Kina, e cila e mbylli 2016-ën me një rritje 6.7 përqind – një shifër që për vendet perëndimore është mirazh i paarritshëm – po forcon gjithnjë e më shumë infrastrukturën e transporteve të saj, ku investon sot, më shumë se SHBA dhe Europa të mara së bashku. India u quajt në Forumin Ekonomik të Davosit, si vendi me rritje më të shpejtë, duke parë që ka fituar 16 vende, nga viti i kaluar deri sot, me një GDP për frymë pothuaj të dyfishuar, nga 2007 deri në 2016.
E gjithë kjo, ndërkohë që ekonomitë perëndimore çalojnë – ose në rastin e Amerikës së Donald Trumpit – bëhen “kaçurrel”. Eshtë gjithnjë e më e qartë se globalizimi po i shpëton nga duart perëndimit, duke nxjerrë në fushë fitimtarë dhe të mundur të rinj, siç shpjegon ekonomisti Riçard Balduin, docent në Graduate Institute në Gjenevë dhe president i Qendrës për Kërkime në Politika Ekonomike në Londër, në librin e tij “Konvergjenca e madhe: teknologjia e informacionit dhe globalizimi i ri”.
Sipas mendimit tuaj, çfarë ka munguar në analizat e sotme për globalizimin?
Një gjë që duket se i shpëton cilitdo që sheh vetëm tregun, është se në 20 vitet e fundit globalizimi është shtyrë më shumë prej ideve dhe njohurive (që tejkalojnë kufijtë shtetërorë falë internetit) se sa nga tregtia. Teknologjia e vendeve më të industrializuar, ata të G7, është transferuar jashtë, në vendet në zhvillim e sipër, për ta kombinuar me pagat e ulëta të vendasve.
Dhe çfarë ka sjellë kjo?
Po ju jap një shembull sqarues. Globalizimi i tregtisë është pak si një tratativë mes dy skuadrash futbolli, që diskutojnë një shkëmbim mes dy lojtarëve. Ndoshta një skuadër ka shumë mesfushorë dhe pak sulmues. Tjetra ka problemin e kundërt, kështu që bien dakord për të shkëmbyer një mesfushor me një sulmues dhe janë të dyja të kënaqura. Globalizimi i ideve është ndryshe. Eshtë sikur traineri i skuadrës më të fortë të vihet për të stërvitur, në kohën e lirë, edhe skuadrën më të dobët. Duke transferuar kështu dijet e tij. Tani: në këtë situatë, skuadra më e dobët (që në metaforën time është vendi në zhvillim) do të ketë avantazh, sepse do të luajë më mirë dhe do të fitojë pikë. Por kjo nuk përkthehet në avantazh për skuadrën më të fortë (ose vendi anëtar i G7). Në fakt është një dëm: tani do të ketë një konkurrent më shumë për titullin, që në metaforën time korrespondon me tregun global.
Eshtë një pasojë e digjitalizimit të shtyrë gjithnjë e më përpara?
Po, sepse digjitalja ka bërë pikërisht këtë: ka lehtësuar shumë zhvendosjen e vendeve të punës dhe ka lejuar rritjet e të tjerëve, të vendeve si Kina (për industrinë) dhe India (për shërbimet), që fitojnë në treg sepse i kanë pagat e ulëta dhe njohuritë e larta, të marra prej vendeve të G7. Transferimi i dijes i bërë i mundur nga revolucioni informatik ka qenë njëdrejtimësh, nga vendet e G7, tek ata që unë i quaj vendet e I6: Kina, India, Korea, Indonezia, Tailanda, Polonia. Duke qenë se pothuaj gjysma e njerëzimit jeton në këto vende, industrializimi i tyre i shpejtë dhe shtimi i kapacitetit të shpenzimeve tek banorët e tyre ka krijuar një kërkesë të brendshme shumë të fortë, e cila ka shërbyer si stimulues për ekonomitë e tyre. Ndërsa në vendet e G7, punëtorët janë në krizë, sepse pësojnë një konkurrencë të jashtme të indianëve dhe kinezëve, si dhe një konkurrencë të brendshme ë robotëve.
Sipas jush, përse qeveritë e G7 duket se mundohen shumë për të kuptuar natyrën e globalizimit të ri?
Sepse ndryshon shumë nga ai që jemi mësuar. Një herë e një kohë konkurrenca ndodhte në nivel kombëtar. Për shembull, makinat gjermane konkurronin me ato japoneze. Por globalizimi i ri i ka shuar kufijtë shtetërorë. Sot nuk konkurrojnë shtetet, por industritë shumëkombëshe që janë rrjete, të cilët marrin avantazh maksimal kudo ku munden: për shembull taksimi në Irlandë, krahu i punës në Kinë, programuesit në Armeni e kështu me radhë. Në këtë drejtim kanë avantazh shumëkombëshet, natyrisht, por edhe vendet që herë pas here zgjidhen si përfitues të transferimit të dijeve. Marrim Vietnamin: në vitet nëntëdhjetë, avantazhi konkurrues i tij ishin pagat e ulëta të punëtorëve. Industritë japoneze, sidomos Honda, filluan të investojnë shumë në Vietnam, duke transferuar inxhinierë, teknikë dhe njohuri. Kjo gjë krijoi një prodhim të lartë dhe Vietnami nisi të eksportojë pjesë automjetesh jo vetëm në Japoni, por në gjithë botën. Në këtë rast, transferimi i dijeve nga Japonia nuk forcoi vetëm avantazhin konkurrues që Vietnami e kishte që në krye të herës, por e transformoi në një gjë radikalisht më të mirë.
A mund të na jepni një mase, se sa shumë e shtyn rritjen ardhja e njohurive?
Gjatë shekullit XIX dhe XX, vendet e pasur rriteshin 1.5 deri 2 herë më shumë se të tjerët. Por në 20 vitet e fundit, vendet në industrializim të shpejtë, pikërisht falë vërshimit të ideve dhe risive që vijnë nga vendet e G7, kanë patur një rritje ekonomike 4 apo 5 herë më të lartë se vendet e pasur. Rritja ekonomike e vendeve të I6, të udhëhequr nga Kina, dhe e disa vendeve të tjerë eksportues të lëndëve të para, ka reduktuar pjesën e të ardhurave globale që zënë vendet e G7, nga dy të tretat, në një të dytat. E gjithë kjo brenda vetëm 20 viteve. Eshtë pikërisht kjo “Konvergjenca e Madhe”, të cilës i kam dedikuar titullin e librit tim: bota po shkon tashmë drejt një sheshimi global. Me fjalë të tjera, të ardhurat mesatare po bëhen gradualisht uniforme në të gjithë botën. “Il Venerdi” – www.bota.al