AnalizaMAIN

Kur do ta dëgjojmë fjalimin tjetër mbi Perden e re të Hekurt?

Nga Alan Callow

“Geopolitical Monitor”

Më 5 mars 1946, ish-kryeministri britanik Winston Churchill mbajti në Kolegjin Westminster në shtetin amerikan të Misurit, një fjalim të famshëm i cili shënoi fillimin e një përballjeje afatgjatë midis dy ideologjive konkurruese më dominuese në botë.

Në atë kohë kapitalizmi kaloi në një fazë aktive të “armiqësisë” kundër komunizmit. Më vonë, kjo përballje do të merrte titullin ogurzi “Lufta e Ftohtë”. Fjalimi i Churchill do të hynte në histori si “Fjalimi i Perdes së Hekurt”, duke i dhënë kështu emrin barrierës ideologjike që u ngrit midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX-të.

Tre vjet më vonë, 12 vende të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krijuan një aleancë ushtarake dhe politike, synimi kryesor i së cilës ishte të frenonte ndikimin në rritje të Bashkimit Sovjetik.

Paralele historike

Në këtë rast ka shumë detaje interesante që lidhen me historinë e NATO-s. Për shembull, baza e partneritetit të Atlantikut të Veriut ishte Pakti i Brukselit (bashkimi i Belgjikës, Britanisë së Madhe, Luksemburgut, Holandës dhe Francës).

Njëkohësisht, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Britania e Madhe zhvilluan negociata sekrete për krijimin e aleancës së tyre. Dhe në prillin e vitit 1949, u krijua aleanca më e fuqishme ushtarako-politike në botë. Pas 40 vjetësh, kjo aleancë ia doli të përmbushte me sukses qëllimin e saj kryesor:neutralizimine Bashkimit Sovjetik.

Shumë njerëz thonë se historia është ciklike. Është e vështirë ta kundërshtosh këtë fakt, sidomos nëse sheh panoramën që po shpaloset sot në botë. Konfliktet midis sistemeve politike dhe ekonomive kryesore, janë pa asnjë dyshim një prirje e vazhdueshme në shekullin XXI.

Gjithsesi, në këtë “film të ri” kanë ndryshuar paksa pjesëmarrësit në të:tani roli i personazhit negativ luhet nga Kina, ndërsa pjesa tjetër e skenarit mbetet shumë e njohur. Çifti i pandashëm Uashington-Londër,luajnë rolin e kampionëve të drejtësisë dhe ruajtjes së rendit aktual botëror. Gjithçka që po shohim i ngjan një ri-xhirimit të mirë të një filmi aksion dhe thriller me elementë të komedisë.

“Agresioni në rritje” si një arsye universale

Përshkrimi më i zakonshëm i politikës së Kinës gjatë viteve të fundit ka qenë fraza:“agresioni në rritje”. Natyrisht, rritja e agresionit nuk ndodh në një boshllëk. Shprehje të tjera të ngjashme mund të gjenden shpesh në mediat kryesore botërore.

Shprehje të tjera të zakonshme janë“lufta tregtare”, “çështja e Tajvanit”, “problemi i ujgurëve”, dhe “territoret e diskutueshme”. Dihet mirë se çdo veprim i drejtpërdrejtë, do të provokojë herët a vonë konflikte, prandaj rruga më e natyrshme e veprimit për vendet perëndimore dhe aleatët e tyre aziatikë, është krijimi i më shumë aleancave mbrojtëse dhe traktateve të sigurisë për të parandaluar agresionin e mundshëm nga Pekini.

Lojtarët më të shquar në këtë luftë të re për sundim botëror, fushëbeteja e së cilës gradualisht është zhvendosur nga Evropa Lindore në rajonin e Indo-Paqësorit janë:Traktati i Sigurisë Katërpalëshe (QAUD), që përfshin SHBA-në, Indinë, Australinë dhe Japoninë, si dhe AUKUS, i formuar nga SHBA-ja, Australia dhe Britania e Madhe më 15 shtator.

Për më tepër, aleancat e Uashingtonit me Tokion dhe Seulin, i japin mundësi Shtëpisë së Bardhë që të vendosë mijëra ushtarë amerikanë në bazat e vendosura në territoret e partnerëve të saj aziatikë.

Edhe pse arsyeja zyrtare për ekzistencën e këtyre organizatave është mbajtja e një rajoni të lirë dhe të hapur në Indo-Paqësor dhe zgjidhja e problemit bërthamor në Gadishullin Korean, një objektiv i pashprehur ka qenë frenimi i fuqisë në rritje të Kinës.

Ndryshim i prioriteteve

Vendet e tjera në rajon që kanë interesat e tyre, janë të etura t’i bashkohen kësaj lojë të re. Për shembull, Singapori dhe Filipinet janë ekonomikisht të varura nga Kina. Por njëherazi të dyja shtetet e miratojnë qasjen politike të Uashingtonit për ta kundërshtuar Pekinin.

Në rajon ka edhe fansa të tjerë të politikës amerikane. Aftësia e Tajvanit për të mbetur relativisht sovran përballë pretendimeve territoriale të Kinës, lidhet direkt me mbështetjen e SHBA-së. Është po aq interesante të shihet ndryshimi i politikës tek vendet e tjera aziatike. Pavarësisht idealeve të tij komuniste, Vietnami, ka qenë gjithnjë e më i prirur të bashkëpunojë me SHBA-në dhe të shprehë kundërshtimin e tij ndaj axhendës kineze.

Ngjarjet e javëve të fundit, tregojnë qartazi se interesi i Uashingtonit për NATO-n po zbehet gradualisht. Përballë këtyre kërcënimeve dhe sfidave të reja, ky projekt historik po bëhet ekonomikisht jofitimprurës, dhe duket se Shtëpia e Bardhë ka vendosur të mos e fshehë më apatinë e saj në rritje ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Prishja e kohëve të fundit e kontratës miliarda dollarëshe midis Parisit dhe Kanberrës për projektimin dhe prodhimin e 12 nëndetëseve të reja për Marinën Australiane me nxitjen  e SHBA-së, është një dëshmi e qartë e shpërfilljes së hapur të Uashingtonit ndaj një prej aleatëve kryesorë të saj në NATO, Francës.

Duke pritur “Fjalimin e ri të Perdes së Hekurt”

Në kohën kur u formua NATO për t’iu kundërvënë Bashkimit Sovjetik, organizata përbëhej nga 12 vende anëtare, të cila në një mënyrë a tjetrën, kishin nënshkruar tashmë shumë marrëveshje dhe aleanca midis tyre. Sot, ka po aq vende të interesuara për krijimin e partneriteteve kundër kërcënimeve të mundshme nga Kina.

Sigurisht, mes tyre ka edhe mosmarrëveshje mbi disa çështje, por ata janë gjithmonë të solidarizuar mbi qëllimet e tyre parësore. Uashingtoni, Londra, Tokio, Kanberra, Nju Delhi, Seuli, Hanoi, Manila, Taipei dhe Singapori nuk janë të interesuara për hegjemoninë e “dragoit” ekonomik dhe ushtarak kinez në Azi.

Prandaj ata do të bëjnë çdo përpjekje për ta parandaluar këtë gjë. Ndoshta në të ardhmen e afërt bota do të dëgjojë një “Fjalim të ri të Perdes së Hekurt”, dhe një analogjitë plotë dhe efektive e NATO-s që po vdes, do të shfaqet në rajonin Indo-Paqësor.

Back to top button
Close
Close