Ekonomi

Kështu Europa ia fali borxhet Gjermanisë

Marrëveshja e Londrës e vitit 1953 për borxhin e Gjermanisë demonstron se qeveritë europiane dinë sesi ta zgjidhin një krizë nga borxhi duke lidhur drejtësinë dhe rigjallërimin ekonomik. Ja katër mësime shembullore, të dobishme në krizën aktuale të borxhit grek.


bota.al


Më 27 shkurt të vitit 1953 u nënshkrua në Londër një marrëveshje që e falte gjysmën e borxhit të Gjermanisë (në atë kohë Gjermania Perëndimore). 15 miliard nga një total prej 30 miliard dojçmarkash. Midis vendeve që akorduan faljen qenë Shtetet e Bashkuara, Anglia e Franca, së bashku me Greqinë, Spanjën dhe Pakistanin (vende që janë sot ndër debitorët më të rëndësishëm). Marrëveshja mbulonte edhe borxhin e privatëve dhe të kompanive. Pas vitit 1953, vende të tjera e nënshkruan marrëveshjen për faljen e borxhit gjerman: Egjipti, Argjentina, Kongo Belge (sot Republika Demokratike e Kongos), Kamboxhia, Kameruni, Guinea e Re, Federata e Rodezisë dhe e Nijazalandit (sot Malavi, Zambia dhe Zimbabve).

Borxhi gjerman u përkiste dy periudhave historike: viteve përpara Luftës së Parë Botërore dhe ato menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Gjysma buronte nga huatë që Gjermania kishte marrë gjatë viteve Njëzetë dhe fillimviteve Tridhjetë (përpara ngjitjes së nazistëve në pushtet) dhe që u përdorën për të paguar dëmet e luftës, të vendosura në vitin 1919 nga Traktati i Versajës. Bëhej fjalë për shumën e pagesave kolosale të dëmeve të luftës, të imponuara vendit pas humbjes në Luftën e Parë Botërore. Gjysma tjetër e borxhit ishte e lidhur me shpenzimet e rindërtimit pas konfliktit të dytë botëror.

Në vitin 1952 borxhi i Gjermanisë i mbajtur nga vendet e huaja shkonte në rreth 25 përqind të së ardhurës kombëtare. Bëhet fjalë për një borxh relativisht të përballueshëm, krahasuar me shifrat e sotme: Spanja, Greqia, Irlanda dhe Portugalia kanë të gjitha një borxh ndaj kreditorëve më të lartë se 80 përqind e PBB-së. Gjermania Perëndimore duhej të përballonte shpenzime të mëdha për rindërtimin, por rezerva në valutë të huaj ishte e pakët. Delegacioni gjerman në konferencë mbështeti me sukses tezën se rimbursimet e borxhit do të rriteshin në mënyrë marramendëse në të ardhmen e afërt dhe kjo do ta pengonte rëndë rindërtimin e vendit. Në vijim të anullimit të borxhit, Gjermania Perëndimore përjetoi një “mrekulli ekonomike” të shtyrë përpara nga një vepër rindërtimi e gjerë dhe rritje të fuqishme të së ardhurës dhe të eksporteve. Ky stablitet kontribuoi në paqen dhe begatinë e Europës.

Kreditorët e Gjermanisë Perëndimore qenë goxha të gatshëm që ta stabilizionin kuadrin politik dhe ekonomik të vendit, për të forcuar një “bastion kundër komunizmit”. Ky nënkuptim politik i shtyu kreditorët që të përqafonin me një qasje iluministe problemin e borxhit; qasje datkeqësisht munguese në krizën e borxhit e 30 viteve të fundit  – Amerikë Latine dhe Afrikë (vitet Tetëdhjetë e Nëntëdhjetë); Lindje e Largme (mesi i viteve Nëntëdhjetë); Rusi dhe Argjentinë (në pragun e mijëvjeçarit) dhe sot Europa. Në të gjitha këto kriza, Gjermania gjendej midis kreditorëve, siç ka dalë në mënyrë të pastër gjatë krizës europiane të borxhit.

Përveç entitetit të borxhit të anulluar, shumë aspekte të tjera të marrëveshjes së borxhit të Londrës qenë avantazh i sigurtë për Gjermaninë; parimet që i frymëzuan mund t’i aplikohen rastit të vendeve debitore aktuale.

1) Vendosje të limiteve eksplicite ndaj rimbursimit të borxhit

Parasëgjithash u kërkua (dhe u sigurua) mjeshtërisht që rimbursimi i borxhit të Gjermanisë Perëndimore të procedonte vetëm në rast sufiçiti tregtar. Në rast deficiti tregtar, nuk do të kryhej asnjë pagesë. Me fjalë të tjera, qeveria do të rimbursonte borxhin vetëm me resurse praktikisht të disponueshme, në vend që t’ju drejtonte huave të reja apo të përdorte rezerva në valutë të huaj. Ky mekanizëm shmangu një reçision të ri apo një stanjacion të gjatë. Veç kësaj, në hipotezë të një bilanci tregtar negativ, Gjermania Perëndimore ishte autorizuar ë kufizonte importet.

Nëse vendet kreditore donin t’i rikuperonin huatë e tyre, qenë kështu të nxitur që të importonin mallra nga Gjermania. Mekanizmi që mundësoi të procedohej në këtë kuptim  qe rivlerësimi kundrejt dojçmarkës i monedhave të vendeve kreditore: me një dojçmarkë të “dobët” mallrat e prodhuara në Gjermani qenë në konveniente për tregjet e huaja. Efekti qe një rritje e shpejtë e eksporteve gjermane, që i mundësoi vendit të ripaguante borxhin e mbetur. Nga ana tjetër, vendet kreditore i rioerientojnë fakt politikat e tyre ekonomike të brendshme, duke shtyrë drejt importesh më të mëdha (duke mbështetur kështu konsumet), në vend që t’i shtrëngonin borxhlinjtë të zbatonin politika rreptësie financiare. [Kjo e fundit është rruga e zgjedhur nga Gjermania aktuale, që paralelisht këmbëngul mbi merkantilizmin dhe shtyp konsumet e brendshme, shënimi i redaksisë]. 

Deficit, sufiçit dhe borxh

Nëqoftëse një vend eksporton më shumë nga ajo që eksporton, ka një sufiçit tregtar. Kjo sjell një të ardhur me tepri, që nuk shpenzohet në mallra të rëndësishme. Kjo tepri do të shërbejë për tiabsorbuar borxhin ose do të transformohet në kredit ndaj vendesh të tjera, që nga ana tyre do të debitohen.

Nëqoftëse një vend është në deficit tregtar, ai importon më shumë nga sa eksporton. Kështu që është i detyruar që të ndajë borxhe me vende të tjera ose të vejë në shitje pasurinë e tij. Domethënë borxhet midis vendeve shkaktohen nga (ose shkaktojnë nga ana tyre) deficite dhe sufiçite në bilancet tregtare. Që një vend të mund të jetë në defiçit, duhet të ekzistojë një tjetër me deficit. Sa më shumë bilancet tregtare janë në ekuilibër, aq më e qëndrueshme është ekonomia botërore.

Që një borxh të mund të rimbursohet, vendet debitore duhet të jenë në sufiçit dhe vendet kreditore duhet të jenë në deficit tregtar. Është shumë e vështirë për vendet debitore të arrijnë një tepricë të bilancit tregtar, në rast se kreditorët janë të gatshëm të pranojnë deficit. Teorikisht nuk është e mundshme që të gjithë vendet të jenë në sufiçit, veç në rastin kur planeti Tokë nuk fillon të bëjë tregti me një planet tjetër.

Bilanci tregtar i Gjermanisë Perëndimore qe gjerësisht aktiv gjatë periudhës së borxhit dhe kështu klauzola kufizuese nuk u zbatua kurrë. Por vetë ekzistenca e saj lejoi të rindërtohej ekonomia gjermane dhe të mbështeteshin eksportet, duke krijuar kështu një stimulues të fuqishëm për të blerë mallra të ardhura nga RFGJ-ja, dhe duke mundësiar zhvlerësimin e dojçmarkës respektivisht monedhave të tjera.

Kompetitiviteti i Gjermanisë dhe zhvlerësimi i dojçmarkës shënuan gjithë periudhën e rimbursimit të borxhit dhe përfunduan për të detyruar vendet e tjera të Eurozonës me krijimin e euros në vitet Nëntëdhjetë. Në vitet ’50 dhe ’60, sufiçitet tregtare të Gjermanisë Perëndimore mundësuan rimbursimin e borxhit; në vitet më të vonshme, kanë kontribuar në fakt të rrisin borxhin e vendeve të tjera, si Greqia, Irlanda, Spanja dhe Portogalia.

Falë faljes së borxhit dhe reduktimit të përqindjeve të interesit, pagesat e absorbuara nga rimbursimi përbënin 2,9 përqind të eksporteve në 1958 (viti i parë i dëmshpërblimit) dhe u reduktuan me rritjen e sufiçitit. Me titull krahasimi, FMN-ja dhe Banka Botërore konsiderojnë të “mbështetshme” për vendet më të varfëra rimbursimet e borxhit të rendit të 15 – 2- përqind në vlerën e eksporteve.

Në vitin 2015, FMN-ja parashikoi se Gjermania do të kishte një sufiçit tregtar të barabartë me 5.8 përqind të PBB-së, kur në fakt mund të importojë mallra nga vendet kreditore, për t’i ndihmuar që të dalin nga kriza. [Sufiçti tregtar gjerman i ka shkelur në mënyrë të përsëritur kriteret e Macroeconomic Imbalance Procedures — MIP. Por për momentin Gjermanisë nuk i janë vënë sanksione, shënimi im]

Veç kësaj, siç u kujtua më parë, rimbursimet aktuale të borxhit janë shumë më të larta (në terma përqindjeje respektivisht vlerës së eksporteve) nga sa është paguar prej Gjermanisë Perëndimore në ritmin maksimal të pagesave. Aktualisht, rimburset e qeverisë greke janë të rendit të 30 përqind të eksporteve të saj.

Situata të ngjashme paraqiten për vendet më të debituara të jugut të botës: Pakistani, Filipinet, Salvadori dhe Xhamajka shpenzojnë midis 10 – 20 përqind të eksporteve të tyre për të paguar borxhet e jashtme të tyre. Këto vlera nuk përfshijnë rimbursimet e borxheve private.

 

2) Përfshirje të të gjithë llojeve të kreditorëve

Të gjithë kreditorët u përfshinë në programin e ristrukturimit, si shtetet, ashtu edhe privatët, ndaj të cilëve u zbatuan të njëjtat kritere. Kjo për të kufizuar efektet e padive të ngritura nga privatët për pabarazi trajtimi.

Shumë e ndryshme është qasja e ristrukturimit të borxheve më vonë. Programi i normalizimit të borxhit të vendeve të varfëra (Heavily Indebted Poor Countries Initiative, HIPC), që ka falur 130 miliard dollarë borxhe për 35 vende ndër më të varfërat e botës (vitet 2000), ka prekur kryesisht borxhet ndaj institucioneve ndërkombëtare apo vendeve të treta. Subjektet private nuk janë përfshirë në marrëveshje. Për pasojë, vendet ndër më të varfërat e botës, si Sierra Leone, Zambia, Republika Demokratike e Kongos, janë paditur pranë gjykatave perëndimore nga ‘Vulture funds’ (fonde spekulative ‘grabitqare’), për shumë kolosale, që nuk janë në gjendje t’i rimbursojnë.

Në fund të 2001, Argjentina shpalli falimentin ndaj borxhit të vet, thjesht pse ishte shumë i lartë për t’u rimbursuar. Shumë prej kreditorëve privatë nënshkruan një marrëveshje të re, që parashikonte një ulje prej 70 përqindësh mbi borxhin niminal. Disa kreditorë, midis të cilëve ‘fondet grabitqare’ që kishin riblerë pjesë të borxhit në kulmin e krizës dhe me kushte të mira, kërkojnë sot – në gjykata – rimbursimin total të borxhit të Argjentinës, sot jo më e falimentuar.

Në qershor të 2014, Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara konfirmoi vendimin e Gjykatës së Neë York në favor të dy fondeve spekulative (NML Capital dhe Aurelius Capital) që kërkonin 1.3 miliard dollarë borxhe të marra nga Argjentina gjatë krizës së 2001. Vendimi përcaktonte se Argjentina do të duhej fillimisht të rimbursonte borxhet ndaj dy fondeve përpara se të procedonte me çdo dëmshpërblim tjetër. Refuzimi për të vepruar i Argjentinës solli një default të ri mbi borxhin dhe një ngërç që zgjat akoma sot.

Në Greqi kanë ndodhur në 2011 dy ristrukturime, që kanë çuar në një reduktim të borxhit nominal me më shumë se 50 përqind për 9 kreditorë privatë në 10. Pavarësisht këtij “reduktimi” vlera e kapitalit për t’u rikuperuar mbetej gjithsesi më e lartë se çmimi i shitjes së të drejtave të kreditorëve në treg dhe kreditorët këmbëngulën që borxhi i ri, në pjesën më të madhe të rasteve, t’i nënshtrohej të drejtës britanike. Me limite të dukshme mbi kontrollin e ardhshëm të borxhit nga ana e qeverisë greke.

Për më tepër, kreditorët që mbanin borxhin e “vjetër” sipas legjislacionit jo grek (britanik apo zviceran) kanë mbetur jashtë marrëveshjes dhe aktualisht janë në gjendje që të kërkojnë pagesën e plotë të shumës fillestare, më shumë se dyfishi i kreditorëve të”ristrukturuar”. Shumë prej këtyre fondeve zotërohen nga fonde spekulative që e kanë blerë borxhin me çmime të ulëta dhe që po spekulojnë kështu, me fitime të mëdha, në dëm të popullit grek. Veç kësaj, huatë e akorduara Greqisë për të rimbuluar borxhin e saj në dy vitet e fundit në fakt e kanë transferuar nga kreditorë privatë në subjekte institucionale, FMN-ja dhe qeveritë e Bashkimit Europian. Kjo pjesë nuk ka pësuar asnjë reduktim dhe kështu borxhi i mbajtur nga kreditorë të jashtëm është sot shumë më tepër se 100 përqind e PBB-së.

 

3) Të zbatohet ristrukturimi për të gjitha borxhet, jo vetëm ato ndaj qeverive

Marrëveshja e Londrës për borxhin u zbatuan për të gjitha borxhet e marra nga Gjermania Perëndimore: ndaj privatëve, qeverive dhe kompanive të huaja. Përfshinte kështu borxhet e privatëve dhe të kompanive gjermane, përveç borxhit publik. Pjesa më e madhe e krizës së borxhit të sotëm është shkaktuar nga borxhe fillimisht në ngarkim të kompanive private, sidomos bankave. Për shembull, huatë e marra nga sektori privat në Irlandë e kanë shtyrë në 2007 borxhin e përgjithshëm të vendit në 1000 përqind të PBB-së. Kurse qeveria irlandeze ka mundur të përfitojë nga një sufiçit bilanci po në këto vite dhe borxhi total i saj (i mbajtur si nga kursimtarët irlandezë, ashtu edhe nga kreditorë të huaj) ishte “pothuajse” sa 11 përqind i PBB-së në 2007. Që një ekonomi të dalë nga stanjacioni i shkaktuar nga borxhi i tepruar, duhet të ristrukturohet si borxhi i mbajtur nga privatët, ashtu edhe ai i mbajtur nga qeveritë.

 

4) Negociata në vend të sanksioneve

Sikur Gjermania Prëndimore të mos kishte dashur apo të mos kishte qenë në gjendje ta lante borxhin, marrëveshja parashikonte konsultime midis debitorit dhe kreditorëve, nën mbikëqyrjen e një organizmi ndërkombëtar të tretë. Një qasje krejtësisht e ndryshme nga ajo që ka frymëzuar “negociatat” më të fundit lidhur me borxhin, në të cilat qeveritë dhe institucionet kredituese (Klubi i Parisit, FMN-ja dhe BQE-ja) kanë imponuar për vendet debitore termat e marrëveshjes, duke i detyruar që të vendosin politika rreptësie financiare dhe liberalizimi të tregjeve. Siç mund të pritej, Gjermania Perëndimore nuk pati probleme të mëtejshme borxhi dhe kjo klauzolë nuk u zbatua kurrë.

 

Rasti Greqi: të këputen zinxhirët

Duke u frymëzuar nga ideja e lashtë e Jubileut, me rastin e të cilit faleshin borxhet, çliroheshin skllevërit, rishpërndahej toka, Jubilee Debt Campaign bën një apel për një “Jubile të ri” të borxhit për zgjidhjen e krizës aktuale ekonomike globale. Kjo iniciativë do të përbënte kuadrin për të prishur spiralen aktuale e krizës debitore dhe bankare në Europë, si dhe të lehtësonte barrën e vazhdueshme që rëndon mbi vendet e jugut të botës.

Me fjalë të tjera:

– Të falen borxhet e padrejtave të vendeve më shumë të debituara;

– Të promovohet një taksim i drejtë dhe progresiv në vend që t’u drejtohet huave të reja;

– Të dilet nga logjika e huave të reja që i zhysin edhe më tej vendet e varfëra në vorbullën e borxhit

Greqia është padiskutim midis vendeve që kanë më shumë nevojë për një falje të borxhit. Pas më shumë se 4 viteve rreptësi financiare, borxhi grek është rritur nga 133 përqind në 174 përqind të PBB-së. Rroga minimale ka rënë me 25 përqind, papunësia rinore është mbi 50 përqind dhe më shumë se 20 përqind e popullsisë është nën pragun e varfërisë. Është e nevojshme që kreditorët e Athinës të kuptojnë mësimin e marrëveshjes të vitit 1953 lidhur me borxhin gjerman dhe t’i këpusin zinxhirat e borxhit që po i marrin sot frymën Greqisë.

(nga Keynesblog)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / bota.al

Leave a Reply

Back to top button