Psikologji

Nëse ke pranë një person që të do e të kupton, mos e zhgënje!

Njerëzit në ditët e sotme janë shndërruar në pak vlerësues, si për gjërat, ashtu edhe për njerëzit që kanë vërtet vlerë. Fillojnë të kërkojnë gjëra e njerëz perfektë, duke mos i vlerësuar personat që kanë në krahë, sado që ata mund të bëjnë shumë për t’i ndihmuar. Pastaj kur mbeten vetëm, ose kur kanë pranë persona që nuk ia vlejnë, fillojnë t’i kuptojnë gabimet e tyre. Mirëpo mund të jetë tepër vonë derisa të vijë një moment i tillë.

Falja apo pendesa nuk ka asnjë vlerë, përderisa e bën të vuajë personin tjetër që në fund të fundit, nuk ta ka për borxh. Është e vërtetë që nuk jemi shenjtorë dhe mund të gabojmë, ama duhet të përpiqemi t’i minimizojmë gabimet tona, sidomos kur në mes janë ndjenjat e një personi tjetër.

Është një dhuratë, një bekim të kemi pranë vetes persona që ia vlejnë dhe shqetësohen për ne, ndaj duhet t’i mbajmë sa më gjatë pranë nesh. Në ditët e sotme është tepër e vështirë të gjesh një person që të qëndron pranë dhe përpiqet të të ndihmojë, ndaj është gabim i pafalshëm që një njeri të tillë ta shumëzojmë me zero në jetën tonë duke e zhgënjyer.

Zhgënjimet mund të jenë nga më të ndryshmet, por ajo që është më e shpeshtë, është dëshira jonë për të pasur pranë persona akoma më perfektë, duke harruar se perfeksioni nuk ekziston e duke përfunduar pastaj në persona që do të na lëndojnë ne akoma më shumë. Sepse kështu funksionon Karma, ne lëndojmë dikë, një dhimbje më e madhe na shkaktohet më pas neve nga persona të tjerë.

Përpara çdo fjale që nxirrni nga goja, mendojini gjërat mirë. Personi përballë jush jo vetëm që mund të lëndohet, por mund të largohet përfundimisht nga ju dhe atëherë do ta kuptoni se sa shumë keni humbur, ama mund të jetë shumë vonë.

Back to top button