Letersi

Parimi i Ana Kareninës

Screen Shot 2015-08-12 at 11.04.32

Romanet e Tolstoit janë të mbushur me citime matematikore dhe shkencore

Të gjithë e njohin parimin e Ana Kareninës, të Leon Tolstoit: ‘Të gjithë familjet e lumtura ngjajnë mes tyre, çdo familje e palumtur, është e tillë në mënyrën e vet”. Por të paktë janë ata që njohin parimin e Ana Kareninës të Jared Diamondit, të parashtruar prej tij në librin “Armë, çelik dhe sëmundje” (1997): “Të gjithë speciet e zbutura janë zbutur për të njëjtat arsye, çdo specie e pazbutur nuk ka qenë në mënyrën e vet”.

Në terma më pak konçizë, Diamond shpjegon se kafshët kanë shpesh herë një martesë të palumtur me qeniet njerëzore, për një apo më shumë arsye: zakone ushqyerje të vështirë, ritëm i ngadaltë i rritjes, zakone riprodhues të papajtueshëm me qëndrimin në kafaz, karakter agresiv, prirje për panik dhe mungesë instikti për shoqërizim.

Vetëm ato pak specie që janë të pajtueshme me qeniet njerëzore, sa u përket këtyre kritereve, garantojnë mundësinë e një martese të lumtur.

Por, sapo vetëdijësohemi për përmbajtjen metaforike të parimit të Ana Kareninës, shfaqen menjëherë edhe zbatime të tjerë. Për shembull, nuk është veçse një version i kriterit të pavërtetësisë, shpallur fillimisht nga Aristoteli dhe rimarrë nga Popperi, sipas të cilit, një pohim universal është i pavërtetë kur ka qoftë edhe një kundërshembull, dhe është  i vërtetë nëse nuk ka një të tillë. Pra, të gjithë pohimet universalë që janë të vërtetë ngjajnë mes tyre, sepse nuk kanë asnjë kundërshembull.

Por çdo pohim universal i pavërtetë është i tillë në mënyrën e vet, për shkak të një apo më shumë kundërshembujve specifikë.

Në mënyrë të ngjashme, parimi i Ana Kareninës është një version i kriterit të unanimitetit, që kërkon dakordësinë e të gjithëve për ta vënë në zbatim një vendim. Në këtë kuptim, të gjithë vendimet unanimë ngjajnë mes tyre, pasi nuk kanë patur asnjë votë kundër. Por çdo vendim jo unanim është i tillë në mënyrën e vet, për shkak të një apo më shumë votave specifike kundër.

Praktikisht, janë shembuj të zbatimit të këtij parimit si garat me eleminim, ashtu edhe lufta për mbijetesë, sepse e vetmja mënyrë për të fituar është të mbijetosh dhe të kapërcesh të gjithë pengesat, ndërkohë që secila pengesë paraqet një rast të ndryshëm për të humbur apo për t’u zhdukur. Siç thoshte vetë Aristoteli: “Mund të dështosh në shumë mënyra, por suksesi arrihet në vetëm një mënyrë. Të mirët sillen të gjithë njësoj, të këqijtë në mënyra të ndryshme”.

Por nuk duhet të habitemi që gjejmë në veprën e Tolstoit, një përmbajtje shkencore, ndonëse thjeshtë metaforike. Kryevepra tjetër e tij “Lufta dhe Paqja” është e mbushur me citime të natyrës matematikore dhe fizike. Për shembull, princi Bolkonskij mrekullohet nga “llogaritë e matematikës së lartë” dhe i jep të bijës “leksione algjebre dhe gjeometrie”. Dhe në mesin e romanit, përmendet kometa e madhe e vitit 1812, duke kujtuar që ajo përshkonte një “kurbë në formë parabole”: edhe pse më vonë, u përllogarit se bëhej fjalë për një kurbë elikptike, me një periudhë orbitale prej afro 3000 vitesh.

Shumë herë përmendet Ligji i Njutonit: për shembull, për të pohuar që nostalgjia e familjes tek i riu Rostov, apo energjia e impaktit të ushtrisë franceze, rriteshin në përpjestim të zhdrejtë me katrorin e distancës nga shtëpia, apo nga ushtria ruse. Edhe pse citimi më i mirë i Tolstoit në lidhje me këtë temë vjen nga “Vdekja e Vladimir Iliçit”, për të cilin gjithçka bëhet gjithnjë e më e zezë, në përpjestim të zhdrejtë me katrorin e distancës nga vdekja, ndërkohë që “imazhi i gurit që bie poshtë me shpejtësi të lartë i bie në shpirt”.

Metaforat kinematike janë të bollshme në përshkrimet e goditjeve mes ushtrive dhe forcave në lojë, që përmblidhen sipas “rregullit të diagonales së paralelogramit”. Por befasia më e madhe vjen nga përdorimi që Tolstoi i bën analizës matematikore, në teorinë e tij mbi historinë, që përmblidhet në këtë përshkrim: “Vetëm duke pranuar vëzhgimin e njësive pafundësisht të vogla – diferencialin e historisë, domethënë aspiratat homogjene të njerëzve – dhe duke arritur artin e integrimit (domethënë të bashkojmë këto njësi pafundësisht të vogla), do të mund të shpresojmë të kuptojmë ligjet e historisë”.

Kjo gjë i ishte sugjeruar nga matematicieni Sergej Usurov, i cili e kish përdorur si parim në një investigim të vitit 1868 mbi problemet matematiko-ushtarakë të fushatave të viteve 1812 dhe 1813. Dhe që më pas ishte shumë entuziast për mënyrën si e zbatoi Tolstoi, duke i dhënë një formë letrare sublime, një ideje gjeniale matematikore, të vënë në zbatim për historinë.

LeScienze – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button