HistoriMAIN

Nga Sun Tzu tek Makiaveli, udhëtim në rrënjët e “pushtetit të padukshëm”

Screen Shot 2015-06-29 at 09.43.32

Nga Enrica Corradini

Në imagjinatën kolektive, historia e shërbimeve të fshehtë ka qenë gjithmonë e mbështjellë me mister dhe është e ndarë në episode, komplote, ngjarje ndërkombëtare dhe personazhe të errët, që duke vepruar në klandestinitet, kanë kushtëzuar rrjedhën e ngjarjeve, pa i marrë lëvdatat e historisë. Thënë kjo, për ata që nuk merren me këtë fushë, është legjitime të pyesin si lindën veprimtaritë e fshehta, me çfarë qëllimi, në cilën epokë historike, në cilën zonë gjeografike dhe cilët kanë qenë shkaqet që kanë përcaktuar lindjen e tyre.

Do të zbulohet kështu se historia e shërbimeve të fshehtë është e lashtë sa njeriu, që zanati i spiunit i bashkëngjitet kategorive të hapësirës dhe kohës, sepse ka ekzistuar kudo dhe ngahera, dhe se kontrolli i informacioneve ka luajtur një rol të një rëndësie parësore në formimin e shteteve modernë.

Duke lënë jashtë periudhën parahistorike, është e drejtë të themi se vetëm në momentin kur lindën grupimet e parë shoqërorë (në format e ndryshme të strukturuara të fiseve, fshatrave, qendrave urbane, qyteteve-shtete), do të niste përdorimi i veprimeve fillestarë të shërbimeve të fshehtë, me individë të caktuar që ngarkoheshin të mblidhnin sa më shumë informacione të mundshëm, mbi popullsitë e vendosura në afërsi të kufijve.

Spiunazhi lindi fillimisht me një funksion të dyfishtë: mbrojtjeje, për të garantuar sigurinë e popullatës, qëndrueshmërinë e institucioneve politike dhe ekuilibrin mes popullsive fqinje; sulmues, si mbështetje për luftën, e cila nuk fitohet vetëm në fushëbetejë me forcën e armëve dhe superioritetin e trupave, por përgatitet duke njohur armikun, pajisjet e tij ushtarake, madje edhe terrenin ku do të ndodhë përplasja. Cdo informacion, i vlerësuar si duhet, mund të ketë një dobi të jashtëzakonshme, deri në pikën që të përcaktojë rezultatin e një konflikti. Zhvilluesi më i lashtë i teorisë së inteligjencës ishte në shekullin VI para Krishtit, gjenerali kinez Sun Tzu, autor i një traktati për strategjinë ushtarake, “Arti i luftës”, që edhe sot e kësaj dite përbën një pikë referimi për historianët dhe të apasionuarit pas kësaj fushe. Sun Tzu ishte i pari që kuptoi rëndësinë e njohjes së sekreteve të kundërshtarit, për ta dobësuar dhe për t’i goditur objektivat më të ndjeshëm; për këtë arsye, mbledhja e informacioneve nuk duhet të jetë frut i një improvizimi të atypëratyshëm, por objektiv i një planifikimi ushtarak të vëmendshëm. “Ajo që përcaktohet si ‘aftësia e parashikimit’ nuk mund të jetë rezultat i përballjeve me ngjarje të jashtme, as edhe resultat i përllogaritjeve. Duhet të përftohet nga njerëz që e njohin mirë situatën e armikut”.

Nga Sun Tzu e këtej, historia e lashtë është e mbushur me shembuj, personazhe dhe ngjarje që konfirmojnë përdorimin e forcave të inteligjencës. Në vitin 4000 para Krishtit, dimë që ka ekzistuar një shërbi informativ, i përdorur në qytetet-shtetet sumere për të mbledhur informacione mbi qytetet përreth dhe për të garantuar ekuilibrin e marrëveshjeve politiko- territoriale. Dy shekuj më vonë, në Egjipt, beteja mes perandorisë së Faraonëve dhe asaj të Ititëve për pushtimin e qytetit të Kadeshit, përveçse një ushtrim ushtarak, ishte mbi të gjitha një lojë spiunësh, që pa në veprim informatorët e Ramsesit II (të angazhuar për të pikasur pozicionin e saktë të ushtrisë kundërshtare) dhe kundërspiunazhit Itit, i infiltruar prapa vijave të armikut, me qëllim vrasjen e krerëve ushtarakë egjiptianë.

Gjithmonë duke qëndruar në Lindjen e Afërme, mësojmë nga Testamenti i Vjetër për një popull, Filistejtë, që të vendosur në Palestinë, përbënin një kërcënim të frikshëm për izraelitët. Eshtë një mendim i përhapur që në luftën e gjatë që vuri përballë dy popujt, hebrejtë kanë përdorur gjerësisht spiunët, falë të cilëve, pasi shtinë në dorë sekrete të rëndësishëm ushtarakë, arritën që të mundin ushtrinë e filistejve, e cila, duke patur parasysh superioritetin e padiskutueshëm ushtarak, do të kishte mundur padyshim ushtrinë e mbretërisë së izraelitëve.

Për të parë një ndryshim domethënës, ose më saktë, për një institucionalizim të zanatit të spiunit, duhet të zhvendosemi gjeografikisht nga Lindja e Afërt, tek Roma perandorake: këtu, veprimet e shërbimeve të fshehtë nuk janë më aksione individësh të paguar nga ai që komandon. Pikërisht këtu do të lindnin strukturat e para të angazhuara për mbledhjen e informacioneve.

Në epokën e Augustit, Garda Pretoriane ishte reparti ushtarak përgjegjës për sigurinë e perandorit, përveçse për misione specialë në fushën publike dhe private. Pjesë e saj ishin “speculatores”, përgjegjës për sigurinë e brendshme, dhe “exploratores”, që kishin detyrën të studionin zakonet e armiqve dhe të garantonin sigurinë e jashtme. Për të mbërritur tek institucionalizimi i një “spiuni profesionist” të vërtetë, duhet pritur periudha e fundit e historisë romake, diku mes shekujve I dhe III. Të kërkuar që në kohën e Adrianit për të vigjiluar në oborrin perandorak, gjatë mbretërimit të Domicianit “fumentarët”, trupa speciale të ushtrisë, u ngarkuan zyrtarisht për mbledhjen e informacioneve: një lloj policie e fshehtë, e detyrën delikate të ruajtjes së sigurisë së institucioneve, në komandë të “princeps peregrinorum”, që i referohej drejtpërdrejtë perandorit. Nën mbretërimin e Dioklecianit, “frumentarët” u goditën dhe sistemi i vjetër i inteligjencës zbuloi paaftësinë e tij. Kufijtë e perandorisë ishin kaq të mëdhenj, saqë garantimi i sigurisë së territorit të saj, i rrezikuar nga presioni i popujve barbarë, u shndërrua në prioritet kryesor. Në këtë kuadër, u krye edhe reformimi i ushtrisë, që u vu në zbatim nga Diokleciani, si dhe riorganizimi i sistemit të sigurisë së Romës.

“Frumentarët” u zëvendësuan nga “agentes in rebus” (agjentë në mision), të cilët morën funksionet e kontrollit, mbledhjes dhe transmetimit të informacioneve. Në thelb, “agentes” ishin spiunë, informatorë, korrierë të besuar të perandorit me detyrën e ruajtjes së sigurisë së brendshme, si dhe për të vepruar si ndërlidhës mes provincës dhe qendrës. Stërvitja e tyre kryhej në shkollën “agentum in rebus”, një akademi autentike formimi, shumë e rreptë që garantonte privilegje dhe prestigj për më të zotët. Pas rënies së Perandorisë Romake, ky Departament i Administratës Perandorake do të dobësohej dhe do të duhej të kalonin shumë kohë, përpara rikthimit tek spiunazhi i sofistikuar.

Një rol të spikatur do të luante në Mesjetë (kulmi do te vinte ne shekullin XVI) Republika e Venecias, e cila e ndodhur nën kërcënimin e vazhdueshëm të forcave të huaja, përdori gjerësisht spiunët e kualifikuar, duke përdorur çdo mjet, të ligjshëm e të paligjshëm (vrasje, komplote, shantazhe), vetëm që të mbronte sigurinë e saj. Vetë Këshilli i të Dhjetëve, organi i saj më i lartë qeverisës, kishte lindur pikërisht me funksionin për të vigjiluar dhe sprapsur çdo rrezik ndaj sigurisë së shtetit, dhe shfrytëzonte informacionet e sjellë nga Spiunët (informatorët e Këshillit) si dhe denoncimet anonime që ruheshin në “Gojët e Luanit”, kontenitorë të shpërndarë nëpër qytet ku venecianët depozitonin informacione shumë të rezervuar, të destinuar për magjistratët.

Duke filluar nga viti 1539, erdhën e u bënë pjesë e Këshillit të të Dhjetëve 3 Inkuizitorët, magjistratë të ngarkuar për të ruajtur sekretet shtetërore. Duke patur një pushtet të pakufizuar në ushtrimin e një “drejtësie të fshehtë”, vendimet e tyre ishin të pa- apelueshëm dhe parashikonin, mes të tjerave, eleminimin gjatë natës në luginën venete, për të gjithë të dënuarit.

Jemi në Rilindje pra, shekulli i Makiavelit, babai i politikës moderne. Për herë të parë në histori, në kundërvënie të plotë ndaj konceptit mesjetar që e interpretonte historinë si një ushtrim të një vullneti hyjnor, dhe e themelonte veprimin politik në parakushte etikë dhe spiritualë, Makiaveli përshkruan një menaxhim të politikës të zhveshur nga feja dhe morali;

Princi, mishërim i këtij ideali, duhet të ketë të gjithë virtutet e mundshëm, por nëse e kërkojnë kohët, duhet që të përshtasë edhe sjellje moralisht negative, dhe të përdorë mprehtësinë dhe dhunën, vetëm e vetëm që të ruajë kontrollin e Principatës. Lindin kështu konceptet e Raison d’Etat, ose më saktë tërësia e objektivave supremë – i pari mbi të gjithë siguria kombëtare – që një shtet duhet të ruajë mbi gjithçka tjetër, dhe Sekreti Shtetëror, që si i tillë duhet mbrojtur nga organet e kontrollit, të cilët kanë lindur specifikisht për të kryer një detyrë të tillë delikate.

Definicioni i konceptit te Sekretit Shtetëror, në mënyrë të veçantë, na kujton rolin e analistit të zbulimit që Makiaveli pati gjatë karrierës së tij politike (i lënë në hije nga historiografia moderne, por jo më pak interesant).
Pas Makiavelit, politika nuk do të ishte më e njëjta dhe do arrinte pika specializimi të skajshëm. Drejtimi i res publica-s, e çliruar përfundimisht nga kushtëzimet e moralit dhe fesë, do i bindet që nga ai moment ligjeve laike që synojnë mbrojtjen, zgjerimin e shtetit. Në periudhën e Makiavelit dhe në shekujt që do të vinin, analiza politike do të përqëndrohej mbi të gjitha tek koncepti i Raison d’Etat, tek nevojat e ndërthurura të veprimeve politike dhe mbrojtjen absolute të interesave të organizmave shtetërorë.

Në këtë klimë reflektimi dhe analize të politikës, të kuptuar si kategori kulturore, edhe shërbimet e fshehtë do të konsolidoheshin si institucione të vërtetë dhe pjesë integrale të çdo aparati shtetëror, me ekspertë profesionistë të angazhuar vazhdimisht në mbledhjen dhe përpunimin e informacioneve, në mbrojtjen e interesit suprem të sigurisë kombëtare. / Përkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button