Histori

Monte Nuovo, vullkani i fjetur që mund të shkatërrojë Evropën

Në kohërat e lashta shpërthimet e vullkaneve ishin mjaft të shpeshta në të gjithë botën, dhe një katastrofë natyrore, të cilës njerëzit u detyruan t’i përshtateshin. Shumica e shpërthimeve të vullkaneve ishin të një shkallë të vogël, dhe të paafta për të shkaktuar shumë dëme.

Disa prej tyre shkatërruan qytete të tëra, ndërsa ca të tjera arritën të zhdukin deri edhe civilizime të tëra. Me kalimin e kohës, shpërthimet e vullkaneve u bënë më pak të shpeshta deri në shekullin XIX. Pjesa jugore e Italisë, ka qenë gjithmonë një ndër zonat vullkanike më aktive për shekuj me radhë.

Edhe në kohërat e lashta, vullkane si ai i Pompei dhe Herkulaneum, kanë shpërthyer më shumë se një duzinë rastesh, dhe ndonjëherë edhe vetëm disa dekada larg njëri-tjetrit. Vullkanet klasifikohen bazuar në potencialin e tyre shpërthyes, fuqinë shkatërruese e cila llogaritet bazuar tek madhësia, pozicioni dhe aktiviteti vullkanik.

Vullkani Monte Nuovo, ndodhet në pjesën jugore të Italisë. Ai ka sot një pamje shumë mbresëlënëse, pasi jeta e egër është harlisur mbi vullkanin e fjetur. Herën e fundit ky vullkan ishte aktiv në vitin 1538. Historia e tij është shumë interesante. Vendndodhja e vullkanit është afro 10 kilometra nga qyteti i Napolit, në një vend të quajtur Campi Flegrei, që në italisht përkthehet “tokë e djegur”.

Këtë emër ka marrë nga mitologjia e lashtë, pasi thuhet se atje Zeusi me vëllanë dhe motrën e tij mundën Titanët. Por mos u gënjeni nga pamja aktuale e malit vullkanik. Vetë vullkani ndodhet kryesisht nën ujë, duke u shtrirë në një sipërfaqe mbi 100 km2 katrorë, dhe duke pasur në total 24 kratere.

Monte Nuovo ka në vetvete një aftësi të madhe për ta shkatërruar gjithë Evropën dhe ndoshta edhe më gjerë. Një shembull që na tregon mbi fuqinë e këtij vullkani, është një ngjarje që ndodhi rreth 40.000 vjet më parë. Pas shpërthimit, një re e dendur tymi mbuloi një pjesë të madhe të Evropës, në një sipërfaqe prej rreth 1 milion kilometra katrorë.

Thuhet se ai shpërthim vullkanik luajti një rol të madh në zhdukjen e Neandertalëve, pasi shpërthimi shfarosi një pjesë të madhe të kafshëve në Evropën Jugore. 15.000 vjet më parë ndodhi një shpërthim tjetër, që ishte i një shkalle shumë më të vogël.

Dhe siç e përmendëm më lart, i fundit është ai i vitit 1538, që ka krijuar edhe formën konike që ka sot mali. Kjo do të thotë se ky vullkan nuk ka pasur asnjë aktivitet në gati 600 vitet e fundit. Nëse i referohemi historisë së vullkanit, kjo nuk përbën ndonjë shqetësim shumë të madh.

Shqetësim përbën në përgjithësi rritja e aktivitetit vullkanik në të gjithë botën duke nisur që nga shekulli XIX-të. Që nga fillimi i atij shekulli, kanë nisur të ndodhin gjithnjë e më shumë shpërthime vullkanike. Numri i tyre vazhdon të rritet me një ritëm që i ka shqetësuar shumë vullkanologët, pasi mund të provokojë super-vullkane të tilla si ai i Monte Nuovos në të shkuarën.

Bazuar në përshkrimin e vullkanit, është shumë e vështirë që vullkanologët të parashikojnë se kur mund të shpërthejë saktësisht ky vullkan. Çdo vullkan është krejt i ndryshëm nga tjetri, ndaj secili kërkon një metodë të ndryshme të analizimit të aktivitetit vullkanik dhe  të probabilitetit të një shpërthimi.

Disa ekspertë thonë se shpërthimi në vetvete nuk do të ishte dhe aq katastrofik. Por fuqia sizmike do të zhvendoste një vëllim të madh uji nga deti, që mund të provokonte cunami gjigant. Njëkohësisht, ata thonë se shpërthimi i ardhshëm do të jetë më i fuqishmi që ka parë bota jonë moderne, për shkak të ndryshimeve të klimës.

Dhe kjo të thotë se pjesa më e madhe e Evropës do të shkatërrohet nga fuqia e shpërthimit.

Ju mund të pyesni se si do të preket saktësisht pjesa tjetër e Evropës. Epo, ashtu si ndodhi 40.000 vjet më parë. Tymi i shkaktuar nga hiri i zi i prodhuar nga shpërthimi, do ta mbështjellë Evropën për vite me radhë.

Ai do të prekë të gjitha qeniet e gjalla, duke i vrarë ngadalë për shkak të toksicitetit të tij dhe për shkak të heqjes së aksesit ndaj vitaminës D natyrore (të marrë nga Dielli), që është jetike për mirëqenien e çdo njeriu. Burimet ushqimore do të shkatërroheshin, të korrat nuk do të rriteshin, dhe jeta bimore e shtazore do të zhdukej. / History of Yesterday – Bota.al

Back to top button
Close
Close