Personazhe

Kush ishte Mary Austin për Freddie Mercury-n? Pse është ajo e vetmja që e di ku ndodhen eshtrat e tij?

“Unë e di saktësisht se ku dua t’i varrosni eshtrat e mia. Askush tjetër nuk duhet ta dijë, sepse nuk dua që dikush të vijë në varrin tim. Dua thjesht të pushoj në paqe”.

Në 24 nëntor 1991, 30 vite më parë, vdiq një nga legjendat më të mëdha të rock-ut, Farrokh Bulsara, i lindur në Zanzibar të Tanzanisë në vitin 1946. Ai vdiq në moshën 45 vjeçare, pasi ishte shndërruar në një idhull botëror me emrin Freddie Mercury, vokalisti kryesor i Queen.

Askush nuk e di se ku prehen eshtrat e tij, përveç Mary Austin, të dashurës së parë, së cilës këngëtari i ka kushtuar dhe këngën e mrekullueshme “Love of my life”. Ata u takuan kur ajo punonte si shitëse në një dyqan dhe nuk u ndanë më kurrë, as kur ai mendonte se ishte biseksual, ndërkohë që në fund kuptoi se ishte homoseksual.

Edhe pse pas këtij zbulimi ata nuk ishin më një çift, sërish mbajtën raporte shumë të mira, aq sa këngëtari i la asaj një pjesë të pasurisë së tij, një shtëpi të mrekullueshme dhe përgjegjësinë të kujdesej për eshtrat e tij. “Ai nuk donte asnjëherë që askush të përpiqej të zbulonte për të duke qenë edhe person i famshëm, aq më tepër të bënin dokumentarë pranë varrit të tij. Ai thoshte se fansat mund të bëheshin thellësisht të fiksuar e ndaj donte që varri i tij të mbetej sekret”, tha Mary Austin pas 30 vitesh që ruan amanetin se ku prehen eshtrat e këngëtarit.

Freddie zbuloi se ishte HIV pozitiv në vitin 1987, por gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua shpejt pas vitit 1990. Kështu që një të dielë, pasi e kishte kuptuar se nuk do të shpëtonte, ai i tha Marisë se do ta ndalonte marrjen e medikamentëve që e mbanin gjallë dhe se, pasi të vdiste, ajo duhet të kujdesej për hirin e tij. Deri më sot, ajo është e vetmja që e di këtë fakt.

Pas 30 vitesh, miti i Freddie Mercury mbetet ende i pavdekshëm, por askush përveç Marisë nuk mund të çojë dot lule në varrin e tij.

Back to top button