Uncategorized

Negociatat Perëndim-Rusi, kujdes nga përsëritja e Marrëveshjes famëkeqe të Mynihut 

Nga Harold James

“Project Syndicate”

Lufta e Ftohtë përfundoi 30 vjet më parë. Por që nga kriza financiare e viteve 2007-2008, ajo jo vetëm që është rikthyer, por ka ndryshuar duke u bërë një luftë hibride me një ritëm të ngadaltë. Dhe me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë, që po përpiqen tani të menaxhojnë kërcënimin e një sulmi rus ndaj Ukrainës, po afrohet edhe fantazma e një lufte të nxehtë.

Qasja tolerante ndaj Gjermanisë naziste në vitin 1938, është bërë një analogji historike shumë joshëse, pasi ai ishte edhe momenti kur Lufta e Ftohtë e pas Luftës së Parë Botërore ndryshoi në mënyrë vendimtare, duke e bërë të pashmangshme një tjetër luftë të nxehtë.

Mynihu do të lidhet përgjithmonë me atë moment, sepse pikërisht atje Britania, Franca dhe Italia, i dhanë Gjermanisë një territor të konsiderueshëm që i përkiste Çekosllovakisë, pa u konsultuar as me çekët por as me Bashkimin Sovjetik.

Ai episod është rishikuar në mënyrë të përsëritur, së fundmi në filmin e ri brilant të regjisorit Christian Schwochow “Mynihu:Në pragun e luftës”, bazuar në përpjekjen interesante të romancierit Robert Harris, për të rehabilituar disi reputacionin e kryeministrit britanik të kohës Neville Chamberlain.

Tani që administrata amerikane e Joe Biden, është e gatshme të mbajë një samit tjetër me presidentin rus Vladimir Putin, pas disa javë negociatash të dështuara, a jemi dëshmitarë të një ripërsëritjeje të përpjekjeve të Chamberlain-it në Mynih? Një fjalë e urtë doli nga Mynihu:Mos u trego asnjëherë i butë me diktatorët!

Pas vitit 1945, kjo qasje ka sjellë shpeshherë pasoja katastrofike. Për shembull, në vitin 1956, kryeministri britanik Anthony Eden (që kishte dhënë dorëheqjen si Ministër i Jashtëm në vitin 1938, vetëm pak muaj para Marrëveshjes së Mynihut), gaboi kur e trajtoi presidentin egjiptian Gamal Nasser si një Hitler të ri.

Disa dekada më vonë, presidentët e SHBA-së, Xhorxh HW.Bush dhe Xhorxh W.Bush gabuan kur i vendosën të njëjtin etiketë Sadam Huseinit. Analogjia justifikoi një gabim katastrofik, i cili ia ka ndryshuar rrënjësisht formën politikës botërore.

S’ka asnjë dyshim se Vladimir Putin është një prishës i paqes, dhe që tashmë ka arritur shumicën e qëllimeve të tij. Ai e ka destabilizuar Ukrainën, duke e penguar këtë të fundit të shërbejë si një model për kundërshtarët e sundimit të tij autoritar.

Ai e ka ndarë Evropën nga SHBA-ja, dhe e ka shfrytëzuar paaftësinë e Amerikës për t’iu kundërpërgjigjur nismave agresive ruse, si dhe ka theksuar ndarjet e brendshme brenda Evropës. Në të kaluarën, përgjigja e qartë ndaj kërcënimeve të Putinit kundër Ukrainës, do të ishte vendosja e sanksione të mëdha ekonomike dhe financiare nga SHBA-ja dhe aleatët e saj në NATO.

Ato shënjestronin jo vetëm Putinin dhe miqtë e tij, por të gjithë ekonominë ruse. Për shembull, bankat ruse mund të ndalohen të kenë qasje në SWIFT, sistemin ndërkombëtar të pagesave. Por Rusia ka krijuar sistematikisht rezervat e saj, duke reduktuar dobësitë e saj financiare.

Dhe kjo do të thotë se humbja e qasjes në SWIFT, mund të mos jetë aq e dhimbshme në periudhën  afatshkurtër (ndonëse do të shkaktonte pothuajse me siguri vështirësi të mëdha në një periudhë afatgjatë). Ç’është më e keqja, përdorimi i SWIFT si një armë mund të ketë pasja të gjera dhe të menjëhershme, si për SHBA-në, ashtu edhe aleatët e saj evropianë.

Një nga rreziqet më të dukshme, është se kreditorët nuk do të mund të paguhen dot në një moment, dhe kur falimentimet në shkallë të gjerë mund të shkaktojnë një krizë financiare dhe një ngrirje ndërkombëtare të kredive.

Ky skenar ngjan jo me atë të vitit 1938, por të vitit 2008, kur frika mbi humbjeve relativisht të vogla të kredive subprime, solli pasiguri shumë më të mëdha, se si do të prekeshin nga kjo institucionet kryesore financiare. Rezultati ishte një shitje masive dhe një panik i përgjithshëm.

Sot, pasiguria shtohet nga faktorë të rinj, si rritja e përdorimit të monedhave dixhitale, sistemeve të pagesave, si dhe përdorimit si një armë i tregtimit të energjisë. A do të ishte në fakt një masë hakmarrëse efektive. ndërprerja e importeve rusë të energjisë nga ana e Evropës?

Disa vende evropiane – dhe sidomos Gjermania – do ta konsideronin një sanksion të tillë një kërcënim më të madh për veten e tyre, sesa për rusët. Menyja aktuale e sanksioneve financiare dhe ekonomike, ripërsërit kësisoj logjikën e Luftës së Ftohtë të shkatërrimit të sigurt reciprok (MAD).

Aftësia për të përdorur instrumente financiare dhe valutore kërcënuese dhe sistematike, është ekuivalenti modern i bombave bërthamore. (Chamberlain udhëhiqej nga një logjikë e ngjashme:vetëm një brez larg tmerreve të Luftës së Parë Botërore, ai u angazhua të parandalonte një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës).

Si duket sot ana ruse e ekuacionit MAD? Sigurisht, strategët e Kremlinit e dinë se Rusia ka shumë për të humbur nga një konflikt i hapur në Ukrainë. Një pushtim rus, do të haste në një rezistencë të konsiderueshme nga ukrainasit, duke shkaktuar një numër të madh viktimash, dhe në një demoralizim të mëtejshëm të popullsisë ruse.

Edhe ruajtja e kontrollit të territorit të pushtuar do të ishte shumë e vështirë. Ushtarët rusë do të shtypnin një popullsi civile, që mund t’u flasë atyre në gjuhën e tyre. Vlen të kujtohet se ushtarët e parë sovjetikë që hynë në Pragë në vitin 1968, u detyruan që të tërhiqeshin nga eprorët e tyre, pasi ata filluan të simpatizonin çekët.

Me opsione të kufizuara, të dyja palët ndihen të bllokuara në këtë përpallje. Leksioni i vërtetë i Mynihut, është se ekzistojnë disa mënyra për t’u përballur me psikologjinë politike të kurthit.

Hitleri e fitoi përballjen në Mynih, pasi ai përfitoi një dominim të pakrahasueshëm mbi Evropën Lindore dhe Qendrore. Por shumë shpejt u zhgënjye, sepse mundësitë e ofruara nga kërcënimi për një konflikt ishin zhdukur.

Siç e tregon Henry Kissinger në librin e tij “Diplomacia”, marrëzia e Hitlerit e nxiti atë të flakte tej avantazhin që kishte, duke shkuar në luftë në vitin 1939. Një luftë e nxehtë nuk është e pashmangshme në një proces negociues të ngjashëm me Mynihun.

Ndërsa është e vërtetë që agresori duket sikur po fiton sërish, shumë gjëra mbeten të hapura për interpretim. Në rast se synimi i Putinit është të nxjerrë në pah dobësitë e Perëndimit, ai mund të pretendojë një fitore të menjëhershme.

Por parë në një qasje tjetër, janë duke fituar edhe paqja, dhe madje dhe demokracia, sepse logjika e re e MAD, tregon se sa pak gjëra mund të fitohet nga një konflikt në përshkallëzim e sipër.

Shënim: Harold James, profesor i historisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prinstonit, SHBA.

Back to top button