BotaMAIN

Izraelitët, palestinezët dhe një aksident rrugor

Një mëngjes me shi në shkurt 2012, një autobus me fëmijë kopshti, me mësueset e tyre, u nisën nga Anata, një fshat palestinez në periferi të Jeruzalemit, drejt një sheshi lojrash në Ramallah. Më pak se njëzet minuta larg.

Eshtë udhëtimi që studentët e Nour al Houda e presin prej muajsh: çanta shpine Superman, çokollata, lëng portokalli, uniforma shkollore dhe gjithë emocionet që shoqërojnë një ditë të tillë.

Në pak minuta, përgjatë rrugës Jaba, në veri të Jeruzalemit, një kamion bën një manovër të rrezikshme në asfaltin e lagur për të parakaluar autobusin e shkollës, duke e nxjerrë atë nga rruga.

Jemi në zonën C të Bregut Perëndimor, 60 për qind e territorit, ku jetojnë 300 mijë palestinezë. Por është Izrael, sipas marrëveshjeve të Oslos, që ka kontroll të plotë në çështjet civile dhe të sigurisë.

Rezultati është se automjetet palestineze të emergjencës nuk kanë lirinë për të lëvizur në mënyrë të pavarur, për të arritur në vendin e aksidentit. Ndërsa nga postblloku izraelit që ndodhet shumë pranë, askush nuk bën asgjë, duke pritur urdhrat. Kështu, në gjysmë ore në të cilën shpërthen zjarri si pasojë e përplasjes, gjashtë fëmijë dhe një mësues do të vdesin sepse asnjë mjet shpëtimi, as palestinez dhe as izraelit, nuk vjen për t’i shpëtuar.

Nga ky episod fillon “Një ditë në jetën e Abed Salama”, libri në të cilin gazetari hebreo-amerikan Nathan Thrall gërmon brenda tragjedisë dhe rindërton me përpikëri atë që e shkaktoi, duke rrëfyer jetën e atyre që humbën gjithçka ose dhanë gjithçka për të shpëtuar fëmijët, atyre që thyen rregullat dhe atyre që nuk ishin në gjendje ta bënin këtë. Dhe më pas e zgjeron vështrimin në të gjithë sistemin në të cilin ndodhi aksidenti, tek rregullat që bllokuan ekipet e shpëtimit, tek arsyet pse ajo rrugë ishte kaq e lënë pas dore dhe në përgjithësi tek ekzistencat shumë të ndryshme, vetëm disa qindra metra larg njëra nga tjetra, në të dy anët e murit që ka ndarë Izraelin dhe territoret palestineze, që nga viti 2002.

Libri, i botuar në Shtetet e Bashkuara më 3 tetor, ishte në qendër të një çështjeje editoriale, sepse disa nga prezantimet e planifikuara u anuluan: ishte shumë e vështirë të flitej në publik për një histori të treguar kryesisht nga pala palestineze, pas masakrës së Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor. Sot është futur në listën e vëllimeve më të mira të vitit 2023 nga Economist, New Yorker, Financial Times, Time Magazine dhe shumë gazeta të tjera.

Një botë larg

E takojmë Thrall-in, 44 vjeç, në qetësinë e një mëngjesi të shtune në Jeruzalem, në sallat e YMCA-së, hotelit/hostelit historik të qytetit: pesëmbëdhjetë minuta vijë ajrore nga Anata, fshati në qendër të librit. Por, siç ndodh shpesh këtu, një botë larg. “Kjo është pikërisht ajo që doja të tregoja”, shpjegon autori, i sapokthyer nga një turne promovues në Australi. “Kam jetuar në Jeruzalem për shumë vite dhe nga përvoja personale e di mirë se sa pak dinë izraelitët për palestinezët, dhe si jetojnë ata. Kjo e bën të pamundur çdo formë mirëkuptimi, ndjeshmërie: unë isha këtu në vitin 2012 kur ndodhi aksidenti. Më kujtohet shumë mirë që u bë e madhe në mediat palestineze. Por për izraelitët, edhe pse masakra e fëmijëve kishte ndodhur në periferi të Jeruzalemit, shumë afër një postblloku me ushtarë izraelitë, në territorin e kontrolluar nga Izraeli, u dha si një lajm i shkurtër kronike”.

Abedini dhe Miladi

Në qendër të rrëfimit është Abed Salama, babai i Miladit 5-vjeçar, një prej fëmijëve që nuk do të kthehet më në shtëpi nga ai udhëtim. Thrall tregon historinë duke na kthyer vite pas, në shoqërinë palestineze, mes konventave dhe rivaliteteve familjare që do ta bëjnë atë të heqë dorë nga dashuria e parë dhe ta shtyjë të martohet me një grua që nuk e do, dhe më pas të kërkojë një grua të dytë në komunitetin e arabo-izraelitëve, për të marrë një dokument – Kartën Blu – që u lejon atyre të lëvizin lirshëm drejt Jeruzalemit.

Së bashku me Abed Salama, ka shumë protagonistë të tjerë në libër: Huda Dahbour, një endokrinologe në UNRWA (agjencia e OKB-së për Palestinezët) e cila u rrit në mërgim pasi familja e saj u detyrua të largohej nga Haifa, në vitin 1948.

Ajo do të jetë e vetmja mjeke që do të ndërhyjë në terren, në një ditë që i kujton vitin 1985 kur, shumë e re, u thirr për të rikompozuar trupat e luftëtarëve palestinezë të vrarë në bombardimet izraelite ndaj selisë së OÇL në Tunis.

Ose Dany Tirza, rezervist i ushtrisë izraelite, me nofkën Abu Kharita, “babai i hartës”, nga Yasser Arafat: i ngarkuar me gjurmimin e rrugës së murit ndarës, ai që kishte filluar të punonte duke besuar tek paqja, dhe e gjeti veten duke planifikuar një pengesë që vërteton pamundësinë e saj.

Ajo që e godet lexuesin është niveli në të cilin zgjedhjet politike që vijnë nga larg përshkojnë çdo detaj të jetës së protagonistëve palestinezë, duke imponuar zgjedhje të tilla si ajo se ku t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, ku të jetojnë, deri tek ajo më intime, mbi personin me të cilin do të martohen.

“Unë besoj se ky libër është edhe më i dobishëm tani, në kontekstin e asaj që po shohim në Gaza,” përfundon Thrall. “Zgjedhjet e bëra në këtë luftë nga pala izraelite janë përcaktuar të gjitha nga supozimi i dehumanizimit të tjetrit. Dhe nëse një pjesë e madhe e publikut këtu i mbështet, kjo është edhe sepse ata nuk e dinë se kush janë palestinezët, si jetojnë dhe çfarë ëndërrojnë. Përpjekja për të folur për pabarazitë themelore që përjetojnë ata që jetojnë nën pushtimin izraelit, si pamundësia për të shkuar për të kërkuar fëmijën tuaj në një spital që është afër, por që nuk mundeni sepse nëse nuk keni dokumentet e duhura, është edhe më shumë e rëndësishme tani”. / Il Venerdi – Bota.al

Back to top button