Histori

HISTORI / “Revanshi i Mefistofelit”. Kjo është “biografia” e djallit nëpër shekuj

– Falë letërsisë, nga Pesëqinda e këtej djalli ka njohur një “jetë të dytë”. Si simbol i rebelimit
– Çdo aleancë sanksionohet nga një marrëveshje: pakti mes Faustit dhe Mefistofelit. Ideja e një kontrate të firmosur me gjak është, me thënë të vërtetën, shumë më e vjetër se sa Fausti. Burimi i parë letrar i njohur që flet për një pakt mes njeriut dhe djallit është 8-shekullor: gjendet në dramën liturgjike “Mrekullia e Teofilit”, e poetit francez Rutebeuf. Teofili në fjalë pranon që t’ia japë shpirtin e tij djallit, në këmbim të pushtetit dhe pasurisë, por shpëtohet nga ndërhyrja e furishme e Virgjëreshës

georges bizet-368742

Revanshi i Mefistofelit

Djalli tashmë na tremb vetëm në kinema. Por nëse sot vazhdon të jetë popullor (që nga filmat horror, tek rroku satanik, duke kaluar nga librat me kartona) kjo ndodh edhe falë teksteve teatrorë, poezive dhe veprave të artit që në shekuj e kanë bërë zotin e errësirës një rebel me një forcë tërheqjeje të parezistueshme. Demoni i hodhi hapat e parë të karrierës së tij letrare tek “misteret”, spektakle që në shekujt X-XIV paraqiteshin në kisha dhe në sheshe. Shpesh herë i Keqi ishte, në mos protagonist, të paktën një bashkëpunëtor, pra “i ligu par excellence”. Ndodhte në Francë, por mbi të gjitha në Gjermani dhe në Angli. Dhe ishte pikërisht në botën anglo-saksone që doli edhe më i zjarrti i djajve letrarë: Mefistofeli. Debutimi i “atij që nuk e do dritën” (kjo sipas pjesës më të madhe të studiuesve, domethënia greke e emrit Mefistofel, alias Mefisto) ndodhi në Pesëqindën me suksesin e jashtëzakonshëm të figurës së Faustit: një magjistar dhe dijetar që thuhej se i kishte premtuar demonit shpirtin e tij në këmbim të aksesit në sekretet e dijes.

Prapa kësaj legjende ishte një njeri me mish e me kocka, Johan Georg Faust, që ka jetuar mes viteve 1480 dhe 1540. Zërat për të (letra, rrëfime, kronika) tregonin për bëma të jashtëzakonshme si shërues, ekzorcist, astrolog dhe magjistar: shfaqjet e tij ishin sinjalizuar në Laipcig, Venecia, Amsterdam, Paris. Të gjithë këta zëra fragmentarë u bashkuan në librin Historia e Dr. Johan faust, i shtypur në Gjermani në 1587. Argumenti: jeta, aventurat dhe vdekja misterioze e një mjeshtri të gjërave të fshehta. Gjithcka e rrëfyer nga dishepujt e tij dhe me detaje për paktin e tij me Mefistofelin (dhe këtu emri shfaqet për herë të parë). Tre vjet më vonë, në Londër, Kristofer Marlou vuri në skenë në Londër “Historia tragjike e Doktor Faustit” dhe brenda një kohe të shkurtër, cifti, Fausti dhe Mefistofeli bëri xhiron e shesheve të Europës në spektakle, tragjikomedi etj. Në këta prezantime popullorë të djallit, më shumë se sa të frikësonte si në predikimet e priftërinjve, ai argëtonte. Dhe nëse magjia e zezë dhe demonët nuk shkaktonin më terrorin e shenjtë, kjo do të thoshte se ishte maturuar koha për shpengimin e djallit.

ALEANCA TË RREZIKSHME

“Gjatë Rilindjes, kur lindi miti i Faustit, magjia, hyjnizimi dhe besimet ezoterikë patën shumë sukses edhe mes elitave intelektuale”, shpjegon Paolo Orvieto, docent i kritikës letrare në Universitetin e Firences dhe autor i një studimi mbi këtë argument. “Fausti pseudohistorik ishte intelektuali i ri, që kishte gjykim të lirë, i cili djallit nuk i kërkonte pasuri, por dije”. Dhe nëse zbulimi i sekreteve të natyrës (një prej qëllimeve heretikë të shkencës së Rilindjes) ishte një sfidë ndaj zotit, Mefistofeli ishte bërë pra një aleat i njerëzimit.

Megjithatë, cdo aleancë sanksionohet nga një marrëveshje: pakti mes Faustit dhe Mefistofelit. Ideja e një kontrate të firmosur me gjak është, me thënë të vërtetën, shumë më e vjetër se sa Fausti. Burimi i parë letrar i njohur që flet për një pakt mes njeriut dhe djallit është 8-shekullor: gjendet në dramën liturgjike “Mrekullia e Teofilit”, e poetit francez Rutebeuf.Teofili në fjalë pranon që t’ia japë shpirtin e tij djallit në këmbim të pushtetit dhe pasurisë, por shpëtohet nga ndërhyrja e furi- shme e Virgjëreshës (e cila merr edhe kontratën).Dhe këtu është dallimi: ndërkohë që djalli mesjetar mposhtej rregullisht dhe viktimat e tij shpëtoheshin duke refuzuar tundimet, me Mefistofelin gjërat shkuan ndryshe.

SFIDË PERËNDISË

Ai që krijoi një finale revolucionare për historinë e magjistarit të pesëqindës ishte poeti gjerman Johan Volfgang Gëte, tek “Fausti”, që e shkroi dhe rishkroi disa herë mes viteve 1793 dhe 1832. Gëte e transformoi Mefistofelin në shokun ideal për “supernjeriun” Faust, i përshkruar si një individualist i trazuar shpirtërisht që i përballon kufizimet dhe ndalimet që urdhëron kisha në emër të dijes.

“Mefistofeli i Gëtes është fytyra tjetër, e pandashme e Zotit”, rrëfen Orvieto. “Sfida mes Zotit dhe Mefistofelit (që në prologun e dramës luajnë për shpirtin e prota- gonistit) është e barabartë; në shumë drejtime është pothuajse një hakmarrje e Satanait, që më parë ishte mposhtur dhe poshtëruar”. Jo më kot, kur në dramë Fausti e pyet se cili është, Mefistofeli i përgjigjet: “Jam ajo forca që do gjithmonë të keqen dhe vepron gjithmonë me të mirën”. E në fakt, në momentin kur duhet të respektojë paktin e gjakut (pas aventurave të pabesueshme, zbulimeve dhe udhëtimeve në kohë), në vend që të përfundojë në ferr, ashtu si të gjithë “shërbëtorët e Satanait”, shpirti i Faustit shpëtohet nga mallkimi falë sinqeritetit dhe pasionit që ai shfaq tek ndjek qëllimet e tij (përvecse për sakrificën e të dashurës Margerita). “Mëkati fillestar” biblik – këputja e frutave të pemës së dijes – në një epokë që shihte tek kërkimi shkencor një aspiratë legjitime, është i falur.

Përse?

Vetiu lind pyetja: Përse zoti ka lejuar që përkrah njeriut gjithë jetën të ecë djalli, e keqja? Njerëzit e fesë kanë predikuar në shekuj se kjo është bërë me qëllim që njeriu të pastrohet nga e keqja dhe të përgatitet për jetën e përtejvarrit. Sikur të ishte vërtet kështu, atëherë do të dilte se e keqja qenkësh e mirë, përderisa përbën kushtin që njeriu të shkojë drejt përsosjes. Dhe atëherë e keqja, domethënë tërësia e vetive të këqija, jo që nuk do të duhej luftuar, por do të duhej bekuar e mbase edhe kultivuar, me qëllim që pastrimi i njeriut të ishte sa më i plotë dhe rrënjësor.
E vërteta është se historia e zhvillimit të njerëzimit ka qenë dhe vazhdon të jetë një luftë tejet e zymtë, shpesh në dukje e pashpresë, por gjithsesi e pandalshme, e paepur e forcave përparimtare për të mposhtur pengesat e krijuara nga forcat reaksionare ose, thënë ndryshe, djallëzore, që janë të pranishme dhe egërsisht aktive në shoqërinë njerëzore, dhe për të ecur në rrugën drejt përparimit, do- methënë drejt përmirësimit të jetës këtu, mbi dhe. Kjo do të thotë se në historinë e njerëzimit ka pasur jo vetëm forca që donin ta konsideronin të keqen si diçka me burim hyjnor dhe me karakter të amshuar, pra të paluftueshme e të pandreqshme, por edhe forca që e kanë konsideruar atë thjesht një dukuri shoqërore e si të tillë plotësisht të ndreqshme.
Nga ana tjetër vetë Fausti as që do t’ia dijë për botën e përtejme. Në dialogun, i cili kulmon me lidhjen e marrëveshjes mes tij dhe Mefistofelit, ai thotë:
Për ç’ka përtej s’më bëhet vonë.
Në u rropostë bota jonë,
nuk pyes ç’botë vjen pas saj.
Pavarësisht se për Faustin vënë bast dy qenie të amshuara, zoti dhe djalli, vetë Fausti nuk mendon për një të ardhme diku pas vdekjes, por vetëm për jetën mbi dhe. Dhe këtu befas mund të merret me mend se përse jeta e tij i duket në fund të fundit Gëtes një tragjedi: ajo është jeta e një njeriu që nuk beson në jetë tjetër, nuk ka jetë të përtejme. Për këtë arsye, nëse Fausti nuk do të arrijë ta gëzojë këtë jetë, ai nuk mund të mos jetë një njeri tragjik. Lidhja e brendshme që Gëtja bëri mes Faustit dhe vetes, mes një legjende dhe një njeriu të gjallë, mund të duket si një mëtim i pazakonshëm e disi kryelartë. Por leximi i “Faustit” do ta bindë lexuesin se këtu gjithçka është reale, sado e pazakonshme dhe kryelartë të tingëllojë: reale, domethënë aspak të pamundura, ishin synimet e Faustit të gojëdhënave për të shijuar jetën në tokë dhe për t’i dhënë asaj një kuptim që shkonte përtej rën- domtësisë, përtej kënaqësisë soditëse, dëfrimit pa krijimtari; reale e jo të pamun- dura ishin edhe synimet e Gëtes për të rrokur domethënien e jetës së tij, gjë që e shtynte të rrokte domethënien e jetës që bënte kombi i tij, domethënien e kohës së tij, në fund të fundit domethënien e ekzistencës së mbarë njerëzimit.

PROTAGONIST

Që djalli mund të recitonte tashmë si protagonist, këtë e kishte demonstruar tashmë një tjetër letrar, anglezi John Milton. Ishte viti 1667, kur në librin e tij Pa- rajsa e humbur Milton tregoi historinë e dëbimit të Adamit dhe të Evës nga Kopshti i Edenit, prej këndvështrimit të Satanait. Duke bërë një portret “human”, pothuajse prekës, të engjëllit të rrëzuar. Sipas piktorit-poet Uilliam Blake, që ilustroi shumë skena të poemës, Milton “ishte nga ana e djallit, pa e ditur”.
Blake ishte një romantik deri në palcë dhe Romanticizmi ishte “epoka e artë” e demonit. Pikërisht atëherë djalli u shndërrua në subjektin ideal për të mishëruar mundimet e një epoke revolucionesh socialë (fundi i ancien regime dhe lindja e një borgjezie konformiste), teknologjikë (revoluioni industrial) dhe artistikë (aspira- ta për absoluten). “Mefistofeli përfundoi si përfaqësues i anës së errët të njeriut, hyjnia e natës dhe irracionales, i të pandërgjegjshmes”, shpjegon Orvieto.
Brenda pak dekadash u shumëfishuan veprat që lartësonin demonin duke e përshkruar si një rebel që ishte ndëshkuar në mënyrë të padrejtë. Një hero për të gjithë ata që në manualet e letërsisë gjendeshin në kapitullin “dekadentët”. Shembujt janë të bollshëm. Në vitin 1857, në Francë, poeti Charles Baudelaire shkruan- te Litanitë për Satanain: “… Lavdi për ty, Satana, dhe lëvdata! / Bëj që shpirti im, nën pemën e shkencës, një ditë / të prehet pranë teje…” Pak vite më vonë i bënte jehonë Giosue Carducci, me një Himn për Satananë (1863), që mjaftojnë 4 vargje të tij për ta sintetizuar: “Përshëndetje, o Satana / O rebel /O forcë hakmarrëse / e arsyes”. Një manifest kundër obskurantizmit të Kishës e cila, sipas Carduccit, i kundërvihej progresit.
Revanshi i Mefistofelit vazhdoi gjatë Nëntëqidës në qindra variante të mitit letrar të krijuar nga Gëte: shumë dekadentistë, të tjerë gjysmëseriozë, disa groteskë. I fundit është rasti i Mjeshtrit dhe Margaritës. Autori: rusi Mikhail Bulgakov. Epoka: Vitet tridhjetë.

Romani është praktikisht historia rokamboleske e një shkrimtari sovjetik (Mjeshtri, apo më saktë vetë Bulgakovi) që është duke shkruajtur një roman për Ponc Pilatin dhe Jezu Krishtin dhe me një dashuri të vështirë (me Margaritën). Por mbi të gjitha me një shoqëri superburokratike, ku jeta e përditshme duket krejt e pa kuptim (një ferr grotesk). Këtu hyn në lojë ai, Vonland, mishërimi i radhës i Mefistofelit të Gëtes. Duke qenë se ka dhuntinë mbinatyrore që të udhëtojë në hapësirë dhe në kohë, ripërzien kartat e historisë (fut tek Pilati më shumë se sa një dyshim ndaj të dënuarit Jezus) dhe ato të jetës së përditshme të protagonistëve (eleminon burokratë dhe shkrimtarë mediokër, e bën pluhur e hi teatrin shtetëror, e mbyll Mjeshtrin në azil, transformon Margaritënnë një shtrigë…).
Voland mbjell terror, nënshtron Moskën, por ashtu si Mefistofeli duke u përpjekur të bëjë keq, arrin të mirën. Ai është në fund, heroi i vërtetë i librit. “Ndërhyrja e Voland dhe ndihmësve të tij diabolikë duket se ka qëllimin që të clirojë nga ai lloj burgu dhe skllavërimi intelektual Mjeshtrin, i persektuar sepse nuk është në një linjë me politikën kulturore”, shpjego Orvieti. Djalli i Bulgakovit nuk sjell mallkimin e përjetshëm, por liri dhe drejtësi në tokë.
Fakti që revanshi letrar i demonit e ka patur kulmin e vet pikërisht në fillimin e nëntëqindës shpjegohet me boshllëkun që dukej se kish lënë feja, në kulmin e revolucionit industrial dhe në prag të masakrave të Luftës së Parë Botërore. Filozofi gjerman Friedrich Nietzsche e shkruante qartë që në vitin 1882: “Zoti ka vdekur”. Dhe një tjetër mendimtar kontrovers, francezi Andre Malraux disa dekada më vonë do të shtonte: “Zoti është zhdukur, por djalli ka mbetur”. / 
Shqipëroi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button