HistoriMAIN

Kush ishte Janusi, perëndia romak i fillimeve dhe mbarimeve?

Nga Caillan Davenport

1 Janari mund të jetë një ditë keqardhjeje, por edhe reflektimi, i përzier me shpresë dhe optimizëm për të ardhmen, teksa bëjmë plane për të ripërtërirë abonimin në palestër apo për të shlyer më në fund të gjithë detyrimet tona tatimore ndaj shtetit. Ky ritual i fillim-janarit i shikimit përpara dhe pas në kohë, është i përshtatshëm për ditën e parë të një muaji të quajtur kështu sipas Janusit, perëndisë romake të fillimeve dhe mbarimeve.

Portieri i Qiejve

Në mitologjinë romake, Janus ishte një mbret i Latium (një rajon i Italisë qendrore), që kishte pallatin e tij në kodrën Janikulum, në bregun perëndimor të lumit Tiber. Sipas intelektualit romak Makrobius, Janusit nderohej si një hyjni për shkak të përkushtimit të tij fetar, pasi ai la pas një shembull të devotshëm për gjithë popullin e tij.

Janusi nderohej me krenari si një perëndi romake unike, dhe jo si një perëndi e adoptuar nga panteoni grek i zotave. Të gjitha format e tranzicionit hynë në kompetencën e tij – fillimet dhe fundet, hyrjet, daljet dhe tranzicionet. Emri Janus (Ianus në latinisht, pasi alfabeti nuk kishte gërmën j) lidhet etimologjikisht me Ianua, që në latinisht do të thotë portë.

Vetë Janusi ishte Portieri i Qiejve. Statuja e kultit të Janusit e përshkruante perëndinë me një mjekër dhe me dy koka. Kjo do të thoshte se ai mund të shihte njëkohësisht përpara dhe mbrapa dhe brenda dhe jashtë, pa e kthyer kokën rreth e rrotull. Janusi mbante një shkop në dorën e tij të djathtë, për t’i drejtuar udhëtarët në rrugën e duhur, dhe një çelës në dorën e majtë për të hapur portat.

Luftë dhe paqe

Janusi është më i mirënjohur në tranzicionin midis paqes dhe luftës. Numa, mbreti i dytë legjendar i Romës, që ishte i famshëm për devotshmërinë e tij fetare, thuhet se themeloi një faltore për Janusin në Forumin Romak, afër selisë së Senatit.

Ai ndodhej në vendin ku Janusi kishte krijuar një burim me ujë të nxehtë për të penguar një sulm ndaj Romës nga ana e Sabinëve. Faltorja ishte një rrethim i formuar nga dy porta të harkuara në çdo skaj, të bashkuara me mure për të formuar një vendkalim.

Një statujë bronzi e Janusit qëndronte në mes, me një kokë të drejtuar nga secila portë. Sipas historianit romak Tit Livi, Numa e përdorte shpesh faltoren:si një tregues të paqes dhe luftës, që kur hapej mund të nënkuptonte se kombi ishte në luftë, dhe kur mbyllej se të gjithë popujt përreth Romës ishin në paqe me perandorinë.

Thuhet se Portat e Janusit qëndruan të mbyllura për 43 vite rresht nën sundimin e Numas,
por mbetën shumë rrallë të tilla pas tij. Edhe pse perandori i parë August u mburr se e mbylli faltoren plot 3 herë. Më vonë Neroni festoi arritjen e paqes me Parthinë, duke prerë monedha të reja që tregonin portat e mbyllura të Janusit.

Gëzuar Vitin e Ri

Romakët besonin se muaji janar u shtua në kalendar pikërisht nga Numa. Lidhja midis Janusit dhe kalendarit u çimentua nga ndërtimi i 12 altarëve, 1 për çdo muaj të vitit, në tempullin e Janusit në Forum Holitorium (tregu i perimeve).

Poeti Marsial e përshkroi kështu Janusin si “paraardhësin dhe babanë e viteve”. Nga viti 153 Para Erës Sonë, konsujt (krye-magjistratët e Republikës) e merrnin detyrën në ditën e parë të janarit (muaj që romakët e quanin Kalendat).

Konsujt e rinj i luteshin Janusit, ndërsa priftërinjtë i kushtonin kësaj perëndie flijime të ndryshme të përziera me kripë dhe një tortë tradicionale prej elbi, të njohur si Ianual. Romakët shpërndanin dhuratat e Vitit të Ri për miqtë e tyre, që përmbanin hurma, fiq dhe mjaltë, me shpresën se viti në vazhdim do të ishte i ëmbël, si dhe monedha, një shenjë e prosperitetit të shpresuar për vitin e ri.

Janusi mori një rol kyç në të gjitha flijimet publike romake, duke përdorur temjanin dhe verën para hyjnive të tjera. Kjo ndodhi sepse, si një Portier i Qiejve, Janusi ishte rruga përmes së cilës dikush arrinte tek perënditë e tjera, madje edhe vetë Jupiteri.

Teksti “Mbi bujqësinë” shkruar nga Kato Plaku, përshkruan se si i bëheshin ofertat Janusit, Jupiterit dhe Junos, si pjesë e sakrificës përpara të korrave për të siguruar një korrje të mirë. Prandaj nëse këtë 1 Janar u ndjetë si të bllokuar midis 2 botëve, pse të mos dilni jashtë dhe të festoni në stilin romak? / “The Conversation” – Bota.al

Back to top button
Close
Close