Covid19 lajme nga botaMAIN

Franca kërkon verdikt të shpejtë për AstraZeneca-n

“Në grupet e riskut, rreziku i vdekjes nga Covid është shumë, shumë më i lartë”, tha Dirk Brockmann i Institutit Robert Koch të Gjermanisë për sëmundjet infektive. “Kjo do të thotë që një person, ka 100,000 herë më shumë të ngjarë të vdesë nga Covid, sesa për shkak të një vaksine AstraZeneca”

Franca ka thënë se shpreson që rregullatori i ilaçeve të Evropës të sqarojë shqetësimet mbi sigurinë e Oxford / AstraZeneca Covid-19 nga e Enjtja, pasi Suedia u bë vendi i fundit Evropian që pezulloi përdorimin e vaksinës.

Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja ndoqën disa vende të tjera të BE të hënën në pezullimin e vaksinave AstraZeneca në pritje të investigimit nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) për rastet e izoluara mpiksjes së gjakut dhe numrit të ulët të trombociteve.

Të martën Suedia dhe Letonia ndoqën shembullin e tyre, duke e çuar numrin e vendeve Evropiane që ndaluan përkohësisht vaksinën në më shumë se një duzinë. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe EMA kanë thënë se nuk ka ndonjë lidhje të provuar midis mpiksjeve dhe vaksinës.

EMA është duke u takuar sot dhe pritet një deklaratë më pas, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian, ndërsa OBSH tha se paneli i vet i ekspertëve po shqyrtonte gjithashtu provat dhe mund të nxjerrë një deklaratë po sot.

Epidemiologu shtetëror i Suedisë, Anders Tegnell, tha se 10-20 raste në Evropë të hemorragjive pas vaksinimit kishin nevojë për hetime të mëtejshme.

Ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Véran, tha se përfitimet e vaksinës janë më të mëdha se rreziqet. “Ne presim një lloj verdikti nga komuniteti shkencor Evropian deri të enjten pasdite, që të na lejojë të rifillojmë fushatën,” tha ai.

Kreu i programit të vaksinimit të Francës, Alain Fischer, gjithashtu tha se ai priste që pauza të ishte afatshkurtër, por shtoi se ishte “e arsyeshme” duke pasur parasysh “incidente që janë më të rëndësishme nga natyra e tyre atipike, sesa nga numri i tyre”.

Fakti që kishte “disa raste shumë të pazakonta dhe shqetësuese e justifikon këtë pauzë dhe analizimin e tyre”, tha Fischer. “Nuk është kohë e humbur”, tha ai për pezullimin. “Eshtë koha e nevojshme për të kryer analiza.”

Klaus Cichutek, kreu i rregullatorit të Gjermanisë, Instituti Paul Ehrlich, tha se kishte zbuluar “raste të trombozës së venës sinusale tek gratë midis moshave rreth 20 dhe 50 vjeç, dy prej të cilave kishin një rezultat fatal”.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, tha të hënën se vendimi për të pezulluar vaksinën ishte bazuar në këshillat e ekspertëve. Nga 1.6 milion njerëz në Gjermani që kishin marrë vaksinën AstraZeneca, shtatë ishin sëmurë dhe tre vdiqën, tha ai.

Danimarka dhe Norvegjia, javën e kaluar raportuan incidente të gjakderdhjes, mpiksje të gjakut dhe një numër të ulët të trombociteve të gjakut në disa njerëz që kishin marrë vaksinën AstraZeneca, që të dy i përshkruanin simptomat si “shumë të pazakonta”.

Një danez 60 vjeç ka vdekur nga një mpiksje gjaku, ndërsa dy punonjës të shëndetit në Norvegji, të dy nën moshën 50 vjeç dhe të përshkruar si më parë të aftë dhe të shëndetshëm, kanë vdekur nga hemorragjitë e trurit.

Në Itali, ku ka pasur tetë vdekje dhe katër raste të efekteve anësore serioze pas vaksinimit, drejtori i përgjithshëm i autoritetit kombëtar të ilaçeve, Aifa, i tha “La Repubblica” se vendimi për të pezulluar vaksinimin ishte “një vendim politik”.

Epidemiologët në të gjithë kontinentin thanë se një udhëzim i qartë është urgjentisht i nevojshëm, për shkak të rëndësisë së fushatës globale të imunizimit, në frenimin e përhapjes së pandemisë.

“Në grupet e riskut, rreziku i vdekjes nga Covid është shumë, shumë më i lartë”, tha Dirk Brockmann i Institutit Robert Koch të Gjermanisë për sëmundjet infektive. “Kjo do të thotë që një person, ka 100,000 herë më shumë të ngjarë të vdesë nga Covid, sesa për shkak të një vaksine AstraZeneca”.

Kryeshkencëtarja e OBSH-së, Soumya Swaminathan, tha të hënën se “do të rekomandonte, për momentin, që shtetet të vazhdojnë vaksinimin me AstraZeneca. Deri më tani, ne nuk gjejmë një lidhje midis këtyre ngjarjeve dhe vaksinës”.

EMA tha të hënën se ” mijëra njerëz zhvillojnë mpiksje gjaku çdo vit në BE për arsye të ndryshme”, dhe numri i incidenteve tek njerëzit e vaksinuar “duket se nuk është më i lartë se ai që shihet në popullatën e përgjithshme. Përfitimet e vaksinës AstraZeneca në parandalimin e Covid-19, me rrezikun e lidhur të shtrimit në spital dhe vdekjen, tejkalojnë rreziqet e efekteve anësore.” / The Guardian – Bota.al

Back to top button
Close
Close