HistoriMAIN

Hanibali: Gjenerali kartagjenas që i tmerroi romakët

Hanibal Barka ishte një gjeneral kartagjenas që jetoi midis shekujve III dhe II Para Krishtit. Ai mbahet mend më shumë për fushatën e tij ushtarake kundër romakëve gjatë Luftës së Dytë Punike. Falë udhëheqjes së tij të shkëlqyer, kartagjenasit korrën disa fitore të rëndësishme kundër romakëve, dhe patën sukses në pushtimin e pjesëve të Italisë së Jugut.

Megjithatë ata nuk ishin në gjendje të arrinin një fitore vendimtare kundër Romës. Për më tepër, romakët e ndryshuan strategjinë e tyre në përballje me Hanibalin, dhe në fund ndërmorën një kundërsulm kundër Kartagjenës , gjë që çoi në fitoren e tyre.

Po kush ishte ky strateg i shkëlqyer ushtarak? Hanibali lindi në vitin 247 Para Krishtit në Afrikën e Veriut. Emri i tij, “Hanba’al”do të thotë “Mëshira e Ba’al”. Ba’al ishte një nga perënditë kryesor Punike. Hanibali ishte djali i madh i  Hamilkar Barka, një gjeneral kartagjenas.

Në kohën e lindjes së tij, Kartagjena ishte në luftë me Republikën Romake. Kjo luftë, Lufta e Parë Punike, përfundoi me disfatën e Kartagjenës në vitin 241 Para Krishtit. Por Hamilkari nuk pushoi asnjëherë së pari romakët si armiqtë e tij, ndaj nisi një fushatë për të pushtuar  Gadishullin Iberik.

Sipas historianit grek Polibi, megjithëse nuk ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj Romës, ajo fushatë synonte shtënien në dorë të burimeve të nevojshme për të zhvilluar një luftë tjetër kundër Republikës Romake. Në atë kohë Hanibali ishte vetëm 9-vjeç dhe i ati e mori me vete.

Në nëntë vitet që pasuan, Hamilkari zhvilloi një fushatë të suksesshme në Gadishullin Iberik, dhe kjo i dha mundësi Kartagjenën të ri-ngrihej sërish si një fuqi e frikshme në Mesdheun Perëndimor. Mbreti vdiq në vitin 229 Para Erës Sonë, kur Hanibali ishte ende i ri.

Në fillim komanda supreme e ushtrisë dhe fushata e Kartagjenës kaloi në duart e dhëndrit të tij dhe kunatit të Hanibalit, Hasdrubal Panairi. Ndryshe nga Hamilkar dhe Hanibal, Hasdrubal përdori më shumë diplomacinë sesa fuqinë ushtarake për të nënshtruar armiqtë e Kartagjenës.

Madje ai arriti të negocionte një traktat paqeje me Romën, sipas të cilit, lumi Ebro do të formonte kufirin midis Kartagjenës dhe Romës në gadishullin Iberik. Por siç vëren historiani Tit Livi, “paqja nuk solli asnjë siguri”, pasi Hasdrubal u vra në vitin 221 Para Krishtit.

Pas tij në krye u vendos Hanibali, që në atë kohë ishte 26. Në fillim ai u fokusua në konsolidimin e pozitave të Kartagjenës në Gadishullin Iberik. Ai përdori diplomaci dhe forcoi marrëdhëniet me iberikët duke u martuar me Imilce, një princeshë vendase.

Ndërkohë ai e ndërthuri këtë diplomaci me metodat e përdorura nga babai i tij:forcën ushtarake për të nënshtruar fiset e tjera Iberike. Në vitin 219, 2 vjet pas ngjitjes në pushtet, Hanibali ishte gati të sulmonte Republikën Romake. Por sulmi i tij i parë nuk ishte mbi vetë romakët, por mbi qytetin e lirë Saguntum. Rrethimi zgjati 8 muaj, gjatë të cilit Hanibali u plagos.

Romakët, që e konsideronin Saguntumin si aleat, e konsideruan sulmin e Kartagjenës ndaj qytetit të pavarur si një akt lufte. Por ata nuk i dhanë ndihmë ushtarake qytetit të rrethuar. Romakët dërguan në Kartagjenë një delegacion për të protestuar ndaj veprimit të Hanibalit. Kur qyteti ra pas 8 muajsh, të dërguarit romakë kërkuan dorëzimin e Hanibalit.

Kur kërkesat e tyre nuk u plotësuan, Roma i shpalli luftë Kartagjenës. Kështu, në viti 218 nisi Lufta e Dytë Punike. Hanibali mblodhi një ushtri për pushtimin e Italisë. Sipas Polibit, kjo ushtri përbëhej nga rreth 90.000 këmbësorë, 12.000 kalorës dhe 37 elefantë.

Meqenëse romakët kishin kontrollin e detit, Hanibali vendosi një pushtim tokësor të Italisë. Kjo do të thoshte që ushtria kartagjenase duhet të udhëtonte rreth 1.600 km për të shkuar nga Gadishulli Iberik në Itali. Përballë kishin 3 pengesa të frikshme natyrore malet Pirenej, lumin Rona dhe Alpet. Kalimi i Hanibalit në Alpe, mbahet mend si një nga veprimet ushtarake më të famshme të botës antike.

Polibit vëren se i gjithë marshimi zgjati 5 muaj. Historiani raporton se pasi kaloi Alpet, ushtria e tij u zvogëlua në rreth 20.000 këmbësorë dhe më pak se 6.000 kalorës, edhe për shkak të sulmeve nga disa fise vendase.

Edhe pse kishte humbur shumë njerëz, Hanibali arriti të zbriste në Italinë Veriore dhe të mposhtte ushtrinë romake në perëndim të lumit Ticinus. Në dhjetor 218 para Krishtit, rreth 1 muaj më vonë, kartagjenasit mundën sërish ushtrinë romake në bregun perëndimor të lumit Trebia. Kjo fitore i bindi fiset lokale që t’i bashkoheshin kartagjenasve në luftën e tyre kundër Romës.

Hanibal vazhdoi marshimin e tij drejt jugut dhe shënoi një fitore tjetër në Betejën e Liqenit Trasimene në qershor 217 Para Krishtit. Por pas asaj fitoreje, Hanibali nuk marshoi menjëherë drejt Romës, ose sepse mendonte se trupat e tij ishin tepër të lodhura, ose sepse fortifikimet e Romës ishin shumë të forta.

Për më tepër, Hanibali shpresonte që aleatët italikë të Romës të kalonin në anën e tij.

Prandaj, në verën e vitit 217, Hanibal pushoi në Picenum, duke i kufizuar fushatat e tij në sulmet lokale kundër Puljas dhe Kampanjës. Por romakët nuk pritën duarkryq.

Kuintus Verrukusus u zgjodh diktator pas disfatës së Romës në Trasimene. Ai shmangu betejat në fushë të hapur, por i ngacmoi vazhdimisht kartagjenasit me synimin që t’i shkatërronte. Në verën e 216, Hanibal marshoi sërish në jug dhe i shkaktoi një humbje shumë të rëndë romakëve në betejën e Kanaes. Ajo fitore bëri që shumë prej aleatëve italianë të Romës të kalonin me Kartagjenasit.

Por sërish, në vend se të shfrytëzonte mundësinë për të marshuar drejt Romës, Hanibali e kaloi dimrin e viteve 216-215 në Kapua. Ajo vonesë ishte fatale. Në vitet që pasuan, kartagjenasit hasën vështirësi të mëdha. Mbi të gjitha, ata nuk ishin në gjendje të shënonin një fitore vendimtare, pasi romakët i shmangnin në çdo rast betejat ballazi.

Inferioriteti numerik i ushtrisë së Hanibalit, e bëri të vështirë shpërndarjen e ushtrisë në të gjithë gadishullin, për të ruajtur fitimet territoriale të arritura nga Kartagjenasit. Ushtria e Hanibalit po zvogëlohej dalëngadalë për shkak të vdekjes së njerëzve të tij, apo edhe dezertimit të aleatëve të tij Galikë, si dhe nga mungesa e përforcimeve nga Kartagjena që nuk mbërritën kurrë.

Në këto kushte, romakët ndërmorën një sulm në Gadishullin Iberik, dhe patën sukses në dëbimin e kartagjenasve prej andej. Drejtuesi i kësaj fushate, Publius Shipioni, pushtoi nga atje Afrikën e Veriut, gjë që detyroi largimin e Hanibalin nga Italia në vitin 203 Para Krishtit.

Vitin pasues, Hanibali u përball me ushtrinë e Shipionit në Betejën e Zamës në Afrikën e Veriut dhe u mund nga ushtritë romake. Kartagjena nënshkroi një marrëveshje paqeje dhe Lufta e Dytë Punike mori fund vitin pasardhës.

Pavarësisht kërcënimit që Hanibali kishte paraqitur për Romën, ai nuk u ndëshkua nga romakët pas disfatës, duke u lejuar të vazhdonte të shërbente si një udhëheqës në Kartagjenë. Por Hanibali thuhet se kishte ofenduar pjesë të caktuara të fisnikërisë, pasi kundërshtoi praktikat e tyre korruptive.

Si pasojë, ai u akuzua për nxitjen e Antiokut III, sundimtarit të  Perandorisë Seleukide në Mesdheun Lindor, për të nisur luftë ndaj Romës. Ndërsa disa historianë e kanë vënë në dyshim qëndrueshmërinë e kësaj akuze, të tjerë kanë argumentuar se Hanibali shpresonte të fillonte një luftë tjetër kundër Romës.

Në çdo rast, Hanibali shkoi të banonte në oborrin mbretëror Seleukid. Por pas disfatës së Antiokut përballë romakëve, fitimtarët kërkuan dorëzimin e Hanibalit. Prandaj, ish-gjenerali kartagjenas u arratis sërish duke përfunduar në oborrin e mbretit Prusias, sundimtarit të  Bitinisë, në Detin e Zi.

Romakët, ndikimi i të cilëve ishte rritur shumë në lindje, i kërkuan Prusias ta dorëzonte mikun e tij kartagjenas. Duke e kuptuar se bitinasit ishin gati ta tradhtonin, Hanibali kreu vetëvrasje duke pirë helm. Ai vdiq ndoshta në vitin 183 Para Krishtit. / Ancient Origins – Bota.al

Back to top button
Close
Close