Ideja nuk e humbet kurrë sharmin e saj. E megjithatë koha e saj duket se nuk vjen asnjëherë. Qysh nga kolapsi përfundimtar i Koncertit të Europës i shekullit të XIX më 1914, shtetarë dhe komentatorë kanë propozuar diçka të ngjashme: një shoqatë informale të fuqive të mëdha synimet kryesore e së cilës do të ishin që të rregullonte konkurrencën midis tyre dhe konfrontimin e sfidave të dhunshme me statuskuonë.
Këshilli i Lidhjes së Kombeve i pas1918 mishëronte diçka nga shpirti i koncertit të vjetër, por për nacionalistët konservatorë në Shtetet e Bashkuara dukej si shumë e ngjashme ne një aleancë të ngatërruar dhe me potencialin për t’u përzier në Hemisferën Perëndimore ku amerikanët këmbëngulnin në droit de regard e tyre.
Propozimi i “Katër Policëve” i Franklin Roosevelt në një farë mase ishte i frymëzuar nga koncerti europian, ashtu si edhe nga nocioni i hegjemonisë rajonale të fuqisë së madhe i Theodore Roosevelt. FDR shpresonte se Katërshja e Madhe – Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik, Mbretëria e Bashkuar dhe Kina – do të monopolizonin fuqinë ushtarake (në mënyrë të veçantë, atë ajrore), merrnin përgjegjësi për ruajtjen e rendit në zonat e tyre respektive dhe të vepronin sëbashku për t’u përballur me kërcënimet të mëdha ndaj paqes. (Ai nuk kishte ndërmend t’i përfshinte drejtpërsëdrejti Shtetet e Bashkuara në ruajtjen e stabilitetit në Europën e pasluftës – një çështje për britanikët dhe rusët). Por qysh më përpara se tensionet Lindje – Perëndim ta vinin në pikëpyetje skemën, Roosevelt qe i detyruar t’i nënshtrohej opinionit që kërkonte “një organizim të përgjithshëm ndërkombëtar të bazuar mbi parimin e barazisë së sovranitetit” (“Deklarata e Moskës” e tetorit 1943) – si kundërvënie ndaj një kabale të fuqishmish.
Gjatë krizës së Gjirit Persik të periudhës 1990 – 1991, administrata e George H. W. Bush përkëdheli idenë e një “Rendi të Ri Botëror” (NWO) (termi duket të jetë marrë nga adresimi në Asamblenë e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara i dhjetorit të 1988 nga Mikhail Gorbaçiov), që të kujtonte nocionin e FDR. Anipse asnjëherë i përpunuar plotësisht, ideja bazë ishte të ndërtohej operacioni i suksesshëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara gjatë krizës dhe të plotësohej premtimi fillestar i Këshillit si një koncert fuqishë të mëdha. Në mënyrë interesante, idhtarë të NWO si Brent Scowcroft nuk e shikonin koncertin thjesht si mjet apo mbulesë për lidershipin amerikan, por si një mbështetje të nevojshme të stabilitetit ndërkombëtar në një epokë kur Shtetet e Bashkuara përballeshin me kufizime fiskale të zymta (ju desh t’u kërkonin miqve të tyre që të paguanin shumicën e faturës për operacionet ushtarake kundër Saddam Hussein) dhe perspektivën e “tejshtrirjes perandorake”.
Shkencëtarë politikë si Richard Rosencrance argumentuan në atë kohë se një një koncert funksional fuqishë të mëdha kërkonte 3 kushte: pjesëmarrjen e të gjitha fuqive; një konsensus ideologjik bazë midis tyre; heqjen dore prej të gjithë nga lufta dhe ekspansioni territorial si mjete konkurrence shtetërore. Padiskutim që me përfundimin e Luftës së Ftohtë, këto kushte qenë plotësuar, por me humbjen e Bush në presidencialet e 1992 dhe zhytjen e Bashkimit Sovjetik në kaos, NWO u fut në sirtarin ku nocione të tilla prisnin ditë më të mira. Gjatë viteve ‘90, të dyja partitë politike amerikane përqafuan një unipolaritet kimerik si më të mirën e të gjitha botëve të mundshme.
Kohët e fundit, si një alternativë ndaj ringjalljes që ska shumë të ngjarë të Pax Americana apo të një aleance të keqkonceptuar demokracishë liberale, një grusht komentatorësh e kanë shpluhurosur idenë. “Mjeti më i mirë për promovimin e stabilitetit në shekullin e XXI”, argumentojnë Charles Kupchan dhe Richard Haass, “është një koncert global fuqishë të mëdha. Siç e ka demonstruar historia e Koncertit të Europës e shekullit të XIX . . . një grup drejtues vendesh kryesore mund ta mbajnë nën fre konkurrencën gjeopolitike dhe ideologjike që zakonisht shoqëron multipolaritetin”. Koncerti do të duhej të ketë 6 anëtarë: Kinën, Bashkimin Europian, Indinë, Japoninë, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara. “Përfshirja do të ishte një funksion fuqie dhe influence më shumë sesa vlera apo lloj regjimi”. Njëlloj si koncerti i vjetër, ai do të privilegjonte statuskuonë territoriale dhe një pikëpamje sovraniteti që përjashton përdorimin e forcës për ndryshimin e kufijve apo përmbysjes së regjimeve, përveçse në rast konsensusi ndërkombëtar. “Rendi ndërkombëtar që vjen më pas”, argumentojnë ata, “duhet të krijojë hapësirë për diversitet ideologjik”. Me siguri që kanë të drejtë për pikën e fundit. Lloji i kryqëzatës ideologjike të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe i favorizuar prej disave në Uashington duket se praktikisht garanton që të anashkalohen aleatët dhe të shtyhen Kina, Rusia dhe Irani më shumë në krahët e njëri tjetrit. Ndjekja e triumfit universal të demokracisë liberale është jo vetëm donkishoteske, por është e panevojshme me qëllim që të sigurohen interesat bazë të Perëndimit. Mund të jetë më e përshtatshme koha për një koncert nga sa qe më 1945 apo 1991? Me keqardhje, sipas mendimit të artikullshkruesit, përgjigja është ndoshta jo.
Së pari, njeriu mund të debatojë shkallën me të cilën koncerti i shekullit të XIX që vërtet efektiv në parandalimin e konfliktit. Padiskutim, ai qe një balancë forcash e nëndheshme që e ruajti paqen për segmente të gjata kohore. Koncerti përfundimisht qe i paaftë përballë nacionalizmit në rritje dhe ndaj atij që vëzhgues nga Makiaveli tek Lenini e kanë parë si një “ligj zhvillimi të pabarabartë”. Fuqitë e stauksuosë përballen patjetër me perspektivën e rënies relative ndaj të ardhurve të rinj ambiciozë dhe shpesh lufta është rezultati.
Megjithatë, le të supozojmë se mekanizmi i koncertit (që operon nëpërmjet një serie kongresesh) herëpasëhere vepron për të zgjidhur konflikt dhe se në retrospektivë fuqitë europiane do të ishin të zgjuara të investonin shumë më tepër kohë dhe përpjekje në suksesin e tij. Për hir të argumentit, le të supozojmë gjithashtu se anëtarët potenciale e koncertit të Haass dhe Kupchan do të ishin të përgatitura t’i bashkoheshin dhe do të kishin nënshkruar për parime të përbashkëta të rëndësishme: një ekonomi botërore relativisht e hapur e qeverisur nga rregullat e Organizatës Botërore të Tregëtisë dhe sistemi “Westphalian” që privilegjon statuskuonë e mishëruar në Kartën e Kombeve të Bashkuara.
Por këtu është problemi: A janë ato të përgatitura që të heqin dorë nga përdorimi unilateral i forcës si mjet për ndjekjen e interesave shtetërore? Edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë hyrë vitet e fundit në “luftëra të pambarimta” dhe Rusia duket e frenuar për momentin nga (ri)aneksime të mëtejshme territoriale, historia nga 2001 të ngjall skepticizëm. A është e konceptueshme që Kina do ta përjashtonte përdorimin e forcës si një mjet për zgjidhjen e çështjes së Tajvanit (për kinezët, një çështje e brendshme)? Një koncert i bazuar në njohjen e sinqertë dhe reciproke e sferave të influencës ku anëtarëve do t’u lejohej të ndërhynin, do të ishte një rregullim më koherent – sigurisht një i tillë që reflekton realitetin e sjelljes prej fuqie të madhe – por do të ishte e papranueshëm për opinionin botëror dhe nuk është ajo çka Haas dhe Kupchan kanë në mendje.
Një koncert i ri do të ndeshej me të paktën 2 pengesa shtesë. Do të duhej të shihej si legjitim jo vetëm nga shtete të vogla, por fuqi të mesme nuk ka gjasa se do të kënaqeshin me vendin e tyre në hierarki: Brazil, Nigeri, Afrikë e Jugut, Turqi, Iran, Indonezi. Midis zërave më të lartë të ngritur kundër skemës së FDR qenë ato të vendeve me madhësi të mesme si Kanadaja dhe Australia. Sot do të ishte optimiste të supozohej se Britania pasBrexit thjesht do të ndiqte drejtimin e Shteteve të Bashkuara apo të Bashkimit Europian.
Së fundi, sikur të mos mjaftonin thembrat e Akilit, një koncert sërish është kundër instinkteve të thella të klasës politike dhe “komunitetit të politikës së jashtme” të Shteteve të Bashkuara. Edhe pas Trump, elitat amerikane nuk duken të gatshme as ta përqafojnë idenë e lidershipit kolektiv të vërtetë, as ta braktisin iluzionin e unipolaritetit, të paktën në domenin ushtarak. Rrethanat mund të jenë duke i shtyrë pandalshmërisht ata në këtë drejtim, por ata nuk janë atje akoma.
Fatmirësisht, zgjedhjet e Perëndimit nuk janë të kufizuara në një aleancë demokracishë, rigjallërimin e hegjemonisë amerikane apo një koncert të ri fuqishë. Një politikë më praktike do të synonte që të rigjallëronte strukturat ekzistuese: NATO, G-20 dhe WTO që përpiqet. Ka mundësi që të jetë edhe koha të shpluhurosen disa mësime bazë nga Lufta e Ftohtë. I pari: të shmangen analogjitë simpliste historike. Bërja një e Bashkimit Sovjetik me Gjermaninë naziste kontribuoi në një tejmilitarizim të politikës perëndimore dhe përfshirje të Shteteve të Bashkuara në vende që kishin pak ose aspak lidhje me interesat jetike të tyre (si për shembull Vietnami). Me të njëjtin arësyetim, duhet shmangur bërja një e Kinës, një vend me të cilin Perëndimi ka interesa të përbashkëta të shumta, me Bashkimin Sovjetik.
Në marrëdhëniet midis shteteve, doktrinat dhe idetë kanë rëndësi. Ato kanë peshë. Qe e rëndësishme që pas vdekjes së Stalinit të dyja palët të adoptonin doktrina të bashkekzistencës paqësore. Sot është kundërprodhuese t’i mëshohet aspektit ideologjik të konkurrencës perëndimoro – kineze. Ndërsa damkos aspekte të sistemit kinet, Perëndimi duhet ta pranojë legjitimitetin e tij më shumë sesa të përpiqet ta minojë atë dhe të ndjekë ndryshimin e regjimit si objektiv. Në shpirtin e propozimit Haas – Kupchan, ja vlen që të bëhet premtimi për nocion të vjetër megjithëse thellësisht konservator, cuius regio eius religio – jeto ideologjikisht dhe lejo të jetojnë.
Një mësim i dytë nga Lufta e Ftohtë është se ka një mënyrë të vetme për të shmangur konflikt katastrofik në situata ku janë në lojë interesat jetike e të dyja palëve (për shembull, në Detin e Kinës Jugore): kompromisi. Në përplasjet rreth Kubës dhe Berlinit, të dyja palët pranuan se nuk mund të kishin gjithçka që donin dhe, në rast se përpiqeshin të impononin zgjidhjet e tyre të preferuara, rezultati do të ishte lufta.
Një mësim i fundit është se thjesht bota do të jetë gjithmonë shumë e madhe dhe shumë diverse sa për t’u dominuar nga një fuqi apo një sistem i vetëm. Përfundimi i Luftës së Ftohtë nuk nënkuptoi triumfin e demokracisë liberale: Në fund të fundit, Kina autoritare qe në anën fituese. Me të njëjtin arësyetim, rivalët e sotëm ideologjikë kanë interesa të përbashkëta që i tejkalojnë me shumë diferencat e tyre: ruajtjen e një ekonomie botërore relativisht të hapur, luftën ndaj ndryshimeve klimaterike dhe, mbi të gjitha, shmangien e një lufte apo një serie luftërash katastrofike.
(John L. Harper është Kenneth H. Keller Professor of American Foreign Policy në SAIS Europe të Bolonjës. Ai është autor i “The Cold War” (Oxford University Press, 2011).
Përgatiti: ARMIN TIRANA / bota.al