Analiza

Mario Draghi, njeriu i duhur për ta udhëhequr Evropën pas largimit të Merkel

Nga Andreas Kluth

“Bloomberg View”

Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare gjermane, janë në një aspekt të qarta. Ne nuk do ta dimë për javë apo muaj, se cili do të jetë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, teksa partitë pritet të nisin negociatat e gjata për të krijuar një koalicion të ri qeverisës.

Gjatë kësaj kohe, kancelarja në largim Angela Merkel, do të vazhdojë që të mendojë për punën e përditshme si titullarja në detyrë. Por pushteti i i saj real ka mbaruar tashmë. Dhe kjo do të thotë se Bashkimi Evropian e ka humbur de fakto udhëheqësin e tij.

Po kush mund ta zëvendësojë atë? Një mënyrë për ta analizuar pretendentët e mundshëm është ta shihni udhëheqjen ashtu siç e shihnin dikur romakët e lashtë. Ata e panë atë si një ndërthurje të tre cilësive të ndryshme:potestas, auctoritas dhe gravitas. Në 16 vitet e saj në detyrë, Merkel i pati që të tria.

Potestas i referohet fuqive ligjore që vijnë bashkë me poste të larta. Auctoritas – rrënja e fjalës autoritet – i tejkalon fuqitë zyrtare dhe nënkupton ndikimin, aftësinë për të ndikuar të tjerët, edhe përmes mjeteve joformale. Gravitas është një dimension më elegant, diçka si dinjiteti personal apo pesha si lider.

Për shembull, ishte aura që zotëronte Merkel, ajo që i detyronte të gjithë të ngrinin kokën dhe shihnin drejt saj, kur ajo hynte në sallën ku mbahen samitet e Brukselit. Ky përkufizim, përjashton automatikisht ndonjë nga emërimet e liderëve të BE-së në Bruksel.

Këtu përfshihet Ursula von der Leyen, presidentja aktuale e Komisionit Evropian dhe Charles Michel, Presidenti i Këshillit Evropian, që mbledh 27 udhëheqësit e vendeve anëtare. Që të dy ata kanë një ‘potestas’ të kufizuar, dhe nuk kanë ‘auctoritas’ ose ‘gravitas’ për të folur.

Natyrisht, njeriu i parë që e ka shprehur hapur këtë ambicie është presidenti francez Emmanuel Macron. Nëse e pyesni atë vetë, ai ka qenë udhëheqësi i BE-së gjatë gjithë kohës, duke mbajtur flamurin e “sovranitetit” dhe “autonomisë” evropiane.

Si president i fuqisë më të fortë ushtarake të bllokut, dhe me arsenalin e vetëm bërthamor në BE, ai zotëron gjithashtu një ‘potesta’ mbresëlënëse. Por që të jetë udhëheqës, evropianët e tjerë duhet të bien dakord se do të udhëhiqen nga ai.

Dhe sipas një sondazhi të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, këta të fundit nuk mendojnë kështu. Vetëm 14 për qind do të kishin zgjedhur Macron si një “president” hipotetik të Evropës, krahasuar me 41 për qind që do të ishin mirë me Merkelin në atë rol.

Supozimi i shpeshtë që bëhet në pjesën më të madhe të Evropës, është se Macron është përfundimisht i vetmi pretendent për ta projektuar në kontinent fuqinë franceze apo edhe të tijën personale. Dhe zemërimi i tij, pasi u ndje i snobuar nga SHBA-ja, Australia dhe Britania e Madhe, vetëm sa e përforcoi këtë përshtypje.

Në çdo rast, ai do të rizgjidhet president në pranverën e vitit që vjen, dhe shumë shpejt mund të dalë si pretedent për të udhëhequr Evropën. Por ai ka më pak ‘auctoritas’ sesa do të donte ta pranonte, dhe madje edhe më pak ‘gravitas’.

Kjo i lë hapur rrugën Mario Draghi, që u bë kryeministër i Italisë në fillim të këtij viti. Normalisht, fuqia që vjen me këtë post është e kufizuar. Kryeministrat italianë nuk njihen për fuqinë e tyre të qëndrueshme. Mjafton të kujtojmë se Merkel pati 8 homologë italianë gjatë gjithë qëndrimit të saj në krye të kancelarisë.

Për më tepër, Italia është konsideruar prej kohësh një nga vendet problematike të BE-së, borxhe të mëdha, me një ekonomi në stanjacion dhe të pareformueshme. Por kjo ishte para se në krye të ngjitej Draghi.

I respektuar nga gati i gjithë spektri politik i trazuar italian, ai ka shënuar tashmë sukses me vaksinimin e vendit ndaj Covid-19, dhe ka adresuar një nga problemet që konsideroheshin më urgjente por edhe më të vështirat:mungesën e efikasitetit të sistemit gjyqësor.

Ajo që i jep Draghi aq shumë autoritet është pjesërisht mënyra e tij teknokratike dhe diplomatike e të qeverisurit, e cila të kujton atë të Merkelt. Të dy e mbajnë shumë fort nën kontroll egon e tyre. Por ndikon jo pak edhe karriera e tij e mëparshme. Ai është një ekonomist, mbikëqyrësi i doktoratës së të cilit është fitues i Çmimit Nobel në ekonomi.

Si president i Bankës Qendrore Evropiane, Draghi bëri ndoshta më shumë se sa kushdo tjetër për të shpëtuar monedhën e përbashkët, euron nga kolapsi, kur deklaroi në vitin 2012 se do të bënte “gjithçka që duhej” për të shmangur katastrofën. Kur një frazë mjafton për të qetësuar tregjet, kjo është ‘gravitas’, pesha e një lideri.

Që nga marrja e detyrës së kryeministrit, ai ka arritur të fitojë pjesën më të madhe të programit të ndihmës së BE-së, dhe e ka shtuar atë me fonde shtesë për të përgatitur injektimin fiskal më të madh që ka ndodhur deri më sot në Evropë.

Dhe duket se lëvizja e tij po jep frytet e veta:Sot rimëkëmbja ekonomike e Italisë është ndër më dinamiket në Evropë. Në këtë kuptim, Draghi e ka bërë veten një lloj anti-Merkel, një mbështetës i flaktë i politikave fiskale të forta dhe i integrimit financiar evropian, kur kancelaria në largim, e vinte gjithmonë theksin tek masat e kursimit.

Edhe në skenën botërore, Draghi ka lënë tashmë shumë gjurmë. Ai e ka pozicionuar vendin e tij kundër Kinës dhe Rusisë, dhe në këtë mënyrë përkrah SHBA-së, në një mënyrë më të qartë sesa Merkel apo Macron. Por siç ndodh përherë në Itali, nuk ka asnjë garanci se koalicioni i tij qeverisës do të rezistojë për shumë kohë.

Po ashtu ekziston rreziku që Draghi të promovohet në rolin e lartë, por më pak praktik, të Presidentit të Republikës. Gjithsesi që nga sot, Draghi është i vetmi udhëheqës evropian që mund t’i afrohet staturës së Angela Merkel. Ai zotëron inteligjencën dhe përvojën e duhur për ta mbajtur BE-në të bashkuar, duke e çuar atë përpara, sikurse bëri Merkel për më shumë se një dekadë e gjysmë.

Back to top button