Analiza

Pakti i ri Francë-Greqi, cilat do të jenë pasojat e tij në Mesdhe

Nga Lorenzo Vita

“Il Giornale”

Marrëveshja midis Francës dhe Greqisë, erdhi pas disa javë negociatash dhe muajve të “shkeljeve të syrit” midis palëve. Një marrëveshje shumë e dëshiruar, si nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, ashtu edhe nga presidenti Francez, Emmanuel Macron.

Sigurisht për nevoja të ndryshme, por konvergjente midis tyre. Me këtë marrëveshje Athina do që t’i tregojë Turqisë se ka një aleat të fortë pas vetes, i gatshëm të ndërhyrë në mbrojtjen e saj në rastin e një “ndërhyrjeje” serioze të Ankarasë në Egje dhe Mesdheun lindor.

Nga ana e tij edhe Parisi kishte një nevojë emergjente për një sukses të tillë tregtar (edhe pse jo në të njëjta përmasa), për të kompensuar sadopak humbjen e kontratës me Australinë për nëndetëset, të prishur nga marrëveshja AUKUS.

Dhe e bëri këtë duke i premtuar shitjen e 3 fregatave të reja Marinës Greke, e cila kishte përfshirë që shumë kohë më parë në listën e saj të blerjeve, dëshirën për të forcuar flotën e saj, siç ka bërë tashmë në qiell me avionët luftarakë francezë Rafale.

Dhe e gjitha kjo duke rrëzuar edhe analizat, që e cilësonin si më të mirë propozimin e palës italiane për këto lloj anijesh. Por kjo marrëveshje mund të jetë gjithashtu, një shenjë e presionit politik të bërë nga Parisi, pas prishjes së kontratës mbi nëndetëset me Australinë.

Nga ana tjetër kjo tregon sesa e vështirë është të vlerësosh fërkimin midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara, kur dikush shpreson që të depërtojë shumë lehtë në zënkat midis tyre. Gati 3 miliardë euro hyjnë në arkën e qeverisë franceze,  shumë që sigurisht nuk që nuk mund të zhdëmtojë plotësisht dëmin e shkaktuar nga anulimi i “kontratës së shekullit” me Marinën e Australisë.

Por ajo që ka rëndësi është edhe sinjali politik i një sinergjie, ajo midis Francës dhe Greqinë, e cila në këtë pikë po e çimenton veten në diçka shumë të ngjashme me një aleancë strategjike, e cila ecën paralelisht me organizatat të cilave u përkasin të dyja vendet, përkatësisht me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Paris, duhen marrë parasysh 2 elementë. I pari është ai teknik:pra shitja ndaj Greqisë të 3 fregatave të klasës FTI, dhe mundësisë për një të katërt. Fregatat do të jenë të koordinuara që të operojnë së bashku me avionët  Rafale të shitur po nga Franca gjatë një marrëveshje të nënshkruar disa muaj më parë nga të dyja qeveritë, pakt që kohët e fundit është zgjeruar me furnizime të reja ushtarake.

Ndërkohë anijet e porositura, do të pajisen me sisteme franceze anti-ajrore dhe anti-nëndetëse, të cilave mund t’i shtohen së shpejti edhe korvetat Guduin. Pra siç shihet është një kontratë e rëndësishme, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe atë operativ:mbrojtja greke është në përputhje të përkryer me atë franceze, në aspektin e dislokimit ajror-detar përgjatë viteve të ardhshme.

Elementi i dytë, përveç atij teknik, është sigurisht ai strategjik. Sepse përveç forcimit të flotës helene, në marrëveshje është futur edhe një klauzolë e ndihmës reciproke, e cila në mënyrë të pashmangshme është e orientuar drejt mbrojtjes së Greqisë.

Sipas burimeve qeveritare të raportuara nga gazeta greke Το Vima dhe agjencisë Mpa, në marrëveshje ekziston një garanci për ndërhyrje në rastin e sulmeve nga vendet e treta, edhe nëse ato mund të jenë pjesë e aleancave, në të cilat janë përfshirë Athina dhe Parisi.

Pra një mënyrë e tërthortë për të shmangur termin “Turqi”, vend që në këtë pikë bëhet kundërshtari i vërtetë i një aleance franko-helene, e cila dëshiron të ndikojë dhe në fakt do të ndikojë në Mesdheun Lindor.

Dhe kësaj mbrojtjeje të ndërsjellë, i shtohen një sërë nismash dypalëshe për të nxitur një sinergji të plotë midis dy qeverive në Mesdheun Lindor, si në sigurinë detare, ashtu edhe në sektorët e mbrojtjes së përbashkët evropiane.

Ndërsa kjo lëvizje është thelbësore për Greqinë, në funksion të frenimit të ambicieve turke, dhe si një sinjal i qartë për lojtarët e tjerë me Mesdhe, ajo është veçanërisht e rëndësishme edhe nga pikëpamja e strategjisë që ndjek Franca.

Kjo sepse përmes kësaj marrëveshje, Macron arrin një objektiv të dyfishtë:nga njëra anë mbush arkën e “Naval Group” pas “shuplakës” australiane, dhe nga ana tjetër e tregojë  veten si drejtues i asaj autonomie strategjike evropiane, e cila e përkthyer në terma shumë më pragmatike, nënkupton për Francën realizimin e dëshirës për të udhëhequr disa sektorë të mbrojtjes së Kontinentit të Vjetër.

Jashtë ambicieve pro-evropiane, Elizeja nuk e ka fshehur kurrë faktin se e konsideron BE-në si një shumëzues të forcës. Dhe është e qartë se nëse e gjitha kjo bëhet në sinergji me NATO-n, në vend se të forcojë autonominë strategjike evropiane, do të shërbejë mbi të gjitha për të siguruar aleancat franceze në Mesdheun Lindor dhe Lindjen e Mesme, që kalojnë nga Greqia në Qipro, dhe nga Egjipti deri në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Një aks që projektohet deri në Libi, por që sheh gjithashtu Sahelin dhe fushat e gazit të Mesdheut Lindor. Ky bllok, që është bërë domosdoshmërisht anti-turk duke pasur parasysh praninë e njëkohshme të kundërshtarëve strategjikë të Ankarasë, synon të mbrojë interesat e të gjithëve, por mbi të gjitha të tregojë aftësinë e Francës për të ndërtuar një rrjetë mbrojtëse në Mesdhe, si të interesave ashtu edhe diplomacisë së saj.

Në Levant, ekziston tashmë një lloj “zonë e ndikimit” të Parisit. Tani për tani, Uashingtoni ka heshtur ndaj kësaj marrëveshje. Dhe kjo është në vetvete një shenjë se si në vend të autonomisë evropiane në lidhje me Aleancën Atlantike, si Franca ashtu edhe Greqia e kanë konsideruar atë një sistem të ndihmës reciproke, të konceptuar nga një perspektivë dypalëshe dhe të mirë-integruar brenda NATO-s.

Siç raportohet nga e përditshmja greke Kathimerini, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, kujtoi se Uashingtoni ka pasur prej kohësh një marrëveshje bashkëpunimi me Athinën, e përditësuar së fundmi në vitin 2019.

Siç shkruan “La Tribune”, Emmanuel Macron tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje “është në koherencë të përsosur dhe në përputhje të plotë me angazhimet tona ndaj BE-së dhe NATO -s, duke e forcuar efektivitetin e saj në mbrojtjen e territoreve tona, dhe duke na lejuar të veprojmë në një mënyrë më efektive dhe më të koordinuar.

Dhe shpenzimet ushtarake greke, shumë mbi mesataren e BE-së, janë vlerësuar tashmë nga Uashingtoni, që përveçse ka arritur nivelin e kërkuar të financimit, ka marrë edhe garancinë e Athinës për përdorimin e bazave greke.

Back to top button
Close
Close