HistoriHorizonti.alMAIN

Gjurmët e para të jetës mbi Tokë

Jeta e hershme në Tokë mund të ketë evoluar në burimet e ngrohta të ujit në ishujt që popullonin një oqean të stërmadh. Jeta më e vjetër e konfirmuar në Tokë është 3.5 miliardë vjeçare, vetëm 1 miliard vjet pas formimit të planetit.

Gjurmët e jetës së mundshme, janë gjetur gjithashtu në shkëmbinjtë që datojnë 3.7 deri në 3.95 miliardë vjet. Këto mostra janë të diskutueshme. Por ato mund të lënë të kuptohet se jeta evoluoi shumë shpejt pasi u zhvillua atmosfera e planetit dhe oqeanet.

Edhe origjina e jetës në fjalë është gjithashtu e diskutueshme. Gjithsesi, jeta në Tokë kërkon molekulat themelore të bllokut ndërtues (aminoacidet dhe nukleotidet), që të reagojnë kimikisht, duke formuar molekula komplekse si proteinat, ARN dhe ADN .

Ky kalim nga blloqet e ndërtimit tek zinxhirët e gjatë molekularë quhet polimerizim, dhe që të ndodhë kërkon temperatura dhe kushte specifike. Sipas një studimi të botuar në 2008-ën në revistën “Nature Review Microbiology”, disa shkencëtarë besojnë se jeta e parë mikrobiale u shfaq në burimet hidrotermale nënujore, që bartin disa kushte kimike që mund të inkurajojnë polimerizimin.

Shkencëtarë të tjerë argumentojnë që këto lloj burimesh termale, emetojmë shumë nxehtësi për të pasur një polimerizim efektiv, dhe se një mjedis nënujor do t`a bënte të vështirë këtë proces. Në këtë kamp, ​​studiuesit argumentojnë se jeta u shfaq në skajet e pellgjeve të cekëta, falë energjisë gjeotermike.

Por që të funksionojë hipoteza e pellgut me ujë të ngrohtë, duhet që Toka e hershme të kishte një terren të fortë. Dhe këtu hyn në lojë studimi i ri, botuar më 4 janar në revistën ”Nature Geoscience”. Gjeoshkencëtarët Xhun Korenaga nga Universiteti i Jeilit dhe Huan Rosas, tani në Qendrën Ensenada për Kërkime Shkencore dhe Arsimin e Lartë në Meksikë, janë të interesuar të kuptojnë cila ka qenë topografia e Tokës gjatë epokës Arkeane, 4 miliardë deri në 2.5 miliardë vjet më parë.

Kimisti Xhefri Bada, një mbështetës i hipotezës së pellgut të ngrohtë në Institutin e Oqeanografisë në San Diego, iu afrua qasjes së Korenaga, dhe pyeti nëse ka pasur ndonjë mundësi për ekzistencën e Tokës së thatë gjatë Arkeanit.

Korenaga dhe Rosas përdorën një model kompjuterik për të rikrijuar kushtet e Tokës Arkeane. Korenage thotë se zbuloi forma të reja të dyshemesë së oqeanit në kreshtat mes oqeanit, ku shkëmbinjtë nga thellësia e shtresës së mesme të Tokës, manteli, ngrihen dhe shkrihen, duke krijuar një kore të re oqeanike.

Ndërsa kjo kore rrëshqet nga origjina e saj në kreshtën mes oqeanit, ajo ftohet dhe tkurret, duke u bërë më e dendur dhe duke u reduktuar në lartësi. Megjithatë, Toka ka ndërkohë edhe burimin e saj të nxehtësisë së brendshme:ngrohjen radiogjenike, e nxitur nga prishja e elementeve radioaktive në pjesën e thellë të mantelit.

Kjo nxehtësi tenton të kalojë lart, duke e rritur lartësinë në sipërfaqe. Gjatë periudhës Arkeane, kjo ngrohje radiogjenike ishte më e fortë. Kjo do të thotë që edhe kur korja e re oqeanike u ftoh dhe u tkurr, ajo u ngrit lart.

Kjo mund të kishte çuar në krijimin e deteve nënujore – të cilat priren të jenë rrethore, ndryshe nga kreshtat midis oqeanit – që shtyhen lart mbi nivelin e detit, duke formuar ishuj.

“Nëse kthehemi pas në kohë, shohim që kemi të njëjtën sasi të efektit ftohës, por shumë më tepër efekt ngrohës nga manteli më i thellë”- tha Korenaga.

Gjetjet sugjerojnë se mund të ketë pasur tokë të thatë në planetin tonë shumë kohë përpara formimit të kontinenteve të mëdha.“Hipoteza e pellgjeve me ujë të ngrohtë ka një themel shumë të fortë gjeologjik”-shton Korenaga.

Sipas tij, kjo nuk do të thotë se hipoteza është e saktë, por se studimi i ri zbulon se pellgjet me ujë të ngrohtë nuk mund të përjashtohen vetëm duke u bazuar tek gjeologjia. “Gjeo-kimistët po punojnë për të zbuluar kufizimet e kimisë mbi këtë aspekt”- përfundoi Korenaga. / LiveScience – Bota.al

Back to top button