MagazineMAIN

Paradokset e shumta të Ernest Hemingueit

Nga Kyle Smith

Gruaja e parë e Ernest Hemingueit, Hadli Riçardson, tha se ai ishte “aq i gjithanshëm, sa sfidoi gjeometrinë”. Një burrë që i pëlqente të quhej “Kethrin” në shtrat, një apostull i sinqeritetit që shpesh gënjente për bëmat e tij, një liridashës që spiunoi për llogari të Stalinin, na la me një biografi shumë më të mbingarkuar sesa vepra e tij letrare.

Si asnjë shkrimtar tjetër ai ishte magjepsës për shumëkënd, ndaj mori edhe vëmendjen e duhur në dokumentarin e ri të shkëlqyer “Hemingway”, një dokumentar që zgjat 6 orë dhe është i ndarë në 3 pjesë, produksion i televizionit PBS, me regjinë e Ken Bërns dhe Lin Novik, dhe me një skenar shumë të mprehtë të Xhorxh Uordit.

“Unë përpiqem të shkruaj një histori të mirë për njerëzit, pa trillime apo paramendime”- tha shkrimtari në fillim të karrierës së tij. Dhe në fakt ai më shumë se gjithë të tjerët krijoi shije moderne në letërsi:ishte ironik por pa u përpjekur të bëhej qesharak, alergjik ndaj zbukurimeve, dhe i drejtohej lexuesit të tij ndryshe nga shkrimtarët e tjerë shumë më të vështirë dhe hermetik si Xhejms Xhojs apo T.S.Eliot.

Ai ishte mjeshtri që mësoi të gjithë shkrimtarët e mëvonshëm se si t’i thuash gjërat duke mos i thënë ato. Në dokumentarin e fundit përmendet fakti qëai e rishkroi 47 herë fundin  e romanin “Lamtumire armë”, para se të vendoste në të fjalët më mbresëlënëse, pasi Kethtrin, e dashura e tregimtarit Frederik, vdiq gjatë lindjes, fëmija i saj lind i vdekur, dhe Frederiku u kërkon infermiereve që ta lënë për një moment vetëm:“Por pasi i detyrova të iknin, mbylla derën dhe fika dritën,asgjë nuk ishte mirë. Ishte si t’i thoje lamtumirë një statuje. Pas pak, dola nga spitali dhe u riktheva në hotel nën reshjet e dendura të shiut”.

Në rastin më të mirë, Hemingueie arriti alkiminë e krijimit të fjalive që ishin minimaliste dhe jo sentimentale, por shumë shprehëse. Ai u bë personaliteti më i famshëm i Amerikës që nga koha e idhullit të tij Tedi Ruzvelt, që mori pjesë në Luftën e Parë Botërore (si një shofer ambulance në Itali, ku u plagos nga një predhë), në Luftën Civile Spanjolle (gazetar korrespodent në Madrid) dhe çuditërisht edhe në Luftën e Dytë Botërore.

Në të 40-at, ai iu bashkua forcave aleate që zbarkuan në Normandi, vrau 3 oficerë SS me granata në Francë, gati u vra dy herë, dhe megjithëse ishte civil luftoi me Regjimentin e 22-të të Këmbësorisë në betejën e ashpër në Pyllit Hërtgen.

Vlerësimi i Bërns dhe Novik për prozën e Heminguei është ngjitës, dhe do t’ju bëjë të dëshironi të ktheheni dhe rilexoni veprat tuaja të preferuara. Në dokumentar ka edhe intervista të zgjeruara me djalin e dytë të Hemingueit, Patrik, që është ende gjallë.

Dokumentari përmban ndërkohë komente nga shkrimtarë, studiues dhe fansa të tillë si senatori i ndjerë Xhon Mekein, që kishte rënë në dashuri me Robert Xhordan, heroin e romanit “Për kë bien kambanat?(1940). Afër fundit të jetës së tij, Mekein u përlot teksa citoi frazën e mrekullueshme:“Bota është një vend i shkëlqyer dhe ia vlen të luftosh për të, dhe unë e urrej shumë faktin që më duhet ta lë atë!”.

Në përgjithësi dokumentarët priren të jenë eseistikë, të nxjerrin në pah një pozicion dhe ta mbrojnë atë. Por Bërns dhe Novik janë entuziastë mbi gjithçka. Ata janë qartazi admiruesit e Hemingueit, që vendosin ekuilibrin e duhur në diskutimin e mëkateve të tij të shumta.

Ai ishte mizor dhe manipulues me të katërta gratë e tij, gjithashtu lejoi që pija ta nxirrte për shumë kohë jashtë vetes, dhe për shkak të saj ai humbi një pjesë të konsiderueshme të viteve të tij më produktive.

Burimet e probleme të Hemingueit ishin të shumta; sëmundjet mendore në familje, por edhe vetëvrasjet. Katër nga tetë anëtarët e familjes së tij, përfshirë babanë e tij, u vetëvranë. Brenda tij kishte një mister seksual ndoshta të pazgjidhshëm. Ai tërhiqej nga gratë me karakter burrëror. Dhe në fund të jetës, me gruan e tij të katërt Meri Uelsh, luante lojëra seksuale në të cilat ai do të ishte “vajza” (Kethrin) dhe ajo do të ishte “djali”, i quajtur Piter.

Në kohën e vdekjes së tij djali i tretë i Hemingueit, Gregori, ishte në fazën e ndryshimit të gjinisë. Nëse imazhi hiper-mashkullor i Hemingueit ishte vetëm një mbulesë e jashtme apo diçka reale, ky është një objekt për debat.

Por dokumentari përshkruan thjesht atë që dihet, pa u futur në spekulime. Ai nuk jep asnjë përgjigje përfundimtare mbi bindjet politike të Heminguei. Në vitet 1930, vetë shkrimtari shkroi:“Unë nuk mund të jem komunist tani, pasi besoj vetëm në një gjë të vetme tek:liria. Shteti nuk më intereson. Unë besoj në minimumin absolut të qeverisjes”.

Por në Spanjë, ku kauza antifashiste u shndërrua gradualisht në Stalinizëm, ai mbuloi mizoritë e kryera nga e majta dhe e nxiti Xhon Dos Pasos të mos raportonte mbi masakrat e Stalinit në Bashkimin Sovjetik nga frika e dëmtimit të së Majtës. Madje ai pranoi të spiunonte për Stalin (edhe pse nuk dha kurrë ndonjë informacion me vlerë) .

Edhe kur Kastro zbarkoi në Havanë në vitin 1959, që atij vetë i kushtoi humbjen e shtëpisë së tij të dashur në periferi të qytetit, Heminguei deklaroi gjithsesi mbështetjen e tij për të.

Kështu që Heminguei hyn në kategorinë e personazheve me të meta të mëdha. Por këtu ai ka shumë ngjashmëri me tjerët, sidomos me 98.5 për qind të kolegëve të tij.

Por këto që përmenda më lart nuk mund të lënë kurrsesi në hije pikat e tij të forta, faktin që Heminguei është ndoshta shkrimtari më me ndikim në historinë e SHBA-së. Një nga dishepujt e tij romancieri Tobias Ulf, shprehet kështu:“Ai ndryshoi orenditë në dhomë”. / “National Review” – Bota.al

Back to top button
Close
Close