në tryezë për të diskutuar për Libinë. Dhe nuk gjejnë gjuhën e përbashkët.
Secili udhëheqës ka problemet e veta të brendshme politike, si dhe ekuilibrat që duhet të marrë në konsideratë, por në “pjatë” është gjithmonë objektivi i hapjes së prurjeve të naftës nga Libia.
Luca Longo, studiues italian dhe ekspert për energjinë, ka realizuar një dosje të saktë që vendos në hartë të gjithë vendburimet kryesore të naftës në vend, që janë në duar të të huajve.
Duke ndjekur këtë hartë, mbi të cilën bazohet grafiku i mësipërm, kuptohet se kush është i interesuar për rebusin libian dhe përse. Amerikanë, francezë, italianë, gjermanë, rusë dhe kanadezë kanë të gjithë impiante nafte, që deri disa vite më parë nxirrnin naftë dhe gaz prej shkretëtirës libiane. Tani pjesa më e madhe e impianteve janë ndalur, shpjegon Longo, pengje të një “gjëegjëze energjetike dhe tribale”.
Për momentin, shpjegon Longo, prodhimi i hidrokarbureve në Libi ka rënë nga 2 milionë fuçi në ditë, që përbëjnë potencialin e saj, në më pak se gjysmë milioni. 70 % vjen prej vendburimeve që menaxhohen nga ENI, mbi të gjitha në det, dhe që mbrohen nga Marina italiane. National Oil Company, kompania shtetërore libiane e naftës, ia ka dalë t’i mbijetojë kaosit duke qëndruar neutrale: i shpërndan të ardhurat mes të gjithë grupeve ushtarake në vend, sidomos atyre të dyjave që qeverisin në Tripoli dhe në Cirenaica. “Terroistët e Kalifatit – shkruan Longo – nuk janë në gjendje të marrin në mënyrë të qëndrueshme kontrollin e puseve, naftësjellësve, rafinerive apo terminaleve të naftës,por ndryshe nga sa ndodh mes Irakut dhe Sirisë – atje ku kanë kontrollin e puseve dhe mund të mbështeten në Aleancën e fshehtë me Turqinë – objektivi i tyre në Libi është dukshëm ai i shkatërrimit të infrastrukturave që përbëjnë pasurinë e vendit, për të bërë që të bien të dy fraksionet qeveritare”.
Italia ka sigurisht interes që të stabilizojë Tripolin, por për momentin Eni gëzon një pozicion ende të privilegjuar, ndërkohë që francezët, të pranishëm me Total, janë në vështirësi.
Dallimi u vu re në tryezën e G5 në Hanover: Italia kërkon frenim sa i përket ndërhyrjes, duke u druajtur se mos fraksionet libiane i kthehen kundër, me pasoja për nxjerrjen e naftës dhe imigrimin.
Ndërsa Franca bën presion shumë të fortë: duhet ndërhyrë absolutisht, puset e Total janë ndalur prej shumë kohësh. Eshtë një sipërmarrje e vështirë, duke parë gjendjen në terren, por udhëheqësi libian, pas sulmeve të fundit të ISIS kundër rojave libiane të naftës, ka frikë se mos bllokohet burimi kryesor, i cili mund të blejë konsensusin e fraksioneve. Pa të cilin, do të ketë vetëm kaos.
Il Giornale – Në shqip nga bota.al