MagazineMAIN

Letër tim biri

Michael Ian Black

I dashur Elija,

Pak ditë më parë, i telefonova një miku, i cili dëgjova se po kalonte një kohë të vështirë.

“Si je,” thashë.

“Hej.”

“Si po shkon?”

“Mirë, mirë,” u përgjigj ai.  (Ai nuk ishte mirë.) “Po ti si je?”

“Mirë!” (Isha … çka.)

Biseduam për disa minuta për atë që secili prej nesh po bënte në jetën e vet, duke bërë shaka, duke shmangur me kujdes atë që të dy E dinim se ishte qëllimi i telefonatës: që ai ishte në krizë emocionale dhe unë po i telefonoja për mbështetje. Mami më pa tek i jepja fund bisedës me një kombinim të frikës dhe tmerrit.

“Çfarë të tha?”

Unë ngrita supet.

“Si është?”

“Ai dukej në rregull.”

Ti dhe unë kemi pasur biseda të ngjashme kur të kam pyetur për shkollën, vajzat, jetën tënde. Ngritje supesh, heshtje. Omerta e adoleshencës nuk është asgjë e re, veçanërisht mes djemve, por do të doja që të mos ishte kështu. 

Ti je i padepërtueshëm, pothuajse Zen në qetësinë tënde. Gjithçka është gjithmonë mirë. Kur unë shtyj pak, ti tallesh me pyetjet e mia ose ndryshon temën. Nuk është se jam i shqetësuar për ty tani; jam i shqetësuar se çfarë do të bësh kur gjërat nuk janë mirë, sepse e di sa kushton kur nuk i lejon të tjerët të ndihmojnë.

Psikologu dhe autori Jordan Peterson ka krijuar një numër të jashtëzakonshëm ndjekësish duke i udhëzuar se qëllimi i jetës është “të marrësh vuajtjet e tua, dhe t’i përballosh ato”.

Dhimbja do të vijë, thotë ai, dhe kur të ndodhë, askush nuk dëshiron të dëgjojë për të. Pse dhimbja jote duhet të meritojë më shumë vëmendje, se ajo e cilitdo tjetër? Duroje dhimbjen tënde, thotë ai në një leksion, “me qëllim që kur babai yt të vdesë, të mos rrish duke qarë në qoshe dhe të mund të ndihmosh në planifikimin e funeralit.”

Në funeralin e tim eti, u ula në rreshtin e parë me duart e mbledhura në prehër. Më vonë, në vendin e varrimit, i pashë të ulnin arkivolin në tokë. Rrugës për në shtëpi, mbështeta kokën pas xhamit të makinës, ashtu siç bëjmë në udhëtimet e gjata. Pas disa ditësh, u ktheva në shkollë dhe bëra sikur asgjë nuk kishte ndodhur. Unë e kalova. Nuk u ankova. Nuk qava.

Pasi kam provuar metodën e Petersonit për pjesën më të madhe të jetës, mund të të them se bën punë vetëm si ato rripat që shtrengon pas një aksidenti, për të frenuar gjakrrjedhjen. Mund të kalosh momentin, ditën, javën. Në fund, megjithatë, gjaku pushon së rrjedhuri dhe diçka tek ti bie.

Për vite me radhë, kam kultivuar një personazh tërësisht komik bazuar në tërheqjen. Nëse dëshiron të shohësh ndonjëherë se si duket, më shiko në një nga ato shfaqjet e VH1 “I love the…”, në të cilat personat që flasin kujtojnë dekadat e shkuara.  

Segmentet e mia janë të gjitha krejtësisht të ngordhura, pa buzëqeshje, sarkastike. Ishin plot humor (nëse e them edhe unë), por sarkazma është një formë tërheqjeje. Unë isha i mirë në këtë drejtim, sepse në atë pikë të jetës sime, kisha investuar vite për të mësuar se si të veproja sikur të mos më bëhej vonë për asgjë. Ajo që sheh në TV është një ekzagjerim i mënyrës se si e kam jetuar jetën time, por vetëm pak. Në atë kohë, kisha aq shumë zemërim sa nuk dija çfarë të bëja, kështu që u mbylla. Lirimi im ishte shakaja. Ajo ikte si ato shtëllungat e herëpashershme të avullit, që dalin kur lëviz kapakun e një tenxhereje që vlon.

Sa më i suksesshëm bëhesha duke u sjellë kështu, aq më pak i kënaqur ndihesha, sepse e dija që kishte diçka thelbësisht të pandershme në të. Ai person me fytyrë guri nuk isha më unë. Unë isha martuar së fundmi. Kisha një djalë të porsalindur. Brenda nja dy vitesh do të kisha edhe një vajzë. Personi që shihja në ekran, ai që nuk buzëqeshte kurrë, nuk dukej se ishte gati të bëhej bashkëshort dhe baba. Ndoshta ai nuk ishte gati. Fillova të ndjeja një konflikt mes personit që e gjeta veten duke portretizuar në televizion dhe njeriut që po përpiqesha të bëhesha në jetën reale. Ndoshta kjo nuk duhej të kishte rëndësi; në fund të fundit, aktorët dhe humoristët shtiren. Kjo është puna. Por për mua kishte rëndësi.

Doja të isha më i hapur dhe i sinqertë në jetën dhe punën time, që do të thoshte se duhej të ndryshoja. Që do të thoshte se duhej të filloja t’i bëja vetes disa pyetje të vështira, se kush isha dhe çfarë vlerësoja. Më duhej të veçoja personazhin e kujdesshëm që kisha ndërtuar. Doja të bëhesha një bashkëshort dhe baba më i mirë. Doja të bëhesha një burrë më i mirë.

Nuk mbaj mend sa herë të kam fshirë lotët nga fytyra kur ishe i vogël. Mund të kujtoj ndjesinë e krahëve të tu rreth qafës sime, ndërsa gjunjëzohesha para teje, duke të dëgjuar tek belbëzoje arsyet e dhimbjes tënde, duke të mbajtur derisa të ndiheshe më mirë, tek fshije hundët tek këmisha ime. Ardhja tek unë për ngushëllim ishte një nga dhuratat më të mëdha që më ke dhënë ndonjëherë, sepse më lejoi të jem babai yt. Një baba udhëzon, qorton dhe luan. Unë i kam bërë të gjitha ato gjëra, por të ngushëlloja ty më bënte të ndihesha i veçantë. Ti që ndave dhimbjen tënde me mua më lehtësonte vetë terrorin e lindjes së një djali. Duke më lejuar të të ngushëlloja, ti më ngushëlloje.

Kur ime më vdiq disa vjet më parë, doja të përjetoja humbjen e saj. E dija që nuk e kisha lejuar veten të hidhërohesha për babanë kur ai vdiq, dhe se kjo më kishte dënuar me vite të tëra shkëputjeje nga jeta ime emocionale. Për nënën, doja të përjetoja zinë time në vend që të fshihesha prej saj.

I hipa një avioni vetëm dhe fluturova për në San Diego, ku ime më kishte jetuar me partnerin e saj. Për tre ditë palosa dhe shpalosa karriget e palosëshme, pastrova thërrimet e brumërave nga tryezat. Prita dhe falënderova njerëzit që erdhën dhe u zhyta në kujtime me vëllain tim, me Sandy dhe familjen. Bëra të gjitha gjërat që pritej të bëja, me sy e thatë dhe të qetë. Asnjë ankim. I mpirë. I zemëruar me veten për mpirjen time. Në fund të atyre tre ditëve, u ndjeva sikur nuk kisha arritur as të qaja ashtu siç kisha dashur. Kisha jetuar kaq gjatë me ato frena, sa nuk dija si t’i lëshoja.

Atë natë, u ktheva në dhomën e hotelit dhe, pas disa orësh duke pirë, u shemba në lot në dysheme, i vetëm. Do të doja të kisha forcën për të ndarë dhimbjen time para njerëzve të tjerë dhe do të doja të mos më ishte dashur një gjysmë shishe vodka për të shprehur dhimbjen.

Vazhdoj ta shoh veten, vetëm, në atë fluturim për në San Diego. Pse nuk të mora ty dhe motrën tënde me vete për t’i thënë lamtumirë gjyshes Jill? E kam pyetur veten herë pas here. Frika, mendoj unë, frika se mos ekspozohem kaq shumë para fëmijëve të mi. Sa budalla. Sa mungesë respekti ndaj saj dhe ndaj jush. Sa absolutisht, shumë budalla. Më vjen keq.

Lejimi i të tjerëve të na ndihmojnë është po aq i rëndësishëm sa ofrimi i ndihmës. Kjo është një dhuratë e humanizmit tonë: të japim dashuri dhe t’i lejojmë të tjerët të na japin dashurinë e tyre. Ti mund të planifikosh një funeral dhe të vajtosh, e të qash, të gjitha në të njëjtën kohë. Mund t’i gjendesh pranë një miku në telefon. Ne jemi të fortë, të gjithë ne. Dhe ndonjëherë jemi të dobët. Të gjithë. Dobësitë e tua zbulojnë se kush je. Lëri ta bëjnë. Kur nuk e pranon dobësinë, e pengon veten që të marrësh forcë prej të tjerëve, që është një mënyrë tjetër se i mbyll dyert dashurisë. Në vend të kësaj, e shtrëngon atë rripin pak më fort. Mpihesh. Më beso. E kam kaluar në pjesën më të madhe të jetës sime.

Sekreti i thjeshtë i burrërisë është dashuria. Është pothuajse e turpshme ta shkruaj këtë. Jo sepse tingëllon shumë e çuditshme, por sepse, thellë-thellë brenda, është diçka që të gjithë ne e dimë tashmë. E megjithatë … ne burrat e kemi veçanërisht të vështirë ta pranojmë atë për veten tonë.

Është pothuajse si një sekret që secili prej nesh duhet ta zbulojë vetë. Është një sekret që vazhdoj ta rizbuloj. E mësova kur u martova me mamin. Kur linde ti. Tre ditë më vonë, kur u ktheva djathtas nga parkingu i spitalit për t’ju sjellë në shtëpi, e mësova përsëri. Kur të lëkundja në mes të natës e nuk pushoje së qari. Kur më urinove për herë të parë me këmbët që të dridheshin. Dhe pastaj të gjitha, përsëri, kur lindi motra jote.

Si burra, nuk mjafton të duam. Është shumë, por nuk mjafton. Po aq e rëndësishme, duhet ta lejojmë veten që të na duan. Për burrat, kjo mund të jetë lufta më e madhe. Ne e kemi shumë më të lehtë të mbajmë barrën më të rëndë që mund të gjejmë, sesa të pranojmë dashurinë që dikush na jep, kur na ofrohet të ndajmë barrën.

Që tani e shoh atë ngurrim tek ti. Dhe shqetësohem për këtë, ndoshta sepse dalloj veten time, tek mënyra se si ti e mban botën pak larg. Kur isha në moshën tënde (dhe më i madh), trajtoja pothuajse gjithçka dhe të gjithë me shkëputje ironike. Në një farë mënyre, ajo shkëputje ironike përfundoi duke më dhënë një karrierë. Isha ai që mund të thoja gjërat më të egra pa buzëqeshur. Njerëzit dukej se më pëlqenin kur thosha gjëra që godisnin dhe prisnin. A do të më pëlqenin njerëzit nëse do të hapesha?

U desh deri në lindjen tënde që më në fund të pajtohesha me atë që do të thotë të jesh burrë. Jo sepse mendoj se atësia është një komponent i domosdoshëm i burrërisë, por sepse, për mua, atësia ishte hera e parë që më duhej të mësoja të doja një tjetër, pa kushte ose pritshmëri. Që të isha lloji i babait që doja të isha për ty dhe motrën tënde kërkonte një sërë aftësish në kundërshtim me personazhin humorist, që më kishte shërbyer aq mirë për kaq shumë kohë. Atij të parit as nuk i bëhej vonë. Këtij që jam tani, po.

Gjithashtu, bebet nuk dinë fare ta kuptojnë sarkazmën.

Në një farë mënyre, aftësitë e buta të prindërimit – ndërrimi i pelenave, të mësuarit për të të mbështjellë si një burrito e vogël, të të bëj banjë, të të lëkund përsëri për të fjetur në orën 3 të mëngjesit – ato aftësitë edukative “femërore” përfunduan duke më bërë të ndihem si më shumë burrë se çdo gjë që kam bërë ndonjëherë më parë. Puna e prindërimit ngjante po aq si punë burrash, sa edhe kalimi i ditës duke prerë pemë. (Pa dyshim, nuk e kam kaluar kurrë ditën duke prerë pemë.) Nuk duhej të bëja gjëra tradicionale prej babai për t’u ndjerë burrë. Thjesht duhej të isha babai yt.

Një gjë mjaft e mirë për të pasur fëmijë është se ata të detyrojnë të bësh një praktikë aktive dashurie, pavarësisht nëse je gati për të apo jo. Nuk isha i përgatitur emocionalisht për të qenë prind, pasi kisha kaluar 30 vitet e mëparshme në një gjendje emocionale të djegur. Për t’u përmirësuar, më duhej të gjeja një mënyrë për t’u bërë një njeri i ri. Më duhej të kuptoja se si të bëhesha një burrë më i mirë.

Ky proces është i ngadalshëm dhe i vazhdueshëm. Është një praktikë e përditshme, ashtu si praktika e dashurisë është një praktikë e përditshme. Lajmi i mirë është se mund t’i praktikoj në të njëjtën kohë, sepse janë e njëjta gjë.

* Michael Ian Black është aktor, komedian dhe shkrimtar i librave për fëmijë dhe të rritur. Libri i tij i fundit është “A Better Man: A (Mostly Serious) Letter to My Son”. / Në shqip nga bota.al

Back to top button