Speciale

Na ishin njëherë popujt nomadë. Sot jemi të gjithë

Në lëvizje për turizëm ose për punë, për t’ia mbathur nga uria ose nga luftrat. Një mënyrë jetese që dukej e zhdukur, ka fituar forma e dimensione të reja

Screen Shot 2015-05-23 at 10.36.39

UGO FABIETTI

Në mbyllje të një libri të saj të famshëm të vitit 1971, “Njeriu Lakuriq”, Claude Levi-Straus shkruan që, nëse bota kishte filluar pa njeriun, ajo “do mbaronte gjithashtu pa atë”. kjo konsideratë mund të tingëllojë e fortë, por të paktën na kujton që bota është shtëpia jonë e përkohshme, dhe që është mirë ta kujtojmë jo aq shumë me shpirt apokaliptik, se sa në një optikë përgjegjshmërie të shëndetshme e të ndërgjegjshme, që duhet të kemi ndaj botës në të cilën banojmë, e që do t’ua lëmë brezave të ardhshëm.

Nëse të banosh do të thotë të përcaktosh një domethënie të hapësirës, duke bashkuar simbole, mite, kujtime; nëse do të thotë ta transformosh në lidhje me jetesën tënde, nuk ka dyshim që të “jetuarit” ka ngjashmëri të shumta me termin “habitus”, e që janë kostume, zakone. Kjo është e barazvlefshme me pohimin, që të banosh nuk do të thotë thjesht “të zësh”, “të qëndrosh”. Të banosh do të thotë nga ana tjetër të jesh në një vend, në një hapësirë, duke e organizuar në bazë të praktikave e domethënieve.

Njeriu ka plazmuar dhe vazhdon të plazmojë kulturën e vet, mënyrën e tij të qëndrimit në botë, edhe – dhe mbi të gjitha – në lidhje me atë që i imponon hapësirës në të cilën qëndron, qoftë nëse ka të bëjë me një hapësirë pak ose aspak antropike (shembuj ekstremë janë pylli dhe shkretëtira), qoftë nëse ka të bëjë me një hapësirë tërësisht të ndërtuar nga ai vetë, siç mund të jenë megaqytetet. Njeri e botë, zakon e shtëpi, kulturë e ambient, janë kapur kështu në një sistem ndërveprimesh reciproke, të mirë njohura edhe në rastin e popujve nomadë.

Besoj të kem filluar të kuptoj diçka më shumë nga jeta nomade, kur, duke jetuar me beduinët për disa muaj në fund të viteve shtatëdhjetë, ia dola të kuptoj që për ata, ajo që unë e quaja “shkretëtirë” nuk kishte aspak domethënien që unë vetë i jepja detit të zhdukur të dunave të Arabisë së Veriut, Nefudit të Madh, i lartësuar nga poetët qysh prej kohërave paraislamike dhe më pas, shumë kohë më pas, i përmendur shpesh nga udhëtarët europianë të Tetëqindës. Këta ishin mrekulluar nga hapësirat e mëdha e të zjarrta të ditëve, dhe të ftohta e plot me yje të netëve, ku banorët kullosnin kafshët dhe jetonin në tendat e zeza prej leshi. E njëjta mrekulli nuk më pengoi megjithatë mua, antropolog i ardhur nga Perëndimi, të ndërtoja edhe imagjinatën e një ambienti armiqësor dhe të pamundur për të jetuar: “Një vdekje në jetë”, siç e përkufizoi Tomas E. Lauwrence ekzistencën beduine.

Për beduinët, nga ana tjetër, bàdia – term nga i cili rrjedh vetë emri i tyre – nuk evokonte aspak një vend të privuar nga jeta, por deri diku, sillte në mendje hapësira në të cilat qëniet njerëzore dhe kafshët mund të jetojnë një formë të ekzistencës simbiotike dhe jetësore, për të dyja palët. Një shkretëtirë shumë e veçantë pra, bàdia, e banuar nga burra e gra shumë të veçantë, trashëgimtarë të një procesi përshtatjeje, të filluar rreth tremijë vite të shkuara dhe i shndërruar zgjidhur në një model jete disa mijëvjecarë më parë. Por edhe një model ekzistence shumë i ndryshëm nga ai i qënive të tjera njerëzore, që në mënyrë përgjithësuese quhen “nomadë”.

Në Europën mesjetare dhe në modernitetin e hershëm, nomadët nuk ishin beduinët, por popujt që vinin nga stepat e largëta aziatike, që kishin mbjellë terror dhe shkatërrim, në Rusi dhe në pjesën tjetër të Europës Lindore, që kishin penetruar në Lindjen e Afërt dhe i kishin dhënë jetë perandorive, sa të mëdha, aq edhe kalimtare. Prej këtyre sulmeve të papërmbajtura mbi skenën aziatike dhe europiane, figura e nomadit, për shkak të frikës së shfaqjes së tij të papritur në horizont, u bë sinonim i barbarit, një cilësim që më pas u kalua tek beduinët libianë dhe më tej, atyre të tokës, prej ku ishin bashkuar shumë shekuj më parë paraardhësit e tyre: Arabisë. Në epokën e kolonializmit nomadët arabë ishin ngulitur tashmë në imagjinatën e europianëve dhe perëndimorëve, që kishte parë tek ta, për shkak të kostumeve dhe zakoneve të tyre, të besimeve fetare dhe stilit të të jetesës, pasardhësit e fiseve të lashta fisnore të Izraelit.

Fati i beduinëve, ashtu si ai i shumë popujve të tjerë nomadë të Azisë e të Afrikës, ka qënë megjithatë ai i një sprapsjeje gjithmonë e më të shpejtë, përballë një kulture banimi të përhershëm. Dhe kjo, për arsye ngushtësisht të lidhura me humbjen e atyre funksioneve që nomadët kishin në të shkuarën, përballë një bote gjithmonë e më të ndërlidhur, sa i përket komunikimit dhe transporteve, mbarështimit të kafshëve mbi baza industriale dhe joshtegtare, përveç se nëpërmjet kontrollit të kufijëve nga ana e shteteve-kombe.

Me përshpejtimin e komunikimit dhe qarkullimin gjithmonë e më të shpejtë të qenieve njerëzore dikush ka pyetur nëse njerëzimi do të bëhet, një ditë, “i gjithi nomad”. Nga njëra anë, në fakt, është gjithmonë e më e fortë shtytja për kapërcimin e kufijve të përcaktuar nga sistemi kapitalist dhe nga ndërlidhja virtuale. Nga ana tjetër është gjithmonë e më shumë e vështirë të kontrollosh endjen e detyruar të atij që, varfëria dhe lufta, do ta bëjnë nomad pa dëshirë.

Nomadizmi, pra, transformohet sot në nevojë ose në dëshirë për të ndërruar vend. Eshtë nevoja -urgjente për të varfrit dhe të persekutuarit e botës; nevojë zakoni për atë që është integruar në logjikat ekonomike e kulturore të sistemit prodhues botëror; dëshirë-shmangie për atë që e sheh si gjithnjë e më shtypës horizontin e standartizuar global.

Si antropolog mbetet vetëm një dyshim, tashmë i lënë në hije në tropikët e trishtë të LeviStrauss-it: të ndryshosh vend, por përse duhet ta bësh nëse, në fund, çdo vend i botës do të ketë gjithmonë e më shumë pamje të ngjashme me një tjetër. /Focus/e.xh./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button