Speciale

Fuqitë e mbinatyrshme. Modeli i përjetshëm i historisë

Screen Shot 2015-08-13 at 21.57.14

Shfaqja e “super fuqive”, aftësive të jashtëzakonshme apo mbinatyrore, bashkon figura të mitologjisë dhe të letërsisë së çdo kohe. Eshtë një ide e lindur dhe e përsëritur gjatë të gjithë historisë, që u përket të gjithë kulturave dhe të gjithë epokave: një model i kudondodhur. Në këtë intervistë, për të sqaruar origjinën e tyre flet Umberto Calimberti, filozof dhe psikanalist, docent i antropologjisë kulturore dhe filozofisë në histori, në Universitetin Ca’ Foscari të Venecias

Heroi Gilgamesh i mitologjisë mesopotamike kishte një forcë mbinjerëzore, ashtu si heroi biblik Sansoni apo Herkuli greko-romak, por edhe Hulku i pabesueshëm në historitë me kartona. Ndërsa Akili ishte shumë i shpejtë, si Flash Gordon. Përse njeriu është i tërhequr prej super fuqive?

Njerëzit kanë kërkuar gjithmonë modele prej të cilëve të frymëzoheshin, që për të qenë të tillë duhet të kenë aftësi superiore. Por fuqia e mbinatyrshme zbulon edhe diçka tjetër: njeriu nuk do të pranojë limitet e tij, dhe prej kohësh ndjek objektivin e tejkalimit të vetvetes. Siç shkruante Niçe në vitin 1878, “njeriu është një kafshë ende e pastabilizuar”.

A është korrekte të shihet një vazhdimësi mes gjysmëperëndive të kulturës greko-romake, shenjtëve të krishterë dhe superheronjve të epokës bashkëkohore? Në fund të fundit, të gjithë kanë fuqi të mbinatyrshme…

Deri në një farë pike. Kultura greke imagjinonte “njerëz superiorë”, me aftësi njerëzore por të fuqizuara. Dhe superheronjtë nuk janë gjë tjetër, veç një vulgarizim i heroizmit antik. Në traditën judaiko-kristiane, dimensioni heroik tejkalon arsyen, duke u dhënë shenjtëve aftësi që njeriu nuk i ka. Pra i bën apel dimensionit irracional që ka njeriu, e ashtuquajtura “zona e të shenjtës”: pra shenjtët bëjnë gjëra të tilla si transformimi i gjësë në diçka tjetër, apo të ecurit mbi ujë”.

Çfarë është “zona e të shenjtës”?

Eshtë hapësira mendore ku mbretëron instikti i pastër, ku nuk ekzistojnë rregulla. Greku Heraklit në shekullin VI-V para Krishtit, thoshte: “Njeriu e quan të drejtë një gjë, dhe të padrejtë një tjetër. Për Perëndinë, gjithçka është e bukur, e mirë, e drejtë. Perëndia është ditë dhe natë, dimër dhe verë, luftë dhe paqe”. E shenjta përfaqëson botën e irracionales dhe të marrëzisë, prej të cilës njerëzit janë emancipuar, që nga origjina e qytetërimeve, duke krijuar rregullat e nevojshëm për bashkëjetesën e tyre. Në fillim i shpikën ritet, që janë ndarja e parë nga e shenjta, me ngurtësinë e tabuve të tyre; më pas njerëzit kanë filluar të përdorin “arsyen”, një sistem rregullash që dallojnë të drejtën nga e padrejta, të mirën nga e keqja. Por kështu kanë dëbuar përfundimisht të shenjtën nga jetët e tyre, për të vazhduar të jenë pashërueshmërisht të tërhequr prej saj, ashtu siç mund të jesh nga origjina jote. Superfuqitë e mitit vijnë prej aty, ashtu sikurse “metamorfoza”, domethënë aftësia për t’u vetëtransformuar në diçka tjetër, përshembull në kafshë.

Superheronjtë, në legjendë dhe në letërsinë moderne janë gjithnjë “të mirë” dhe kanë antagonistë “të këqinj”. Ashtu sikurse shenjtët që i kundërvihen djallit. Pra nuk i përkasin botës së të shenjtës?

Në fakt, shenjtët dhe heronjtë i përkasin më shumë botës humane dhe racionale, duke qenë se në atë të shenjtë, me të mirë e te këqinj, ngatërrohen. Kjo ndarje mes të mirës dhe të keqes u fut prej filozofisë greke, më pas u trashëgua nga krishtërimi dhe u afirmua në kulturën moderne. “Superfuqitë”, ashtu si çdo gjë tjetër që është e mbinatyrshme (pra edhe mrekullitë), janë gjithësesi një mbetje e të shenjtës.

Ku dallojnë shenjtët nga gjysmëperënditë e legjendës, apo superheronjtë?

Gjysmëperënditë dhe superheronjtë janë mbi të gjitha modele që duhen imituar, personazhe ku duhet të gjejmë veten. Ndërsa shenjtët janë figura protektive, të cilëve u kërkohet mirësia dhe plotësimi i dëshirave.

Në lidhje me mrekullitë, Kisha ka patur gjithmonë një qasje ambivalente. Në Mesjetë zhvilloi hagiografinë, që rrëfente jetën, vdekjen dhe mrekullitë e shenjtëve. Ndërsa sot është më hezituese përpara ngjarjeve të paraqitura si mbinatyrore, si për shembull shfaqjet e Madonës, apo mrekullitë e Atë Piut. Si ka mundësi?

Kisha bën mirë kur merr distancë. Vetë Jezusi u thoshte dishepujve: “Ju besoni sepse shihni, por të bekuar do të jenë ata që do të besojnë pa parë”. Nga ana tjetër, çfarë feje është ajo që ka nevojë për mrekulli? Eshtë fakt që feja e krishterë ka dy rregjistra: njërin teologjik, rigoroz dhe tjetrin popullor, i ndjeshëm ndaj sugjestionit. Ky i dyti, më i prirur të besojë në mrekullitë, është i gjallë, mbi të gjitha mes klasave më të varfëra. Por mrekullitë mbajnë në një gjendje më fëmijërore: në fakt janë fëmijët ata që dëshirojnë t’u plotësohen menjëherë dëshirat. Në fakt një shoqëri solide bën edhe pa shenjtë apo heronj, edhe pse jeta që ofron mund të jetë ndoshta më gri dhe e mërzitshme. Mrekullia, në sferën fetare më rigoroze, shihet si një rrugë e shkurtër që dëmton pastërtinë e fesë me provën materiale të një ngjarjeje të dëshirueshme por të pamundur. Për këtë arsye, për shumë vite Kisha nuk e ka parë me sy të mirë Atë Piun, në po të njëjtën mënyrë siç distancohet nga astrologë, magjistarë dhe “shërues”.

E në fakt mrekullitë më të përmendura janë pikërisht “shërimet”…

Rreth viteve Njëmijë, u ndez sidomos përplasja mes arsyes dhe besimit, konflikt që u ashpërsua edhe më shumë në shekujt e mëvonshëm me afirmimin e mendimit shkencor. Rishëndoshja e trupave nga sëmundje që konsideroheshin të pashërueshme, i lejonte fesë të ringrinte kokën dhe të nxirrte në pah limitet e shkencës. Nga ana tjetër, ka nga ata që kanë propozuar një shpjegim shkencor edhe për këto lloje mrekullish. Siç argumenton onkologu Enzo Soresi në librin “Truri anarkik”, shfaqja e një personi të rëndësishëm për të sëmurin (për shembull Nënë Tereza e Kalkutës apo Atë Piu), mund të mjaftojë për të provokuar të ashtuquajturin “shok karizmatik”, që çliron në sistemin nervor substanca në gjendje të fuqizojnë mbrojtjen imunitare, më shumë se çdo lloj terapie tjetër.

Thembra e Akilit, flokët e Sansonit, kriptoniti i Supermenit… Përse gjysmëperënditë dhe superheronjtë kanë gjithmonë dhe një pikë të dobët?

Pika e dobët shërben për të krijuar tension në rrëfim. Dhe çdo formë letrare, përfshirë edhe rrëfimet mitologjikë, mund të ketë sukses vetëm nëse prek kordat emotive. Pika e dobët, gjithashtu e humanizon superheroin. Në fund të fundit, një hero, për të qenë vërtetë i tillë duhet të kalojë rreziqe dhe prova. Hyjnia e pavdekshme është shumë më pak tërheqëse, krahasuar me qeniet nejrëzore me superfuqi: shumë e lehtë të shpëtosh të tjerët, nëse vetë nuk rrezikon asgjë.

Rëndësia e këtyre limiteve është e tillë, saqë shpesh herë super fuqia dhe pika e dobët koinçidojnë: Akili është më i shpejtë, por pikërisht në thembër është i dobët; fuqia e Hulkut të pabesueshëm qëndron tek zemërimi i tij i papërmbajtshëm, që e bën megjithatë “të brishtë”. Tek X-men, superheronjtë mutantë, kjo ide është edhe më e qartë: fuqitë e tyre, frut i mutacioneve, janë njëkohësisht edhe mallkimi i tyre, duke qenë se i bëjnë të ndryshëm, të marxhinalizuar. Shën Agustini thoshte: “Etiam peccata cooperantur in bonum”; edhe mëkatet ndodhin për mirë. Kuptimi është ky: një gjë është ligji dhe një tjetër gjë janë shanset e jetës, ku nuk është e lehtë të përcaktosh se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Në fund të fundit, “mëkatet”, ashtu sikurse “pikat e dobëta”, janë rrugë që na janë vënë në dispozicion për të kuptuar gabimet e të tjerëve dhe për të hyrë në komunikim me tjetrin. Pikat tona të dobëta mund të jenë forca jonë. Limiti që transformohet në burim, veç të tjerash, është një koncept shumë modern, një klasik i trainimeve në kompanitë e mëdha.

Super fuqia femërore, nga ana tjetër, duket se është vetëm një: joshja. Magjistarja Circe dhe sirenat e Uliksit, por edhe Dilajlah dhe Salome në Bibël: janë të gjitha gra fatale ante litteram. Si ka mundësi?

Historia është shkruajtur nga burrat. Për këtë arsye figurat femërore janë mbi të gjitha tunduese. Rrëfimet dhe trajtimet sidomos të shtrigave shprehin maskilizmin e Kishës, që preku majën sidmos gjatë Mesjetës, në epokën e kundër-reformës, atëherë kur gruaja konsiderohej drejtpërdrejt e lidhur me djallin, nga i cili thuhej se kishte trashëguar disa karakteristika (si seksualiteti i theksuar) dhe fuqitë magjike.

Në krah të superheroit është shpesh figura e mentorit, mësuesit të tij. Kentauri Kiron, një i ditur i madh, kishte si nxënës si Akilin, ashtu edhe Herkulin. Por edhe superheronj modernë, si Luke Skywalker i Luftërave Yjore apo Neo i Matrix, do të kishin bërë shumë pak, pa mësimet e çmuar të Yodas apo kapitan Morfeut. Superfuqia e vërtetë është dija?

Filozofi anglez, Francis Bacon ka thënë: “Dija është pushtet”. Ushtrimi i pushtetit nuk mund të shkëputet nga dija. Dhe pushteti është edhe më i madh nëse dija nuk ndahet, por mbahet për vete. E dinë mirë këtë magjistarë dhe prestigjatorë, që nuk i zbulojnë asnjëherë truket e tyre. Ashtu si Hudini, iluzionisti më i madh i të gjithë kohërave, që i mori me vete në varr shumë prej sekreteve të tij.

“Medioevo” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button