Dy shekuj pasi morën fund, Luftërat Napoleoniane e kanë humbur pjesën më të madhe të rëndësisë së tyre për ne, ndonëse ato i dhanë formë të gjithë kursit të shekullit 19, duke përfshirë edhe artin e letërsinë e kohës. “Ideja Napoleonike”, për shembull, ofroi sfondin për lulëzimin e madh të realizmit në romanet e shekullit 19, nga Austeni tek Thackeray, nga Balzaku tek Tolstoi. Vepra e tyre bën që ne të mund të rrokim disi, entuziasmin, idealet dhe tmerret e atyre luftërave.
Megjithatë, asnjë roman Napoleonian nuk e arrin dot “Manastirin e Parmës”, të Stendalit. Botuar në vitin 1839, romani i fundit i Stendalit arrin të kapë dramën njerëzore, si dhe transformimet politikë, që u “farkëtuan” prej ngritjes dhe rënies së korsikanit. Por ndryshe nga “Lufta dhe Paqja” (1869), ku Napoleoni spikat si një personazh kryesor në krah të personazheve të tjerë të trilluar të Tolstoit, tek “Manastiri”, perandori shfaqet në mënyrë të rrufeshme në jetën e protagonistit të Stendalit, Fabrizio Del Dongo, një aristokrat i vogël italian, i pashëm, idealist, dhe jo shumë i mprehtë, i cili është vënë në kërkim të një qëllimi për jetën e tij.
I frymëzuar më pak nga Ideja Napoleoniane se sa nga vetë Perandori, Fabrizio largohet nga shtëpia e tij e qetë në Liqenin e Komos, për të luftuar në krah të francezëve gjatë Luftës së Njëqind Ditëve – fushata e fundit e Napoleonit, që nisi pak kohë pas rikthimit të tij nga ishulli i Elbës, dhe që e arriti kulmin me humbjen e tij në Vaterlo. Impulsiv dhe i pamësuar me artin e luftës, Fabrizio është një ushtar i tmerrshëm. Fillimisht i marrë për spiun nga francezët dhe i burgosur, ai ia del më vonë të shkojë në front, ku në vend që të gjejë heroizmin, ai përfundon duke fjetur, i dehur, për pjesën më të madhe të betejës së Vaterlosë.
Ky rrëfim joheroik i Vaterlosë, parë nga këndvështrimi i një të riu të marrë që kërkon lavdinë në skajet e ngjarjeve, është një prej elementëve të shumtë, të çuditshëm dhe të lezetshëm njëkohësisht, që përmban libri. Pasazhet për Vaterlonë formojnë një prolog të shkurtër. Po çfarë prologu – këtu gjejmë disa prej përshkrimeve më të fortë, më mbresëlënës në të gjithë letërsinë, sa i përket të kaosit të luftimeve. Imagjinoni pak më të madhin prej këtyre, me Fabrizion që kalëron mespërmes zjarrit të pushkëve të britanikëve, me lëvizje të ngadaltë: “Brazdat ishin të mbushura me ujë dhe dheu, shumë i lagësht, që formonte kreshtat mbi këto brazda fluturonte lart në ajër, stërlaka-stërlaka. Fabrizio e vërejti teksa kalëronte këtë efekt të çuditshëm; më pas, mendimet e tij shkuan tek ëndrrat për Marshallin (Nei) dhe lavdinë e tij. Dëgjoi një ulërimë therëse pranë; dy husarë u shembën përtokë prej plumbave; dhe kur ktheu kokën, ata kishin mbetur tashmë njëzetë hapa prapa…”
Pjesa tjetër e romanit përzien aventura romantike, ringjalljen shpirtërore, filozofinë politike dhe rrëfime se si puqen yjet e të dashuruarve. Gjatë gjithë romanit, Stendali rrallëherë e lëshon këtë ritëm të shpejtë. Autori e diktoi “Manastirin” gjatë shtatë javëve, dhe romanit i dukenboshllëqet e rrëfimit, personazhet e pazhvilluar dhe struktura e shkëputur. Megjithatë, “Manastiri” të ofron një kënaqësi kaq të madhe në lexim, saqë edhe të metat e tij strukturore duken si zbukurime.
I lindur në Grenobël të Francës, Marie-Henri Beyle përdori shumë emra letrarë, ndër të cilët Stendal është më i njohuri. Një veteran dhe diplomat i luftërave Napoleoniane, Stendali ishte një njeri që dashuronte gjithçka italiane, gjatë gjithë jetës së tij, duke shkruajtur dy libra udhëtimi për këtë vend, e madje duke sajyar edhe një histori familjare italiane për vetveten.
Subjektin bazë për “Manastirin” ai e mblodhi pak e nga pak prej jetës së Papës Pali III (1468-1549). Sipas një rrëfimi të shekullit 17, i cili i pëlqente shumë Stendalit, Papa arriti në pozicionin më të lartë eklesiastik, falë hallës së tij magjepsëse dhe të dashurit të saj, Rodrigo Borgia (Papa Aleksandri VI).
Po kështu, halla e Fabrizios në roman, Dukesha Gina Sanseverina, dhe i dashuri i saj i martuar, Kryeministri reaksionar, konti Moska, i vihen punës për të vendosur Fabrizion në një post politik, sapo ai rikthehet prej luftërave Napoleoniane. “Idetë e vjetra” janë përsëri në modë në Itali, pasi janë lënë përkohësisht mënjanë, prej “ideve të reja” gjatë pushtimit francez. Për shkak të tendencave të tij të mëhershme revolucionare, Fabrizios i lejohet që të kthehet, vetëm me kusht që t’i kushtohet studimeve fetare si dhe të mos lexojë për pak kohë, asgjë të botuar pas vitit 1720.
Sido që të jetë, Fabrizio nuk është një njeri i ideve apo intrigës, por i pasioneve të mëdha, kryesisht të përqëndruar tek gratë, ndonëse e sheh veten si të paaftë të dashurojë. Dukesha e do shumë nipin e saj, ndërkohë që Konti Moska jeton për Dukeshën, dhe trekëndëshi i pamundur i dashurisë është një studim i thellë i dëshirës femërore dhe tërbimit të xhelozisë mashkullore. Në një moment, Konti shfryn ndaj rolit të tij patetik si “i treti i bezdisshëm” mes hallës dhe nipit, “një person i tretë kur dy janë në shoqëri” – “çfarë mjerimi për një burrë të shpirtit që të ndiejë se po luan atë rolin e neveritshëm, dhe të mos jetë në gjendje të mbledhë forcat, për t’u ngritur në këmbë dhe larguar nga dhoma”.
“Manastiri” është i mbushur me mprehtësi politike, si dhe psikologjike.
Shumë është thënë për mënyrën se si Stendali vë përballë Francën e tij, me një Itali imagjinare – një vend që prodhon njerëz me shpirt të madh, në mesin e prapambetjes dhe shtypjes. Në këtë drejtim, Fabrizio është emblematik: Ai i afrohet në maksimum kuptimit të vetvetes, ndërkohë që ndodhet i mbyllur në Kullën Farnese, atje ku nuk mund të arrijë të dashurën e tij, bijën e atij që e ka burgosur, Clelian. Në të kundërt, francezët e Stendalit, ndonëse supozohet të jenë të mbushur me ide liberale dhe të lejuar të lexojnë Rusonë, janë të shëmtuar dhe jo-origjinalë. Konti Moska, kryeministri konservator, është tolerant dhe liberal; kundërshtarët e tij “liberalë” janë të korruptuar dhe plot vese.
Megjithatë, leximi më i dobishëm politik i “Manastirit”, është një rrëfim i kalimit nga principata personale absolutiste, tek shteti modern i centralizuar. Princi i Parmës ka një pushtet të jashtëzakonshëm, por ka gjithfarësoj veçantish në atë pushtet – qoftë edhe ndikimi i një gruaje joshëse, dhe inteligjente të oborrit, si Dukesha. Për mirë apo për keq, ai është “një tiran që i njeh të gjithë viktimat e tij”.
Pasaportat, urdhërat dhe dokumenta të tjerë të tillë ekzistojnë, por mjafton të largohesh tek principata fqinjë, dhe ato e humbasin autoritetin e tyre. Kjo është bota, pothuajse e paimagjinueshme sot, e humbur prej ngjitjes së shtetit jopersonal. Stendali e ka një këmbë nostalgjike në Italinë e Përjetshme, dhe tjetrën në atë moderne, dhe është pikërisht ky pozicion që e bën “Manastirin” një portret shumë domethënës dhe të paharrueshëm të momentit Napoleonian.
“Manastiri i Parmës” ka shumë më tepër elementë, nga sa të kap syri fillimisht. Dhe Manastiri në titull, nuk shfaqet deri në faqen e fundit, ku Stendali ia dedikon librin “TE PAKTEVE FATLUME”. Eshtë një homazh i kriptuar, por nuk mund të mos imagjinosh se ti je njëri prej tyre.
Z. Ahmari është gazetar dhe shkrimtar me banim në Londër
THE WALL STREET JOURNAL – Bota.al