Bota

Gazsjellës virtualë

 

Screen Shot 2015-07-21 at 13.01.28Jarosław Wiśniewski

Më 28 qershor 2005, OMV austriake, MOL Group hungarez, Bulgargaz bullgar, Transgaz rumun dhe BOTAŞ turk nënshkruan një joint venture, e cila (siç dukej në atë kohë) ishte e destinuar që t’i hapte rrugën një projekti të ri ambicioz. Nabucco supozohej që të ishte përgjigja ndaj dobësisë dhe tejvarësisë energjetike të Bashkimit Europian ndaj gazit rus. Qëllimi i Nabucco ishte që t’i mundësonte Europës të kish akses në gazin nga Deti Kaspik. 2 vite më pas, gjithashtu në qershor, përfaqësues të Gazprom rus dhe ENI italian nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për ndërtimin e South Stream – një gazsjellës që synonte t’u përgjigjej nevojave për gaz të vendeve europianojugore. Ishte një sekret i hapur që ai ishte konceptuar më së pari si një projekt konkurrues ndaj Nabucco të mbështetur nga Bashkimi Europian. Ky qe fillimi i një rivaliteti të madh virtual gazsjellësish midis Nabucco dhe South Stream. Megjithatë, ai përfundoi shpejt dhe papritur. Fillimisht, në qershor të 2013, konsorciumi Shah Deniz vendosi që të përzgjedhë Trans-Atlantic Pipeline (TAP) ndaj Nabucco. Më pas, në dhjetor të 2014, Rusia njoftoi se planet për të ndërtuar South Stream do të liheshin.

Megjithatë, konkurrenca nuk mbaroi atje. Nabucco u zëvendësua nga TAP, kurse South Stream nga Turkish Stream – një iniciativë e re që parashikon furnizime gazi për Europën nëpërmjet Turqisë. Megjithatë, në realitet gjithçka është saktësisht në të njëjtën pikë siç qe një dekadë më parë. Edhe një herë akoma, ne po përjetojmë konkurrencën midis dy gazsjellësish virtualë, të cilat mund (ose jo) të materializohen, por që do të kenë një impakt të fortë jo vetëm ndaj diskursit energjetik në Europë, por edhe ndaj dinamikave politike, veçanërisht në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore.

Një gazsjellës virtual ekziston vetëm në diskurs. Emri i tij shfaqet nëpër memorandume, marrëveshje, deklarata zyrtare dhe deklarata për shtyp. Por nuk materializohet. Përkundrazi, ai përdoret kryesisht si një instrument politike të brendshme apo të jashtme, si një motivues dhe si një shpërblim, por gjithashtu edhe si instrument shantazhi dhe kërcënimi. Për pothuajse 8 vite (2007 – 2014) faktorët e mësipërm qenë të pranishme në dy narrativa konkurruese: një narrativë “diversifikimi energjetik” të mishëruar nga Nabucco dhe narrativa e “konsolidimit të një partneriteti të besueshëm” të përfaqësuar nga South Stream. Disa “inxhinierë” po shisnin një vizion të furnizimeve energjetike të diversifikuara, duke e kufizuar varësinë nga gazi rus. Në të njëjtën kohë, të tjerë po minonin besueshmërinë e furnizuesit më të madh të gazit, duke shënuar “copëtues” potencialë (p.sh. Ukraina) dhe duke argumentuar se vetëm një rrugë e drejtpërdrejtë mund të ndihmojë të zbutet çdo prishje apo vonesë e paparashikuar.

Deri më tani Trans-Atlantic Pipeline dhe Turkish Stream kanë ndjekur gjurmët e paraardhësve (të drejtpërdrejtë ose jo) të tyre. Të dyja ngrenë shumë pikëpyetje dhe dyshime sidomos në një kohë tensionesh të rritura midis Rusisë dhe Perëndimit.

 

Turkish Stream – kur do të mbarojë?

Cfarë është saktësisht Turkish Stream? Realisht asnjeri nuk di shumë rreth tij përveç dy fakteve të dukshme. I pari, se do të transportojë gaz nga Rusia në Turqi (megjithëse Turqia nuk ka nënshkruar ende një marrëveshje zyrtare). I dyti, se duket të anashkalojë ujërat territoriale të Krimesë (edhe pas harta zyrtare e Gazprom jo për t’u habitur e tregon atë se është pjesë e Federatës Ruse).

Mungesa e më shumë informacioni specifik nuk i ndalon analistët të prodhojnë parashikime rreth impaktit të tij ndaj Bashkimit Europian apo Ballkanit, duke krijuar kështu një realitet energjetik të ri të përmirësuar. Greqia me sa duket ka arritur të nënshkruajë një marrëveshje për pjesën e saj të gazsjellësit. Bullgarët pyesin sesi është e mundur kjo dhe çfarë e bën atë aq të ndryshëm nga South Stream që supozohej të kalohej nëpër Bullgari dhe u bllokua nga Komisioni Europian. E gjitha kjo është shkaktuar nga një projekt virtual 7 muajsh i në moshë.

Gazsjellësi në vetvete është vlerësuar të kushtojë afërsisht 3.3 miliard euro, që është “tentativë” dhe “bazohet mbi koston e gazsjellësit South Stream duke siguruar ndërtimin e tubacionit për Bullgarinë”. Kjo do të implikonte se ai që realisht mund ta quajmë “Turkish Stream” është vetëm një tubacion që lidh bregun rus me atë turk (vlerësimet e mëparshme e nxirrnin koston e përgjithshme të South Stream diku midis 19 dhe 24 miliard eurove). Çdo tubacion apo interkonektor që do të kalonte nga Turqia në Greqi dhe Bullgari do të ishte një ndërtim i veçantë.

Ky mund të jetë arsyetimi i përdorur nga shumë aktorë brenda administratës ruse (dhe të Bashkimit Europian) për të justifikuar sesa ndryshe është Turkish Stream nga paraardhësi i tij South Stream. Megjithatë, mbeten pikëpyetje nëse një interkonektor i till Turqi – Bashkim Europian do të ishte subjekt i Paketës së Tretë Energjetike të Bashkimit Europian, një prej gozhdëve në arkivolin e South Stream. Mungesa e qartësi lidhur me skenën politike në Turqi e mjegullon më tej panoramën. Një rezultat ilogjik i zgjedhjeve të fundit parlamentare në skenarin më të mirë mund të ngrijë çdo progres të Turkish Stream.

Trans-Adriatic, – një gazsjellës i vetëm apo një rrjet?

Një dyshim i ngjashëm, si në rastin e Turkish Stream, mund të ngrihet me TAP-in. Ku fillon dhe ku mbaron ai? Trans-Adriatic Pipeline është një tubacion gazi natyror i parashikuar që të transportojë gaz nga vendburimi Shah Deniz II nëpërmjet Greqisë e Shqipërisë dhe më pas nëpër Detin Adriatik në Italinë jugore. Megjithatë, në realitet, ajo që zyrtarisht etiketohet si TAP supozohet që kalojë nga Kipoli në kufirin greko – turk deri në Melendugno të Italisë jugore.

Kapaciteti fillestar i tij është konceptuar kryesisht për 10 miliard metra kub në vit, që potencialisht mund të dyfishohet. Në vijim të kësaj, Shqipëria planifikon që të ndërtojë si një rrjet kombëtar, ashtu edhe impiante nëntokësore magazinimi gazi që mund të veprojnë si burim furnizimi shtesë në rast të ndonjë ndërprerje të parashikuar. “Kjo karakteristikë pritet që ta përmirësojë besueshmërinë e furnizimit me gaz për tregjet energjetike të Bashkimit Europian dhe për Europën Juglindore në përgjithësi dhe është argumentuar se është një avantazh kyç i projektit.

TAP-i është paraqitur shpesh si një iniciativë me më shumë efektivitet kostoje teksa kërkon lidhje me gazsjellës (virtualë) të tjerë, të tillë si Ionian-Adriatic Pipeline apo Gas Interconnector Greece – Bulgaria. I pari do të siguronte gaz për vende të ndodhura përgjatë Adriatikut nga Mali i Zi në Bosnje – Hercegovinë dhe Kroaci, kurse i dyti do të lejonte furnizim të drejtpërdrejtë për Bullgarinë. Miriada e partnerëve dhe e skenarëve të mundshëm vetëm e rrit paqartësinë. Sfida të ngjashme e kanë përndjekur Nabucco, kur disa vende po flirtonin haptazi njëherazi me Nabucco dhe South Stream, duke i minuar si rezultat të dyja. Në të dyja rastet, Greqia luan një rol qendror. Ajo mund të jetë gjithashtu prishësi i njërit (apo të dy) projekteve të gazsjellësve. Situata e komplikuar dhe ende e pazgjidhur e saj brenda eurozonës hedh dyshime nëse ndonjë prej këtyre dy angazhimeve ndaj gazsjellësve është objektiv në politikën energjetike greke apo vetëm një instrument i politikës së jashtme/europiane ad hoc të saj.

Gazsjellës si instrumente

Duke mësuar nga historitë e Nabucco dhe South Stream, ashtu si edhe nga debatet aktuale rreth TAP-it dhe Turkish Stream, njeriu mund të konkludojë në të dyja rastet se rezultati (gazsjellësi) është më pak i rëndësishëm sesa procesi (politizimi i gazsjellësit). Në të dyja rastet, përfitues potencialë, përfshi vende europianojuglindorë të etur për energji, vetëm mund të shikojnë dhe të reagojnë, ndërkohë që vendimet merren në nivelin e politikave të fuqive të mëdha, brenda katërkëndëshit Bruksel – Moskë – Ankara – Uashington.

Kremlini me zgjuarsi po aplikon keqinformim. Pothuajse çdo ditë njeriu mund të lexojë për momrandume dhe marrëveshje rreth rritjes së kapacitetit të Nord Stream, ndërtimit të Turkish Stream, mbajtjen e gazsjellësve Yamal dhe GTS (të cilat gjithashtu mund të anullohen) apo gazsjellësin virtual më të ri, Eastern Ring. Nuk ka kërkesë të mjaftueshme për kaq shumë gaz rus. Nuk ka mjaftueshëm gaz rus sa për të mbushur të 5 gazsjellësat. Kremlin po i luan me mjaft vetëdije vendet evropiane kundër njëri tjetrit, duke eksploruar nevojat energjetike të tyre. Në vend që të krijojnë politikë energjetike, ato vetëm reagojnë.

Bashkimi Europian nuk është i aftë që të konkurrojë me të njëjtat metoda. Ai nuk është aktor unitar, nuk ka një politikë energjetike të përbashkët. Siguria e furnizimeve energjetike të jashtme do të mbetet në të ardhmen e parashikueshme një përgjegjësi e vetme e qeverive kombëtare. Axhenda ambicioze e caktuar nga Bashkimi Energjetik mund ta rimodelojë tregun e brendshëm energjetik, por do të ketë impakt të kufizuar ndaj marrëdhënieve të jashtme energjetike. Kjo është treguar tashmë kur ideja fillestare, e avancuar nga Donald Tusk në artikullin e tij për “Financial Times” në prill të 2014, u zbeh nga përjashtimi i argumentit kyç të tij, nevojës për Bashkimin Europian që të ketë një mekanizëm negocimi të përbashkët kontratash me Gazprom.

Shokimi i shkaktuar nga anullimi nga ana e Rusisë i South Stream, pavarësisht marrëveshjeve të nënshkruara dhe investimit fillestar (kryesisht në Serbi) ka treguar se asgjë nuk mund të jetë e sigurtë derikur gazsjellësi të jetë i ndërtuar dhe operacional. Marrëveshjet e nënshkruara nuk janë aspak provë e seriozitetit të projektit. Memorandumi greko – rus i kohëve të fundit është një fitore e madhe PR-i për Kremlinin, por asgjë më shumë se kaq.

Do të pësojnë TAP-i dhe Turkish Stream fatin e Nabucco dhe South Stream?

Gazsjellësit virtualë janë këtu për të qëndruar. Në Europë ato janë bërë instrumente në konkurrencën e rinovuar midis Rusisë dhe Perëndimit. Siç qe në rastet e Nabucco dhe South Stream, termi që njeriu do të dëgjojë më së shumti në debatet lidhur me TAP-in dhe Turkish Stream do të jetë “gjeopolitikë” ose variacionin e saj, “gjeoekonomi”; Jo “zbatueshmëri ekonomike”. Atëhere, pse do të mbesin virtualë?

Më së pari, shembujt e ndryshëm e gazsjellësve virtualë tregojnë se ato janë zakonisht projekte afatshkurtra dhe të shtyra politikisht. Një ndryshim në qeveri mund të çojë në një rikonceptim të plotë të një politike energjetike. Gazsjellësit janë një investim afatgjatë. Ata pëlqejnë stabilitetin ashtu si investitorët e tyre. Paqartësitë që rrethojnë Turkish Stream dhe TAP-in në fund mund të vendosin fatin e tyre. Së dyti, Komisioni Europian duket të jetë më shumë i prirur drejt “gërryerjes” së ishujve energjetikë në Europën Juglindore. Megjithëse Komisioni Europian i jep prioritet diversifikimit energjetik, duket se axhenda e Bashkimit Europian do të jetë me më shumë shikim nga brenda. E treta (dhe ndoshta më e rëndësishmja), është sepse Europa në përgjithësi dhe Europa Juglindore në veçanti realisht nuk kanë nevojë për kaq shumë gaz. 2050 Energy Roadmap parashikojnë një rënie në importet e gazit natyror. Siç nënvizojnë kërkuesit nga task forca South East Europe Energy, megjithëse gazi pothuajse ekskluzivisht importohet nga jashtë, ai ka një proporcion relativisht të ulët të përzierjes energjetike në rajon. Vendet nuk kanë nevojë për më shumë gaz. Ato kanë nevojë për më shumë efikasitet energjetik, projekte investimesh të përbashkëta (p.sh. në energjinë e rinovueshme), përdorim më të konsiderueshëm të energjisë ujore dhe, më e rëndësishmja, përqasje me legjislacionin energjetik e Bashkimit Europian, në veçanti me Paketën e Tretë Energjetike të Bashkimit Europian.

Debati midis diversifikimit energjetik përballë besueshmërisë së furnizimeve, të karakterizuara respektivisht nga gazsjellësit Nabucco dhe South Stream, ka pasur impaktin e tij ndaj politikave të vendeve të ndryshme evropiane dhe ndaj politikave e rekomandimeve të Bashkimit Europian, edhe pse gazsjellësit fizikisht nuk u ndërtuan. Megjithatë, Rusia do të vazhdojë që të dërgojë sinjale të përziera rreth gazsjellësve të ndryshme, ndërsa vendet europianojuglindorë do të vazhdojnë ta promovojnë TAP-in me shpresën se kjo do ta rrisë apo do ta shpejtojë procesin e integrimit euroatlantik (apo vetëm europian) të tyre (sigurisht, përveç furnizimeve shtesë me gaz).

Në fund, tubacionet kryesisht mbesin instrumente të politikës së jashtme. Historitë e dy “gazsjellësve të paqes”: atij Iran – Pakistan apo Armeni – Azerbajxhan (ide të qarkulluara në mesin e viteve Nëntëdhjetë) janë shembuj të mirë të kësaj. Në këtë pikë, duket se gazsjellësit Trans-Adriatic dhe Turkish Stream do t’u bashkohen paraardhësve më të famshëm të tyre: Nabucco dhe South Stream.

Jarosław Wiśniewski është akademik dhe analist politik që është i specializuar në siguri ndërkombëtare dhe politika europiane. Ka një Ph.D. në Studime Europiane nga King’s College të Londrës. Gjatë gjithë karrierës së tij ka punuar si konsulent për Komisionin Europian, Këshillin e Europës, Këshillin Britanik, ashtu si edhe për një numër institucionesh të ndryshme publike dhe private në Bashkimin Europian, Kaukazin Jugor dhe Europën Juglindore.

Përgatiti:

ARMIN TIRANA/Bota.al

Leave a Reply

Back to top button